Beqja shtyn Teutën: Kampionat pa diferenca, të bëjmë më mirë se vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2024 | 15:55

Beqja shtyn Teutën: Kampionat pa diferenca, të bëjmë më mirë se vjet

Teuta prej ditësh vijon stërvitjet në Durrës, teksa dje skuadra ka punuar me dy seanca duke u përgatitur për sezonin e ri. Ledio Beqja vjen pas një sezoni mjaft të mirë me bregdetaret, ndërsa kërkon konfirmimin edhe në edicionin e ri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 22-vjeçari shprehet optimist për të ardhmen e ekipit durrsak.

Beqja

Beqja, keni nisur fazën prej 11 ditësh, a ka ndryshuar diçka te Teuta?

Mund të them se situata është shumë e mirë dhe premtuese. Nuk mendoj që ka ndryshuar diçka, por më gëzon vetëm fakti që jemi mirë në anën shëndetësore. Për fat nuk kemi pësuar asnjë dëmtim gjatë këtyre ditëve dhe jemi në formën e duhur.

Vini pas një sezoni shumë të mirë në aspektin personal…

Si unë, gjithashtu edhe ekipi në sezonin e kaluar kemi pasur ngritje. Kjo nuk e shton presionin, përkundrazi rrit motivimin dhe obligimin ndaj punës, e cila është garantuesi i vetëm i suksesit. Gjithsesi, duhet thënë se pjesë të veçantë në ngritjen time ka përkrahja e vazhdueshme nga të gjithë në klub, të cilët më japin një forcë të madhe.

Si e shihni edicionin e ri?

Mendoj që ne nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, pasi diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Të bëhemi skuadër sa më e konsoliduar dhe të marrim rezultate. Të gjithë duam të paraqitemi sa më mirë, si unë dhe klubi.

Me çfarë synimi nis ky kampionat për Teutën?

Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë vitin e kaluar. Parashikoj një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar, pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë presim me padurim të fillojë sezoni. Dëshirojmë të bëjmë më mirë se sesa viti i kaluar, kur zhvilluam një kampionat që nuk e priste askush përveç nesh. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të përmirësohemi.

Çfarë synimesh keni në aspektin personal?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës që klubi ta arrijë objektivat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"