Besëlidhja nis stërvitjen pa surpriza, lezhjanët gati për pazar në… Krujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2021 | 16:10

Besëlidhja nis stërvitjen pa surpriza, lezhjanët gati për pazar në… Krujë

Besëlidhja zbarkon në fushë. Dje në orën 17:00 skuadra nisi në stadium përgatitjet për sezonin 2021-2022. Sikundër edhe pritej, nuk kishte surpriza. Veç mungesave të mëdha, binte në sy prania e dy afrimeve.

Alban Bruka

Bëhet fjalë për dy elementë të rinj, të ardhur nga 21-vjeçarët e Tiranës dhe Teutës (Marvin Kodra dhe Kristian Jaku). Redinel Gjikolaj, Patrik Fetaj, Mario Prendi, Niko Luca, Redon Danaj, Ded Bushi, Erilio Gjoka, Erjon Pashkaj, Ruben Danaj, Napolon Marku, Jon Golemi, Ronaldo Çota, Sexhio Gjikolaj, Soni Frroku, Sidrit Hoxha, Edison Shtjefni e Xheison Ndoka ishin futbollistët e pranishëm në këtë seancë të parë.

Nga titullarët që mbyllën sezonin, veç lezhjanëve morën pjesë edhe dy kurbinasit Niko Luca dhe Ded Bushi. Ndërsa nga futbollistët shkodranë vetëm mbrojtësi Samet Ruqi mund të mbetet pjesë e Besëlidhjes, por dje ka munguar. Në sy ra edhe mungesa e portierëve, pasi Erind Selimaj dhe Elio Marku nuk do të jenë më pjesë e ekipit.

PLANI – Besëlidhja e ka një plan për këtë merkato. Ata po planifikojnë që të bëjnë “pazar” në Krujë. Ky është shkaku që kanë menduar, që të shtunën të presin në Lezhë Kastriotin, për të zhvilluar një miqësore. Trajneri Alban Bruka shpreson se do të “peshkojë” ndonjë portier nga ekipi krutan, pasi ka marr OK-in nga drejtuesit e Kastriotit.

FJALIMI – Ndryshe nga tradita e kësaj dekade të fundit në ditën e parë të grumbullimit, para ekipit foli vetëm trajneri Alban Bruka. Ai u mundua që të mobilizonte grupin, ndërsa paralajmëroi që në ekipin e tij nuk bëhesh titullar vetëm me emër. “Nga sot (dje) nisim fazën përgatitore për sezonin e ri. Shumica prej jush më njeh, ndaj nuk ka nevojë për prezantim. Nga sa më parë, ky sezon është i ndryshëm nga shumë pikëpamje, pra ka një shkallë më të lartë vështirësie për shkak të konkurrencës. Do të garojmë në një grup të vetëm që nuk mundëson shumë shanse për të reflektuar e rikuperuar. Kjo, pasi do të luhet vetëm me dy faza. Objektivat tanë dihen. Besëlidhja lufton vetëm për rikthimin në Superiore. Titullar te Besëlidhja që unë trajnoj, nuk të bën emri, por performanca gjatë fazës përgatitore. Të gjithë jeni në start për titullarë të formacionit. Kam shumë besim se me punë e përkushtim do t’ia dalim që t’i rikthejmë Besëlidhjes vendin që meriton. Ju uroj punë të mbarë”, përfundoi tekniku, i cili paralajmëroi se puna për ndërtimin e ekipit do të vazhdojë të paktën deri nga mesi i muajit.

PANORAMASPORt.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"