BOKS/ Medalje historike, Adam Maca merr argjend në Botërorin U-16

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2023 | 16:14

BOKS/ Medalje historike, Adam Maca merr argjend në Botërorin U-16

Adam Maca e ka mbyllur me medalje argjendi Kampionatin Botëror të Boksit për U-16, i cili po mbahet në Jerevan të Armenisë, duke shënuar kështu rezultatin më të lartë që një boksier shqiptar ka arritur ndonjëherë në një botëror të këtij sporti. Ndonëse talenti kuqezi dha gjithçka për të fituar të artën, ai nuk ia doli që ta kalonte me sukses finalen e djeshme kundër rusit Platon Kozloz.

maca

Ky i fundit e fitoi me rezultatin 5-0 finalen e kategorisë së peshave 54-57 kg, duke bërë të tijën medaljen e artë. Gjithsesi, rezultati nënkampion bote mbetet një arritje e jashtëzakonshme për Adam Macën dhe për të gjithë boksin shqiptar, me flamurin kuq e zi që ngjitet në shkallën e dytë të podiumit në evenimentin prestigjioz të boksit për moshat. 15-vjeçari Maca, i lindur në Angli, por me origjinë nga Mirdita, është pjesë e klubit shkodran “North Boxing Albania” dhe stërvitet nga trajneri Klaodio Çekini. Ai konsiderohet si një prej talenteve më premtues të boksit shqiptar. Paraqitje e tij në Botërorin për të rinjtë në Armeni ishte thjesht, fantastike.

RRUGËTIMI PËR NË FINALE

Ecuria e Adam Macës në Kampionatin Botërori për U-16 ishte mbresëlënëse. Rrugëtimi i boksierit shqiptar në këtë aktivitet nisi me një kalimin e turit të parë me short. Më tej në turin e dytë, Maca mposhti uzbekistanasin, Pahlavonjon Ibrohimov, me rezultatin 5-0, duel i zhvilluar më 28 nëntor. Më pas më 30 nëntor, Maca kaloi me sukses çerekfinalet, teksa triumfoi me KO në raundin e dytë kundër bjellorusit Tsimor Siankevich, duke tregua një teknikë dhe një nivel shumë të lartë boksimi. 15-vjeçari mahniti edhe në gjysmëfinalen e zhvilluar më 1 dhjetor, duke mposhtur me rezultatin 5-0 kundërshtarin nga Afganistani, Amanollah Sahak, për të prerë biletën historike për në finalen e madhe.

REKORDI 

Alban Beqiri, më i suksesshmi për të rritur

Rezultati më i lartë që një boksier shqiptar ka shënuar në një Kampionat Botëror në kategorinë e të rriturve i përket Alban Beqirit. Kampioni mbërriti deri në gjysmëfinale, duke fituar medaljen e bronzit në vitin 2021 në Botërorin e zhvilluar në Beograd, për të ngjitur flamurin e Shqipërisë, për herë të parë në histori, në podiumin më prestigjioz të këtij sport

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"