Besmir Banushi, fituesi i Turit të 69-të ciklistik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2012 | 12:00

Besmir Banushi, fituesi i Turit të 69-të ciklistik

Ka përfunduar dje pedalimin Turi i 69-të çiklistik i Shqipërisë me triumfin e dyfishtë të Apolonisë si në klasifikimin ekipor dhe atë individual të Besmir Banushit. Sipas kryegjyqtarit Ilmi Gjyzeli ekipi fierak vetëm në etapën e parë dhe atë fundit u rivalizua nga të tjerët, pasi në etapat e tjera vendosi hegjemoninë e tij duke u shkëputur ndjeshëm. Apolonia fiton për të 11-ën herë Turin çiklistik, ndërsa Besmir Banushi del fitues për të tretin edicion radhazi. Etapa e fundit ka qenë Qafë Thanë – Fier, 110 km e gjatë. Ndonjë tentativë për shkëputje e Besmir Banushit, Stojkut, apo të gjermanit Mateo Libstak nuk pati sukses pasi ata janë arritur shpejt nga grupi që po kështu është futur dhe në finishin e vendosur në qytetin e Fierit. Gjithsesi, i pari në finish arriti Emiljano Stojku i Tiranës me kohën 3h33’20″. Mateo Libstak i Profiline dhe Altin Sufaj i Apolonisë ndanë vendin e dytë dhe të tretë. Kryebashkiaku Baftjar Zeqo tha për “Panorama Sport”: “Turi i 69-të ishte një eveniment sportiv më shumë se kombëtar, pasi në të morën pjesë ekipe si Kosova, Maqedonia, ndaj dhe duhej përkrahur. Jam i gëzuar që fitues u shpall Apolonia si ekipi dhe si individ Besmir Banushi me një diferencë prej 8 sekonda ndaj vendit të dytë, në të cilin u rendit sërish çiklisti fierak Sufaj”. Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, do të pohonte: “Jam i emocionuar për mbështetjen që i bën Bashkia e Fierit, veçanërisht kryetari Baftjar Zeqo sportit të çiklizmit. Ishte një aktivitet shumë rivalizues midis ekipeve pjesëmarrëse, por Apolonia bëri diferencën duke u shpallur me meritë kampione. Do t’i bëj thirrje kryeministrit dhe ministrit të Sporteve që ta ndryshojnë ligjin e sportit me çdo kusht. Çiklistët e ekipeve të ndryshme si Tirana, Shkodra, etj., kanë ardhur pa lekë, pa dieta, ndërsa të vetmit ekipe që janë mbështetur fuqimisht nga bashkitë e tyre kanë qenë Apolonia dhe Teuta. Kam paguar lekë nga xhepi jo vetëm për ekipet e huaja, por dhe për ekipe të tjera”. Kiço Kalemi, trajneri i Apolonisë, u shpreh se ky ekip bëri një figurë mjaft të mirë dhe arriti një fitore të dyfishtë. Djemtë tanë e ndjenë rivalitetin në Fier-Lushnjë-Vlorë dhe në Qafë Thanë-Fier, më pas bënë diferencën me çiklistët rivalë. Dua t’i falënderojë çiklistët për profesionalizmin e treguar, shefin e klubit Lili Gërmau dhe në veçanti kryetarin e bashkisë, Baftjar Zeqo, për inkurajimin dhe përkrahjen”.

Besmir Banushi: Titujt i merituam!
“Apolonia tregoi kompaktësi dhe përgatitje të lartë përgjatë turit çiklistik dhe e fitoi me meritë trofeun si ekip dhe si individ. Unë hyra në këtë Tur me synimin për ta fituar atë dhe ia arrita qëllimit, duke krijuar diferencë nga çiklistët e tjerë. Kjo dhe në sajë të ndihmës së shokëve të skuadrës, por dhe taktikës së zgjedhur nga trajneri Kiço Kalemi. Tek Apolonia e ndjej veten si në shtëpinë time. Është një skuadër, në të cilën mbizotëron harmonia dhe që ka një staf mjaft serioz duke filluar nga profesori Kiço Kalemi, apo shefi i klubit Lili Gërmau. Në Fier njerëzit nuk duan vetëm futbollin, por sportin në përgjithësi”, – tha fituesi i Turit të 69-të.

LIBRI I ARTË
VITI    INDIVIDUAL
1955 B.Agalliu (Partizani)
1956 B.Agalliu (Partizani)
1957 B.Agalliu (Partizani)
1958 B.Agalliu (Partizani)
1959 B.Agalliu (Partizani)
1960 B.Agalliu (Partizani)
1961 B.Agalliu (Partizani)
1962 B.Agalliu (Partizani)
1963 B.Agalliu (Partizani)
1964 R.Muriqi (Vllaznia)
1965 B.Agalliu (Partizani)
1966 Sh.Dervishi (17 Nëntori)
1967 S.Hima (Dinamo)
1968 S.Hima (Dinamo)
1969 D.Rama (Partizani)
1970 M.Ahmeti (Flamurtari)
1971 L.Zino (Partizani)
1972 M.Ahmeti(Flamurtari)
1973 A.Tafilica (Dinamo)
1974 A.Tafilica (Dinamo)
1975 A.Tafilica (Dinamo)
1976 K.Mezini (Partizani)
1977 L.Zino (Lokomotiva)
1978 A.Huqi (Partizani)
1979 A.Tafili (Partizani)
1980 A.Tafili (Partizani)
1981 A.Tafili (Vllaznia)
1982 A.Tafili (Vllaznia)
1983 A.Çuko (Apolonia)
1984 A.Tafili (Vllaznia)
1985 A.Tafili (Vllaznia)
1986 A.Ferraizi (Partizani)
1987 A.Huqi (Partizani)
1988 S.Tafili (Vllaznia)
1989 S.Çelmeta (Dinamo)
1990 S.Çelmeta (Dinamo)
1991 A.Paja (Partizani)
1993 A.Boga (SK Tirana)
1994 A.Paja (SK Tirana)
1995 B.Musaj (SK Tirana)
1996 B.Musaj (SK Tirana)
1997 B.Musaj (SK Tirana)
1998 B.Musaj (SK Tirana)
1999 B.Musaj (SK Tirana)
2000 Besnik Musaj (Bylis)
2001 B.Musai (SK Tirana)
2002 A.Hasimaj (Apolonia)
2003 E.Avdolli (Teuta)
2004 P.Zarka (Apolonia)
2005 P.Zarka (Apolonia)
2006 P.Zarka (Apolonia)
2007 P.Zarka (Apolonia)
2008 J.Toska (Apolonia)
2009 J.Toska (Apolonia)
2010 B.Banushi
2011 B.Banushi (Tirana)
2012 B.Banushi (Apolonia)
MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"