Bie pista e rikthimit të trajnerit Çela, Kastrioti asnjë sinjal për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2024 | 13:50

Bie pista e rikthimit të trajnerit Çela, Kastrioti asnjë sinjal për sezonin e ri

Kastrioti vijon të pushojë edhe pse pjesa dërrmuese e Kategorisë së Parë kanë nisur fazën përgatitore. Shumë lojtarë që mbyllën sezonin e fundit, janë larguar tashmë nga krutanët, ku mes tyre 11 titullarë kanë deklaruar se nuk do të jenë më pjesë e Kastriotit.

kastrioti stervitje

Kjo e bën më shqetësuese situatën për zëvendësimin e tyre, si për klubin edhe për tifozët e Kastriotit, që duan të dinë çfarë po ndodh me ekipin e zemrës. Situata duket se përkeqësohet më tej, kur flitet për trajnerin. Në sezonin e kaluar, ekipi u drejtua nga trajneri Ramadan Ndreu, mirëpo nga ana e klubit, ai nuk është konfirmuar dhe as larguar.

Gjatë ditëve të fundit u përfol se klubi ka arritur marrëveshje me ish-trajnerin Emiljano Çela, por për “Panorama Sport” ai tha se deri tani nuk ka pasur bisedime dhe nuk ka marrëveshje me Kastriotin. Në këtë kushte bie edhe pista “Çela” për të marrë drejtimin e krutanëve. Gjithsesi, klubi “Kastrioti” edhe në sezonet e shkuara, në momentet e fundit, ka arritur të bëjë mirë sa i takon ndërtimit të një ekipi konkurrues.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"