“Blindohet” Teuta, rinovojnë për një vit tjetër kapiteni dhe lojtari më i aktivizuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 11:56

“Blindohet” Teuta, rinovojnë për një vit tjetër kapiteni dhe lojtari më i aktivizuar

Ditë rinovimesh te Teuta. Ekipi durrsak do të jetë konkurrues këtë sezon në Superiore. Ndërkohë, që do të kërkojë me patjetër rikthimin në Kupat e Europës, aty ku e kanë vendin blutë. Stërvitja e djeshme nisi me të tjera konfirmime. Rinovojnë kontratën kapiteni Kotobelli dhe mbrojtësi polivalent Arsid Kruja.

teuta

KAPITENI Blerim Kotobelli do të mbajë zyrtarisht shiritin e kapitenit te Teuta edhe një sezon. Te blutë, pasi kanë konfirmuar tri largimet e para, tanimë ka nisur puna për ruajtjen e grupit. Teuta ka arritur marrëveshjen për të vazhduar bashkëpunimin edhe me një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës siç është kapiteni Blerim Kotobelli. Mesfushori që është një lider te blutë gjatë tri sezoneve të fundit, falë grintës dhe kualitetit të shfaqur në fushë, ka rinovuar kontratën me Teutën edhe për një vit. Një lëvizje tejet e rëndësishme për skuadrën dhe trajnerin Edi Martini, duke njohur cilësitë dhe eksperiencën e Kotobellit, i cili edhe në sezonin e ri do të ketë “çelësat” e mbrojtjes së durrsakëve.

Blerim Kotobelli

ARSID KRUJA- Rinovimi i radhës te Teuta, është një nga lojtarët më të dalluar, i cili firmos deri në verën e 2025. Drejtuesit kanë arritur të bindin Arsid Krujën. Mbrojtësit, të cilit i kishte skaduar kontrata në fund të këtij sezonit, do të jetë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ri dhe burime për “Panorama Sport” pranë kampit blu pohojnë se Krujës i është propozuar shtyrja e kontratës dhe palët kanë rënë dakord për të vazhduar edhe për një sezon. Kruja është pjesë e skuadrës së Teutës që nga vera e kaluar, ndërsa do të vazhdojë të luajë me blutë edhe sezonin e ri. Para se Teuta të hyjë në merkato për të afruar lojtarë, më herët do të seleksionojë pjesën e futbollistëve aktualë, të cilët do të jenë pjesë e klubit për sezonin e ri. Thuhet kështu, pasi baza e skuadrës së ardhshme do të vijojë të jetë po e njëjta dhe lojtarët që do të afrohen do t’i përshtaten grupit me të cilin blutë mbyllën këtë edicion.

Arsid Kruja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"