Besa thyen çdo rekord, ka ndryshuar katër herë trajner për të luajtur… një ndeshje
Skuadra e Besës vazhdon të çuditë me ndryshimet e vazhdueshme në pankinën e saj gjatë këtij sezoni, të cilin kavajasit e kanë filluar me pretendimet për t’u kthyer në elitën e futbollit shqiptar. Sot ka ardhur ndryshimi i radhës që tani ka marrë përmasa qesharake.
Pas largimit të Julian Ahmatajt nga drejtimi i skuadrës në fundin e sezonit të kaluar dhe me kthimin e Nexhat Bizhdilit si president i klubit kavajas, ky i fundit emëroi Bledar Sinellën si trajner. Pas pak ditësh, Sinella u largua dhe vendin e tij e zuri Ilirjan Berati, i cili mbulonte edhe rolin e shefit të klubit.
Por edhe aventura e Beratit nuk zgjati shumë, pasi në stolin e kavajasve erdhi Artion Poçi, i emëruar pak javë më parë. Sot, në ndeshjen ndaj Tiranës, të parën zyrtare për sezonin e ri, Besa dhuroi çudinë e radhës. Trajneri i skuadrës ne protokoll ishte pikërisht ai që kishte nisur këtë cikël ndryshimesh, Bledar Sinella, i cili nga nesër do të drejtojë ekipin.
Me pak fjalë, Besa ka ndryshuar katër herë trajnerin gjatë kësaj vere vetëm për të luajtur një ndeshje futbolli të cilën përveç të tjerave, e mbylli me humbje. Situata duket paksa kaotike kur e mendon se ka luajtur vetëm një ndeshje dhe Besën me ndryshimet e trajnerëve të saj, e pret një sezon i gjatë para…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"