Bisedime me kapitenin e Iraklisit, Zizoviç: Çudi se si Tirana është ende në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2014 | 13:36

Bisedime me kapitenin e Iraklisit, Zizoviç: Çudi se si Tirana është ende në Superiore

Zizovic-dhe-Gvozdenovic-4Ridel në skenë Mladen Zizoviç, futbollist ky që para tri sezonesh ka qenë pjesë e Tiranës. “Kërcënimi” i radhës i ardhur nga FIFA kundër klubit bardheblu ka shfaqur interes edhe në Bosnjë, e pikërisht te një ish-futbollist i kryeqytetasve. Zizoviç, pasi fitoi gjyqin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në federatë, ende nuk është likuiduar plotësisht. Në total lojtarit i detyroheshin 9500 euro, por në fund të vitit 2012 ka marrë vetëm 2000 euro, në një kohë që, sipas tij, bardheblutë i detyrohen edhe 7500 të tjera. Në një bisedë me “Panorama Sport” në rrjetin social “Facebook”, mesfushori boshnjak, duke marrë shkas nga shkrimi i fundit lidhur me rastin e Heples, shfaqet i habitur si FSHF-ja dhe FIFA nuk kanë reaguar ende. Madje, ai e thotë hapur që ishekipi i tij tashmë duhet të ishte dënuar. “Më vjen habi që Tirana luan ende në Superligë, nisur nga gjithë këto paralajmërime që u kanë ardhur për borxhet. Unë personalisht kam dy vite që pres të marr paratë e mia, por ende nuk duket asgjë. Kam fituar gjyqin në Federatën Shqiptare të Futbollit, më saktë në DHZK, por ende nuk jam likuiduar. Federata më dha të drejtë, por Tirana vazhdon të luajë në Superiore dhe për këtë më vjen shumë habi. Madje, edhe vetë FIFA nuk po reagon. Me këto borxhe, Tirana duhet të kishte rënë nga kategoria. Problemi është edhe te FSHF-ja, sepse megjithëse e kam fituar çështjen, nuk po zbatohet vendimi. Është e pabesueshme”, – u shpreh Zizoviç, i cili u largua nga kryeqyteti në fillim të muajit maj të viti 2011, pas një sezoni që u vesh bardheblu. Mesfushori aktualisht është në Bosnjë dhe po luan me skuadrën e qytetit të tij, Borak Banja Luka.

FIFA “kërcënoi” Tiranën për Kameron Heple
FIFA ka “kërcënuar” Tiranën për çështjen “Heple”. Pak ditë më parë, në zyrat e klubit ka ardhur një tjetër shkresë, që i paralajmëron bardheblutë ta shlyejnë këtë futbollist. Klubi i detyrohet jo pak, por 67 mijë dollarë mesfushorit nga Bahamas. Këto parà duhet që të dërgohen në llogarinë e Kameron Heple në kohë, në të kundërt do të jenë ndërkombëtarët që do të futen në lojë. Pesë mijë franga është gjoba që rrezikojnë kryeqytetasit, veçmas shumës që duhet t’i japin lojtarit. Nëse edhe kjo faturë, e cila është e para në radhë që po krijon presion mbi bardheblutë, nuk shlyhet në kohë, do të ketë tjetër gjobë, po rreziku më i madh që i kanoset lidhet me heqjen e pikëve e deri te rënia nga kategoria.

tai(1)Kapiteni brazilian i Iraklisit, në bisedime me Tiranën
Tirana synon t’u marrë kapitenin grekëve të Iraklisit. Taianan Imbere Linhares Uelker është në planet e bardhebluve, të cilët prej ditësh kanë nisur zyrtarisht bisedimet që ai të kalojë te Tirana gjatë merkatos së janarit. Ka qenë vetë trajneri Gugash Magani, i cili pasi ka parë DVD-të e këtij lojtari, ka mbetur më shumë se i kënaqur dhe e pret atë në kryeqytet. Tashmë “topi” u kalon drejtuesve, sepse do të jenë ata që duhet të zgjidhin gjithçka, pasi çështja ka mbetur vetëm tek akordi financiar. Ai luan si fantazist dhe në fakt vetë trajneri, sikundër e deklaroi dje për mediat, tha se skuadra e tij ka nevojë për një lojtar të tillë. Tashmë bisedimet kanë nisur me menaxherin e mesfushorit brazilian, i cili në verën e 2013-ës u transferua në Greqi tek Iraklis. Madje, tratativat kanë avancuar pasi futbollisti ka vendosur edhe një çmim për veten. Ai pranon të vijë vetëm nëse do të përfitojë 4500 euro në muaj, pa përfshirë këtu bonuset. Bëhet fjalë në fakt për një element cilësor, i cili ka luajtur në nivele të larta. Taianan është 26 vjeç dhe karrierën e ka nisur në Sllovaki te FC Senek, për të kaluar më tej në 2007-ën te Gremio në vendlindje. Po këtë vit ai u transferua në Sofie, te CSKAja. Një vit më pas kaloi në Izrael te Magabi Netanja, për të kaluar me radhë në ekipe si Espaniol B, Parana, San Hoze, Grdoig. Aktualisht luan për Iraklisin, ku është aktivizuar në 22 takime dhe ka shënuar 4 gola.

Tirana-TerbuniBardhebluve u mjafton një penallti ndaj Tërbunit
TIRANA-TËRBUNI 1-0
GOLI: Muça 75′ (11-m)
TIRANA: I.Lika, Pashaj, Muça, Vrapi, Kotobelli, Karabeci, Limani, Leandro, , Çaushaj, Gilberto, Çota; Trajner: G.Magani. U aktivizuan: Çaka, Saraçi, Ciani, Sidibe, Kalari, Hoxhallari, Sina, Peposhi, Hoxha.
TËRBUNI: Xhika, Kepi, Shala, Lila, Baku, Baze, Mone, Mziu, Greca, Agastra, Marku; Trajner: V.Gjoni. U aktivizuan: Balla, Saliaj, Slillari.
KARTON I VERDHË: Agastra

Tirana ka fituar 1-0 dje ndaj Tërbunit. Ndeshja e parë testuese për këtë vit ka përfunduar në favor të bardhebluve, që pritën dje në orën 13:10 në “Skënder Halili” miqtë pukjanë. Takimi u vendos nga një penallti e kthyer në gol në të 75-n prej Gentjan Muçës, i rikthyer në fushë pas një mungesë disajavore, si pasojë e dëmtimit. Ky 90-minutësh, si prej Maganit ashtu edhe prej Gjonit, u shfrytëzua për të parë gjendjen e grupit, si edhe lojtarët e afruar rishtas. Për katër të huajt që ishin në provë, kjo përballje ishte decizive. Magani i aktivizoi që të gjithë, dhe në fund i vetmi që i la shije të mirë ishte sulmuesi brazilian, Giilberto Fortunato (i cili luajti rreth 80 minuta). Ndërsa të tjerët luajtën në pak, dhe aq i mjaftoi stafit teknik që t’i ngelë në klasë. Takimi nisi i qetë dhe me raste të pakta. Skuadrat nuk ishin në një ditë të mirë, duke qenë se nuk kanë më shumë se dy ditë që nisën punën. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa portieri Iloion Lika në asnjë moment nuk u vendos në vështirësi, pasi rastet e miqve munguan. Pjesa e dytë nisi me shumë ndryshime, sidomos te kryeqytetasit që hodhën pjesën më të madhe të stolit. Loja nisi që të ishte më tërheqëse, por golat mungonin. Sulme dhe kundërsulmet ishin të rrezikshme deri në mesfushë, kurse gjuajtjet finale ose përfundonin jashtë, ose ndaleshin nga traversa. Në të 75′ zhbllokohen shifrat. Gilberto pengohet në zonë, gjyqtari akordon penallti dhe Muça e kthen në gol. Kur mbetën edhe 15 minuta lojë, përpos ndonjë përpjekjeje, ndeshja u mbyll me të njëjtat shifra.

MaganiMagani “ngel në klasë” 3 të huaj: Qëndron vetëm Gilberto
Tre të huaj “ngelin në klasë”, dhe vetëm një brazilian, konkretisht sulmuesi Gilberto Fortunato, do të vazhdojë provën. Është ky vendimi i Gugash Maganit, fill pas miqësores së djeshme kundër Tërbunit. Trajneri sqaron se vëllai i lojtarit të Lacios, Amik Ciani, francezi Amadou Sidibe dhe braziliani tjetër Leandro Matias Moris nuk e kanë bindur, ndaj do të largohen. Në fund të takimit, tekniku për mediat sqaroi gjithçka rreth merkatos. Madje, nuk nguroi që të pranonte se një lojtar si Edgar Çani do i blindonte sulmin. Sakaq, edhe një herë deklaroi se po pret Dushkun për mbrojtjen, pasi me një lojtar si ai do të ishte edhe më i qetë për prapavijën.
Çfarë ndodh me katër lojtarët në provë pas kësaj miqësoreje?
Tre ikin, një qëndron. Gilberto Fortunaton do e shohim dhe pak, pasi mendoj që ai mund të japë diçka. Në fakt, në këtë test nuk dha gjithçka, por dihet që ishte ndeshja e tij e parë, kështu që kam shpresa. Mendimin përfundimtar e japim më tutje për sulmuesin, ndërsa të tjerët do të ikin. U kërkoj falje të tjerëve që s’i aktivizova, por ky 90-minutësh më shërbeu për të parë elementë të tjerë.
Me kontingjentin aktual çfarë ndodh, do ketë rrjedhje të tjera?
Po, do të ketë, 2-3 do ikin. Nuk marr vendime tani, pa bërë afrimet e duhura.
Me merkaton çfarë po ndodh?
Po presim Dushkun. Kam folur me të në telefon sapo mbërriti nga Amerika. Kemi probleme me ofensivën dhe kjo pjesë tashmë njihet, ndaj nga mbrojtja edhe mund të tolerojmë diçka, duke ditur që portën e kemi të sigurt. Çka do të thotë se do përqendrohemi më së shumti nga mesfusha e lart në merkato, por pa lënë pas dore edhe krahët.
Veç sulmit, çfarë kërkoni me ngulm për skuadrën tuaj?
Na duhet një fantazist në fakt.
Pamë një Tiranë me 3 mbrojtës, kështu do të luani edhe në kampionat?
Nëse do të na vijë edhe Dushku, ashtu do luajmë, me tre mbrojtës. Në këtë funksion e provova edhe skuadrën në këtë takim. Me portën të blinduar dhe mbrojtjen në rregull, tashmë do mendojmë vetëm për ofensivën.
Do ketë më prova te Tirana?
Sot (dje) e mbyllëm me prova, nuk do të ketë më. Nëse do vijnë lojtarë, ata do të jenë direkt për firmë. Dihet, ata që bëjnë diferencën.
Edgar Çani ka pranuar hapur se dëshiron të vishet bardheblu, ju e mirëprisni këtë sulmues?
Te Tirana e ka të hapur derën, është i mirëpritur. Por duhet sqaruar se unë nuk do merrem me pjesën ekonomike, por si trajner them se ai dhe lojtarë si Salihi mund të vijnë kur të duan te skuadra jonë, sepse do të na bënin realisht punë.
U vendos diçka për fazën përgatitore?
Të hënën do të nisim fazën përgatitore zyrtarisht. Do ikim jashtë, apo do qëndrojmë këtu, pikërisht në fillim të javës do jetë e qartë. Pista e Durrësit bie, ndaj nisemi jashtë të hënën, ose do qëndrojmë në Tiranë.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"