Besëlidhja “finale” elite, trajneri Gjoni në debutim: E njoh shumë mirë këtë grup

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2018 | 11:56

Besëlidhja “finale” elite, trajneri Gjoni në debutim: E njoh shumë mirë këtë grup

Besëlidhja të premten paradite u dha fund përgatitjeve për sfidën që do të luajë sot në Lezhë ndaj Dinamos. Një finale mes dy ekipeve që synojnë ngjitjen në elitë dhe në ndeshjen e sotme do kërkojnë fitoren për t’i qëndruar sa më afër Vllaznisë që është në krye. Kujtojmë se sfida e javës së dytë të fazës së parë mes Dinamos dhe Besëlidhjes ka përfunduar me fitoren e dinamovitëve në shtëpinë e tyre me shifrat 2-0. Në këtë sfidë, pjesën e dytë të saj, Pasha i Besëlidhjes ka humbur një penallti. Që nga e marta e kësaj jave Besëlidhja është vënë nën urdhrat e trajnerit Vladimir Gjoni, i cili ka punuar me përkushtim për ta karikuar skuadrën maksimalisht për të shtunën ndaj Dinamos.

Beselidhja-540x336

GJONI Gjatë prononcimit të tij për “Panorama Sport”, trajneri Vladimir Gjoni u shpreh: “Ashtu siç e kam theksuar edhe në intervistën e parë, ardhja si trajner i Besëlidhjes për mua është një privilegj, por edhe një peshë shumë e rëndë për objektivat e kësaj skuadre me histori të gjatë edhe në elitë. Që me marrjen e kreut të pankinës, pa humbur kohë kam nisur punën, kuptohet bashkë me Gledis Lanin, i cili e ka drejtuar skuadrën pesë ndeshje radhazi, ndaj edhe unë jam i kënaqur me bashkëpunimin me të. Tani të gjithë vëmendjen e kemi të përqendruar te sfida e së shtunës ndaj Dinamos, një ndeshje që e kemi vlerësuar maksimalisht, duke praktikuar një program stërvitor që t’i përshtatemi sa më shumë stilit të kundërshtarit. Unë i njoh shumë mirë skuadrat e Kategorisë së Parë, pasi ka shumë vite që drejtoj teknikisht shumë syresh përfshi edhe Dinamon, ndaj edhe puna ime është përqendruar në stilin e saj, ashtu siç e theksova edhe më lart.

Me futbollistët që kam në dispozicion kam punuar intensivisht dhe deri diku besoj se formacioni anti-Dinamo që tashmë e kam formatuar, do të jetë i duhuri për të marrë pikët tona. Sa i përket së ardhmes, unë tani jam i përqendruar te kjo sfidë e kësaj fundjave, ku besoj se do t’ia dalim me sukses”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën, trajneri i Besëlidhjes, Vladimir Gjoni. Tekniku që drejtoi skuadrën e Egnatias për një vit e gjysmë, sot do të nisë aventurën e tij në krye të Besëlidhjes me synimin për ta mbajtur deri në fund objektivin për ngjitjen në Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"