Besnik Dizdari: E vërteta e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Lojërat Olimpike
BESNIK DIZDARI
* Në këte shkrim – të gjithë olimpistët e parë shqiptarë: futbollistë, basketbollistë, peshëngritës, qitës, gazetarë, zyrtarë të lartë…
NE FOTO: 2002. Pulla postare për Ymer Pampurin.
Sigurisht, të shkruash sado pak histori për Lojërat Olimpike, në ditët kur ata shtyhen për një vit më vonë, sikur nuk shkon. Mirëpo, kur mosnjohësit e historisë së Lojërave Olimpike, guxojnë dhe bëjnë një gjë të tillë dhe aq më tepër kur fshehin dhe ngatërrojnë histori, kur kopjojnë e prap nuk dinë të kopjojnë, nuk mund të rrish pa rishkruar edhe ti. Aq më tepër ngaqë je prej atyre që mund të kesh botuar shkrime të pafund për Lojërat Olimpike e pjesëmarrjen e Shqipërisë në to, qoftë dhe në gazetat e tashme “PanoramaSport” dhe “Panorama”. Gabim që ke nuk i ke shndërruar këto në një libër…
Ajo që të shqetëson në zhanrin tonë, ka të bëjë me atë, se si edhe sot për shkrimet për histori sportive, ende vazhdojnë të sundojnë të pavërteta, deformime historike, mosverifikime, imagjinatë e përshpejtuar, pse jo edhe spekullime.
Olimpiada e Berlinit 1936: për herë të parë delegacioni zyrtar i Shqipërisë
Në ditët e zhvillimit të Lojërave Olimpike, që kanë hyrë në histori nën emblemën “Rio 2016” të Brazilit, në gazetën e përditshme josportive “Panorama” kam riargumentuar me plot të reja “zbulimin” e rastit të pranisë së parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike, atë të vitit 1936 në Gjermani. Doemos përmes atij dokumenti që i përkiste gazetarisë. E ky dokument është pra dhe “zbulimi”. Eshtë dokumenti zyrtar, autentik i kancelerive të Olimpiadës të Berlinit (1-16 gusht 1936), që nuk ishte gjë tjetër veçse ai që titullohej “Official report” – “Raporti zyrtar i Olimpiadës”. Dhe ishte ky dokument që na tregonte akreditimin e një përfaqësuesi shqiptar për herë të parë në një Olimpiadë, çast kur në analet e saj po për herë të parë është regjistruar zyrtarisht edhe emri shtetëror “Albania” (Shqipëria). Ishte faqja që tregon gazetarët e akredituar për lojërat (“Press Quotas According to Nations”) siç lexohej, të ndarë simbas shteteve. Në kolonën e shteteve ka “Albania” që simbas alfabetit, vjen menjëherë mbas Afganistanit e para Argjentinës. Dhe paralel me “Albania” është numri “1”. Që do të thotë se Shqipëria ka akredituar “1” gazetar.
Ky njeri ishte Anton Mazreku, futbollisti i dikurshëm i “Studente Shkodra”, por sidomos i Skenderbeut të Korçës, drejtori dhe një nga themeluesit e gazetës “Sporti Shqiptar” më 28 nëntor 1935, kryetari i Federatës Sportive Shqiptare (1945), botuesi i gazetës “Sporti” (1945), zëvendëskryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar (1958), zëvendëskryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (Mbasluftës), inspektori i FSHF, radiokronisti i madh, madje themelues i radiokronikës së parë, qysh më 1938.
NE FOTO: Ministri i Arësimit Nush Bushatu që kryesoi praninë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Berlinit 1936.
E kemi ndreruar përmes themelimit të Çmimit tonë “Anton Mazreku” me synimin për t’i dhënë nxitje gazetarisë sonë të sotme sportive shqiptare. Me këto funksione, Mazrreku i paharrueshëm, shumë vite i ka kaluar në Ministrinë e Arësimit që mbulonte edhe sportet. Dhe me orë të tana me ndërgjegje të pakrahasueshme i shërbente kësaj Ministrije jo vetëm me punët e përditshme të lodhshme të zyrës, por edhe me shkrime të vazhdueshme problematike të sporteve shqiptare, siç nuk veprojnë pa pikë stepjeje shumë të ashtuquajtur “inspektorë” të ministrive tona të sotme, të cilët nuk trajtojnë e shkruajnë as edhe një problem të vetëm ministror të punëve që mbarështrojnë. Aq sa askush nuk di për ta as se çfarë sektori mbulojnë në ministritë përkatëse…
Nuk duhet harruar se delegacioni shqiptar në Berlin 1936 ka në përbërjen e tij edhe Prof. Gaqo Gogën me Prof. Irfan Tërshanën dhe me në krye Ministrin e Arësimit, Dr.Nush Bushati, të cilin e prêt deri dhe Hitleri në një bisedë prej rreth 40 minutash, madje!
Olimpiada e Tokios 1964: futbollistët – olimpistë e parë shqiptarë dhe themelimi i KOKSH
Kështu pra, në thelb Shqipëria nuk ka marrë pjesë për të herë të parë për Lojërat Olimpike më 1972, por më 1963 përmes turneut paraolimpik të futbollit. Eshtë e vërtetë se Shqipëria shumësportive ka marrë pjesë për herë të parë në Olimpiadën e vitit 1972, pra në ditët e përbashkëta, si të thuash, shumështetëshe e polisportive. Por pjesëmarrja e parë e Shqipërisë saktësisht i përket vitit 1963 në kuadrin e Lojërave Olimpike të Tokios.
E vërteta është se nga 1936 deri më 1958 për bukur 22 vjet Shqipëria nuk e ka shqiptuar “olimpizmin”. Kjo i ka ndodhur vetëm Shqipërisë, e cila vetëm 14 vjet mbas Luftës së Dytë, ia ka arritur të themelojë Komitetin e saj Olimpik. Dhe 23 nëntori 1958 është dita kur është themeluar Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, në një prej periudhave më të çuditshme të forcimit të asaj që quhej Republika Popullore e Shqipërisë e Regjimit Komunist, nën mbulesën e sovjetizimit të papamë të jetës shqiptare. Madje në të gjitha kahet e saj. Ishte një themelim i vonuar, kur kujton se vendet e tjera, të të ashtuquajturit Kampi Socialist, të shndërruar në vende komuniste mbas Luftës së Dytë Botërore, i kishin themeluar Komitetet e tyre Olimpike Kombëtare prej kushedi sa kohësh: Hungaria më 1895, Rumania më 1914, Polonia më 1919, Çekosllovakia më 1919, Bullgaria më 1923. Kësioji, Shqipëria ishte e fundit, por bëhet pjesë e “treshes komuniste” të cilat e kishin themeluar Komitetin e tyre Olimpik Mbasluftës: BRSS dhe RDGJ më 1951 dhe Shqipëria në fund, më 1958.
Më 13 maj 1958, në Tiranë me praninë e udhëheqësve të PPSH Enver Hoxha, Beqir Balluku, Liri Belishova, Manush Myftiu dhe Ramiz Alia ishte mbajtur Konferenca e Parë Kombëtare e BFSSH (Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë), organizatë që themelohej kështu për herë të parë dhe që do të jetë organizata sportive e Regjimit deri më 1991. Dhe kur mbërrin nëntori 1958, nën tonet e përkujtimit pompoz të 41-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, disi papritmas, proklamohet pra, themelimi i Komitetit Olimpik Shqiptar (sot KOKSH), i cili zgjedh kryetar të tij Vasil Konomin, funksionar i PPSH, por një atlet kampion i viteve ’30, figurë e respektuar e sportit shqiptar. Më 1932, në Kampionatin e 4-t Kombëtar të Atletikës së lehtë, nën fanelën e SK Vlorës, ai fiton titullin e Kampionit Kombëtar të Shqipërisë në hudhjen e topit me dorezë (çekiçi i kohës) me 38.35 metra dhe është rekordmen kombëtar, titull dhe rekord që do t’ia rrëmbente më 1933 (40.56 metra) as më shumë e as më pak, përveçse ai që do të bëhej piktori i madh europian Ibrahim Kodra, i cili merr pjesë nën fanelën e klubit “Kosova” të Kukësit. Dhe siç kam thënë edhe herë të tjera është mëkat që KF Kukësi i sotëm nuk i rikthehet emrit të tij të parë “Kosova” e Kukësit.
Konferenca miraton ndërkaq, statutin e KOKSH të RPSH, dhe shpejt e shpejt bën zgjedhjet e një komiteti prej 19 vetësh thuajse të paqortueshëm për periudhën paksa liberale të mbas Kongresit XX të PK të BRSS, të përbërë nga këta 19 anëtarë të parë:
Anton Mazreku, Avni Zajmi, Bujar Hoxha, Dashuri Gjerazi, Dervish Lisi, Enver Muriqi, Evgjeni Kote, Ibrahim Dizdari, Isuf Dashi, Koci Zengo, Minella Kapo, Osman Palushi, Petrit Murzaku, Refik Resmja, Sotir Polena, Telat Verzivolli, Vasil Konomi, Vasil Prifti, Vasil Naqi.
I ribotoj, madje sa për përmirësim (“historia rishkruhet sepse dalin fakte të reja”, thotë sentenca e njohur) sa dhe për shkruesit e pandërgjegjshëm, që shtrembërojnë teksa shkruajnë për historinë kombëtare sportive në këmbë pa e njohur ate. (Ndërsa ajo ndërkombëtare sot kopjohet pa pikë zori prej internetit.).
Ndërkaq, disi papritmas. më 10 qershor 1959, opinioni sportiv shqiptar është informuar se kryetari i Komitetit Olimpik të Republikës Popullore të Bullgarisë, gjenerali Stoicheev – njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO) – i kishte dërguar një telegram Komitetit Olimpik Kombëtar të Republikës Popullore të Shqipërisë që përmbante vetëm këto 11 fjalë: “Komiteti Olimpik Shqiptar u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Urime. Përshëndetje. Gjeneral Stoichev”.
Ndërkaq, i nderuari Vasil Konomi – e ai ka qenë në krye të sportit shqiptar nga viti 1958 deri më 11 gusht 1965 – do të mbesë në historinë tonë sidomos për pjesëmarrjen e dytë befasuese të Shqipërisë në një Olimpiadë. Më 17 gusht 1960 në faqet e shtypit të kohës shfaqet ky njoftim: “Një delegacion i vendit tonë do të marrë pjesë në Sesionin e 57-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, përmes të cilit njoftohet se:
“Me ftesën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), një delegacion i vendit tonë do të marrë pjesë në Sesionin e 57-të të KON-it, që do të mbahet në Romë prej datës 20-24 të këtij muaji. Delegacioni kryesohet nga shoku Vasil Konomi, kryetar i Komitetit Olimpik të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Kështu mbas bukur 24 vjetëve, qysh nga 1936, krejt papritmas Shqipëria bëhet e pranishme në Lojërat Olimpike të Romës!
Dhe prap përsëris për deformuesit: pjesëmarrja e parë e Shqipërisë me sportistë dhe sporte për Lojërat Olimpike ka ndodhur pra për herë të parë më 2 qershor 1963 kur Shqipëria luan dy ndeshjet paraeliminatore për Turneun Olimpik të futbollit të Lojërave të Tokios 1964!
Nga “Libri i Kombëtares”, shkëpus këte kalim:
“…Më në fund! Eshtë 2 qershor 1963 dhe ja për Olimpiadën e Tokios Shqipëria – Bullgaria dy herë humbje 0-1 me trajner bash Loro Boriçin, i cili kishte kryer dhe një specializim teknik pikërisht në Bullgari. Eshtë Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Bullgarisë nën emrin “Olimpike” e Boriçi vetvetiu ishte bërë themeluesi i saj për Shqipërinë. Nga njëra anë ai ka Maliqatin, Deliallisin, Krajën e Resmjen – të vetmit që e kishin veshur fanelën e Kombëtares në ndeshjen e harruar të RDGJ-së më 1958 – e nga ana tjetër 8 debutues – talente të mëdha të cilët përzgjedhja e pagabueshme e Loro Boriçit, i kishte sjellë në skuadrën e kuqezinjve të Shqipërisë: Skender Halili, Ali Mema, Lin Shllaku, Mehdi Bushati, Lorenc Vorfi, Robert Jashari, Panajot Pano, Gëzim Kasmi. Përballë tyre ishin yjet më të ndritshëm të Bullgarisë të tillë si Najdenov, Vucov, Shalamanov, Gaganelov, Rankov.
Humbjet vejnë në tehun e kritikës skuadrën dhe trajnerin Loro Boriçi, edhe pse ky i kishte dhuruar Kombëtares së Shqipërisë një grup protagonistësh shumica e të cilëve shpejt do të shkruanin ngjarje të bujëshme të historisë së Kombëtares. Loro Boriçi, tashmâ trajner edhe i Partizanit, të cilit i jep titujt e kampionit më 1963 e 64, e drejton madje edhe në fitoren e parë shqiptare në Kupën e Kampioneve, ate Partizani – Spartak i Plovdivit 1-0. E në dhjetorin e 1963 është po Boriçi njeriu që udhëheq këte Partizan në medaljet e argjenta në turneun e ushtrive të vëndeve komuniste në Hanoi, një mrekulli e vërtetë: 2-1 CDNA-së, 4-0 Honvedit, 3-1 Fortvertsit, 1-0 përsëri Honvedit. Duket se është një kulm i tij…”.
Shqipëria – Bullgaria e vitit 1963 (0-1, 0-1) është absolutisht pjesëmarrja e parë olimpike e Shqipërisë me sportistë dhe në gara olimpike, që janë pra, këto dy ndeshje me Olimpiken e Bullgarisë për Lojërat Olimpike të Tokios 1964. U fiksuan kështu olimpistët e parë shqiptarë, ndonëse pa ia arritur që të udhëtojnë për në turneun fundor (finalet) të një Olimpiade:
Sulejman MALIQATI, Fatbardh DELIALLISI, Skender HALILI, Miço PAPADHOPULLI, Ali MEMA, Lin SHLLAKU, Lorenc VORFI, Mehdi BUSHATI, Robert JASHARI, Panajot PANO, Refik RESMJA, Gëzim KASMI, Kolec KRAJA, Pavllo BUKOVIKU, Thoma DURO. Trajnerë: Loro BORIÇI dhe Myslym ALLA.
Kjo është historia e debutimit olimpik të Shqipërisë, në gara e ndeshje..
Olimpiada e Mynihut 1972: Shqipëria merr pjesë edhe në futboll e basketboll
Kështu pra, mbas pjesëmarrjes së parë olimpike me Skuadrën Kombëtare Olimpike të futbollit për Lojërat e Tokios 1964, papritmas Shqipëria do t’i kthehet Olimpiadës së Mynihut 1972. Do ta niste kësaj rradhe me dy sporte: futbollin dhe basketbollin, madje në këte të fundit edhe për femra.
E pafat në dy ndeshjet me Olimpiken e Rumanisë (dy humbje 1-2), për shkak edhe të emrave të mirënjohur të futbollit rumun si Tataru, Dinkuca, Jordanesku, Dumitresku apo Dumitru. Ndonëse përsëri ishte një Shqipëri e Loro Boriçit me Dinella, M.Gjika, Berisha, Dhales, Ziu, Cani, R.Rragami, T.Vaso, Kasmi, Sejdini, Bizi, Çeço, Pano, Zhega, Pernaska, Leshteni, A.Janku.
Po kështu edhe në turnetë olimpikë të basketbollit, ndonëse një paraqitje më shumë se dinjitoze. Flasin vetë rezultatet, ndonëse humbje: Belgjika – Shqipëria 83-82, Holanda Shqipëria 84-81! Pavarësisht nga rezultati i Çekosllovakia – Shqipëria 88-69, kur dihej se kjo Çekosllovaki mbas pak do të ishte në 8 më të mirat e Olimpiadës në Munih.
Janë ndeshje të një pjesëmarrje olimpike të Shqipërisë, pikërisht për Lojërat e Mynihut 1972, madje para qitësve e peshëngritjes që na përfaqësojnë më mbas në ditët e kësaj Olimpiade.
Për hir të së vërtetës ato kanë qenë ndeshje që i bëjnë nder basketbollit shqiptar! Emrat janë për ne të pashlyeshëm:
Vaso Shaka, Agim Fagu, Kushtrim Zaçe, Bujar Shehu, Kujtim Kasmi, Nikolin Pali, Viktor Papavangjeli, Kastriot Mushi, Roland Topalli, Rahmi Rusi, Spiro Shano, Nusret Reka. Nën drejtimin e trajnerit të ditur e themelues të trajningut modern te ne, Fehti Borova,
Ai që injoron, madje që e zhduk këte pjesëmarrje dhe këta sportistë bën një punë të dëmshme, shuan historinë e vërtetë dhe të saktë olimpike të Shqipërisë. Duhet ndalë.
Befasia tjetër është se në atë maj 1972, në turneun olimpik për femra të Halle-s në RDGJ, papritmas shfaqet Shqipëria. Natyrisht humbje me RDGJ dhe Hungarinë dhe vetëm me 2 pikë (54-56) me Danimarkën. Dhe e papritura për urim: fitore e Shqipërisë 64-48 me Zvicrën!
Emrat mbeten në histori, sepse kjo fitore modeste është e fitorja e parë olimpike e Shqipërisë në një sport. Mos ndoshta edhe kjo duhet zhdukur nga historia? Emrat janë po aq historikë për ne, ndonëse gati të harruar sot e kësaj dite:
Pavlina Llaci, Bukuroshe Shtiza, Artenca Tufi, Liljana Xhyra, Dhurata Xhani, Vera Dojaka, Aleksandra Ndreu, Natasha Dhimitri, Mereme Ferhati, Elida Beti, Natasha Dhimitri, Kaliopi Prifti. I drejtoi një figurë e shquar e basketbollit kombëtar, trajneri Qemal Shalësi.
Për fat të keq, disa herë, autorë të pa përvojë, të pasprovuar, jo studjues, të nxituar, të etur për të shkruar edhe tema me të cilat kurrë nuk janë marrë, dëmtojnë dashur ose padashur. Dhe iu duket se po thonë të vërteta absolute, pa iu dridhur as lapsi, as stilolapsi, as tastiera e kompjuterit edhe pse thonë rréna (gënjeshtra).
Ndodh kështu edhe ngaqë në gazetarinë tonë ne ende nuk ia kemi arritur që të formojmë gazetarët specialistë të sportit olimpik. Ndoshta edhe ngaqë Shqipëria është tejet episodike në Olimpiadat dhe për to ne shkruajmë vetëm një herë në katër vjet, pra vetëm kur vjen Olimpiada. Kësaj radhe për fatin e keq, shkruajmë edhe kur shtyhet Olimpiada!…
Mynih 1972: rekordmeni olimpik dhe kampioni i Botës Ymer pampuri
Me sa duket shkruesit e padenjë, mbas kritikave tona të vazhdueshme janë bindur tashmã se Ymer Pampuri nuk është Kampion Olimpik, siç gënjenin tash e parë! Madje, si studjues i këtyre punëve, që shpesh më fort se ndonjë zotësi të veçantë, kërkoj thjesht ndërgjegje profesionale, them se nuk është gabuar, por është bërë faj kur e quanin Kampion Olimpik. Pra ai ka thyer rekordin olimpik. Dhe nuk ka thyer “rekord olimpik në peshën e lehtë”, por në peshën e quajtur “pendë”, që i përket 60 kilogramëve, sa çka ishte Pampuri. Ndërsa “pesha e lehtë” është ajo që i përkiste 67.5 kilogramëve. Iu është mbushë mendja disave se është fort e lehtë të shkruash për sportin. Sa rëndë që na fyejnë!…
E, ndërkaq, siç shkruajnë të papërgjegjshmit, nuk ka rekord olimpik në një peshë, por ka rekorde olimpike në stile të veçantë, dikur pra edhe në tregarësh e tash në dygarësh. Kësisoji, një peshë dikur kishte 4 rekorde dhe sot ka tre rekorde simbas stileve e përmbledhjes së tyre.
Eshtë devijim nga e vërteta, madje kur edhe sot nuk shkruhet se Ymer Pampuri është renditur i 9-ti në Lojërat Olimpike. Aq më tepër që kjo ka qenë deri tash vonë renditja më e lartë olimpike e një sportisti shqiptar. Pra nëse për dike që qitësit paskan renditje, të të vijë pak rëndë që ende nuk e dike renditjen e Ymer Pampurit në vendin e 9-të. (Dhe duhej të kalonin 20 vjet që një shqiptar tjetër të renditej po i 9-ti në një Olimpiadë. Ndodhi në Olimpiadën e Barcelonës (1992) nga peshëngritësi tjetër i ynë i madh Dedë Dekaj të cilin nuk e përmend më askush!).
Historiani i famshëm amerikan, Wallechinsky, ka shkruar se “Ymer Pampuri, një klloun cirku, theu rekordin olimpik në forcë duke kryesuar në fakt pas raundit të parë për shkak të peshës së tij më të lehtë trupore. Sidoqoftë, për shkak se shkëputja dhe shtytja nuk perfeksionoheshin në Shqipëri, ai nuk mundi të renditej më tepër se respektivisht në vendin e 12-të dhe të 10-të në këto displina. Në tregarësh Pampuri u rendit i 9-ti”.
Kur ka ardhur në Shqipëri më 1992, Wallechinsky është pritur prej autorit të këtushëm në redaksinë e “Sportit”, i lumtur se kishte përfshirë në këto 4 rreshta historinë olimpike të Ymer Pampurit.
Gara është zhvilluar më 29 gusht 1972 dhe në stilin e forcës – pra jo në “peshën e lehtë“, por në stilin e forcës të peshës “pendë“ apo 60 kilogram – Pampuri arrin në stilin e forcës 127.5 kg., çka ishte Rekord Olimpik. “Sportisti shqiptar Pampuri mbrenda pesë minutave thyen dy herë rekordin olimpik”, theksote AP-ja. 27-vjeçari Ymer Pampuri arrin të thyejë rekordin olimpik të legjendarit Yoshinobu Miyake të Japonisë – rekord i vendosur prej këtij të fundit në Olimpiadën e Tokios (1964), kur dihej që japonezi i famshëm ishte fitues i medaljes së artë edhe në Meksiko.
Mirëpo, ndodh edhe mrekullia tjetër që pseudoautorët ende nuk e ditkan.
E pra, si mund të kesh kurajo të shkruash për Shqipërinë në Olimpiadën e Munihut dhe as mos të përmendësh se arritja më e madhe e atjeshme e Shqipërisë ka qenë titulli Kampion i Botës i Ymer Pampurit, ndonëse këte e ka shkruar dhjetra herë edhe autori i këtushëm, madje edhe në këte gazetë “PanoramaSport”? Ja pra, pse duhen ndalë këta “historianë“.. Ndodhi pra, që në të njëjtën kohë, Pampuri të shpallet edhe Kampion i Botës në stilin e forcës të peshës 60 kg., titull që ne do ta “zbulonim” mbas plot 29 vjetëve. Në të vërtetë, nuk do ta zbulonim ne, por Dr. Giovanni Armillotta nga Pisa, miku ynë i hershëm italian, bartës i Çmimit “Anton Mazreku”, studjues i historisë dhe gjeopolitikës, autor librash e kërkimesh me vlerë.
Lojërat Olimpike të vitit 1972 për turneun e peshëngritjes kanë qenë pra edhe Kampionat Botëror, madje ndërsa Olimpiada jep vetëm 3 medalje: të artë, të argjentë, të bronztë vetëm për renditjen si tregarësh, për Kampionatin Botëror jepen medalje për katër kampionë të botës në çdo peshë për secilin stil si dhe për tregarëshin. Eshtë mû kjo rregullore që e shpall Ymer Pampurin Kampion të Botës në stilin e forcës.
TE VERTETAT E PLOTA TE rezultateve dhe renditjeve te Sportistëve Shqiptarë NE Mynih 1971
Tash edhe një herë tjetër për të ndrequr të pavërtetat, tek janë renditjet e plota me rezultatet e ndrequra dhe emërtimet po të vërtetav të garave të Shqipërisë në Olimpiadën e Mynihut:
Karabinë e vogël tre pozicione (precizion 1×60):
* Ismail Rama i 22-ti me 594 pikë
* Beqiri Kosova i 66-ti me 587 pikë
Ishin plot 101 pjesëmarrës.
Pistoletë standard:
* Fatos Pilkati i 24-ti me 546 pikë
* Afërdita Tusha e 51-ta me 522 pikë
Ishin 64 pjesëmarrës, ndërkohë që në këtë garë konkuronin së bashku meshkujt dhe femrat!
Peshëngritje. Pesha 60 kg. Renditja medaliste përfundimtare:
- Nurikian /BUL 402.5 kg (127.5 + 117.5 + 157.5)
- Shanidze / URS 400.0 kg (127.5 + 120.0 + 152.5)
- Benedek / HUN 390.0 kg (125.0 + 120.0 +145.0)
…………………..
- Pampuri / ALB 342.5 kg (127.5 + 90.0 + 125.0)
10.Chen / ROC 327.5 kg (110.0 + 92.5 + 125.0)
11.Martinez / PUR 325.0 kg (92.5 + 105.0 + 127.5)
12.Wojnowski / POL 0.0
13.Ando / JPN 0.0
Tek është edhe renditja tjetër historike, ajo që i dha Ymer Pampurit titullin e Kampionit të Botës:
Pesha 60 kg. Stili i forcës. Renditja përfundimtare:
- Pampuri / ALB 127.5 kg
- Shanidze / URS 127.5 kg
- Nurikian / BUL 127.5 kg
Ua japim lejen t’i kopjojnë kush të mundet e kush të dojë. Dhe po e mbyll me një meritë vetjake. Më 2002 si anëtar i Komisionit Kombëtar të Pullës Postare, e kam bindur Shqipërinë zyrtare që t’i kushtonte një pullë postare Ymer Pampurit, duke e bërë sportistin e parë shqiptar për të cilin është emetuar një pullë postare. Dhe përballë shtrembërimeve dhe shtrembëruesve apo plagjiatorëve jam i detyruar të shënoj se po i pari kam zbuluar foton e Pampurit në çastin e rekordit olimpik dhe të titullit Kampion i Botës. E them thjesht për t’ia ndalë turrin pseudohistorianëve të këtyre punëve.
——————————-
NGA BESNIK DIZDARI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"