Besa njeh vetëm “hemorragji”, largohet Reçica. Kavajasit pjesë e suksesit të Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2024 | 20:37

Besa njeh vetëm “hemorragji”, largohet Reçica. Kavajasit pjesë e suksesit të Egnatias

Kavajasit lanë pas një sezon tjetër të dështuar, duke përmbyllur kështu një dekadë larg Kategorisë Superiore. Mund të kishte ndodhur dhe më e keqja, prandaj duhet çmuar kontributi i trajnerit Dorjan Bubeqi, që falë punës së tij evitoi rënien në Kategorinë e Dytë.

recica besa

E ndërsa tashmë gjithçka është mbyllur, në kampin verdhezi ka rënë heshtja dhe kanë nisur pushimet njëkohësisht. Të gjithë duan ta harrojnë e ta lënë pas atë paraqitje aspak dinjitioze të Besës në sezonin e fundit. Në heshtje kanë nisur edhe largimet e para. Mësohet se mesfushori nga Shkupi, Harbin Reçica, s’do të jetë më pjesë e Besës. Në fakt, mesfushori shkupjan u dëmtua dhe u largua 3 javë para mbylljes së sezonit. Burime zyrtare deklarojnë se Reçica ka mbyllur me mirëkuptim kontratën me verdhezinjtë.

Gjatë këtyre ditëve janë lakuar edhe emra të tjerë si largime të mundshme, ku mes tyre ishte edhe Albijon Shurdhiqi. Por në klub bëjnë me dije se mesfushori kosovar dhe të gjithë futbollistët që kanë kontrata afatgjata me Besën mund të largohen, ama vetëm nëse klubi nuk e çmon më kontributin e tyre. Kontrata një vjeçare kanë patur lojtarë si Ramilli e Perja, të cilët priten të vendosin me presidentin Bizhdilin në ditët në vijim mbi të ardhmen e tyre te skuadra kavajase.

Besa, pjesë e suksesit të Egnatias

Paradoksale, por e vërtetë. Atë që Besa nuk e bëri në 98 vite histori, e bën një kavajas me Egnatian. Jo të gjithë e dinë se kontribues kryesor në suksesin e Egnatias janë dhe kavajasit, madje në impenjime kyçe, duke nisur nga presidenti Agim Demrozi, për të vijuar me drejtorin e klubit Klejdi Zenelaj. Jo vetëm këta dy financues e ideatorë të kësaj Egnatie, por dhe mjeku i ekipit, Emiljano Bizhdili, është po kavajas. Janë këta që pasi morën gjithë përvojën që u duhej te Besa, po e rrezatojnë atë në Rrogozhinë. Për të vijuar me trajnerin e portierëve, Taulant Guma, e më pas me portierin Ilir Dobjani e më të riun Morina.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"