Burreli ndan rrugët me trajnerin Hima dhe 3 lojtarë, Patrik Fetaj pret rinovimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2024 | 18:56

Burreli ndan rrugët me trajnerin Hima dhe 3 lojtarë, Patrik Fetaj pret rinovimin

Mbrojtësi lezhjan, Patrik Fetaj, sipas statistikave është një nga futbollistët që ka më shumë minuta të luajtura te skuadra matjane. Në edicionin që lamë pas, Fetaj është aktivizuar në 32 ndeshje në kampionat, me 2787 minuta, ku ka shënuar dhe dy gola.

burreli

“Ishte një kampionat i lodhshëm dhe falë grintës dhe besimit të vetja, arritëm të mbijetonim”, shprehet shkurt për gazetën “Panorama Sport”, 26-vjeçari lezhjan. Siç pohon dhe vetë mbrojtësi, kontrata e nënshkruar me drejtuesit matjan është 1+1 me opsionin rinovimi, çka do të thotë se futbollisti në dakordësi me Burrelin, mund të jetë edhe në edicionin e ri futbollistik pjesë e skuadrës. “Kontratat ime me skuadrën e Burrelit është 1+1. Pavarësisht ndonjë oferte të ardhur, prioritare mbetet skuadra e Burrelit. Para marrjes së vendimit përfundimtar do të ulem në bisedime me drejtuesit e skuadrës. Gjithçka do t’ua lemë ditëve në vazhdim”, shprehet në fund të komentit të tij 26-vjeçari lezhjan, që krahas 2 golave të shënuar është ndëshkuar shtatë herë me karton të verdhë.

Largimet e konfirmuara

Burreli i sezonit të ri pritet të ketë një fytyrë ndryshe nga skuadra që mbylli kampionatin e fundit. Këtë gjë e vërtetojnë më së miri edhe lëvizjet e fundit në kampin matjan. Pas largimit të mbrojtësit Eçe Dikson, dje klubi matjan përmes një postimi në rrjetet sociale ka zyrtarizuar edhe divorcin me trajnerin Hima, si dhe tre futbollistë shkodranë. Gjetja e akordit me trajnerin Ditmar Bicaj për sezonin e ri, automatikisht përkthehet në “divorc” me trajnerin Klevis Hima. Mbrojtësi Xhulio Kapllani dhe mesfushorët Uheid Hoxha dhe Elidon Dulaj janë të larguarit e radhës nga skuadra matjane dhe të tre këta lojtarë janë kthyer në Shkodër, ku në vijim do të vendosin për të ardhmen e tyre. Klubi i ka falënderuar tre shkodranët dhe trajnerin Hima për kontributin e dhënë te Burreli në sezonin e fundit, ku arritën edhe mbijetesën në Kategorinë e Parë.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"