Burreli nis kontaktet me ish-brazilianin e Flamurtarit, e konfirmon trajneri Bicaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 18:16

Burreli nis kontaktet me ish-brazilianin e Flamurtarit, e konfirmon trajneri Bicaj

Pas emërimit të trajnerit të ri, Ditmar Bicaj në krye të pankinës matjane, kanë nisur dhe lëvizjet e para në merkato. Sipas trajnerit Bicaj, mësojmë se janë në bisedime me sulmuesin Xhonatan Silva. Sulmuesi-28 vjeçar, në edicionin që lamë pas ishte pjesë e skuadrës krutane.

xhonatan silva, flamurtari

Për trajnerin Bicaj njohja me sulmuesin 28-vjeçar, është disi e vjetër, pasi në edicionin 2022-2023 braziliani ka qenë pjesë e skuadrës vlonjate, pikërisht kur Bicaj ishte zv.trajner i kësaj skuadre. Sipas trajnerit Bicaj, merkato nuk do të ndalet këtu, pasi drejtuesit matjan janë në bisedime dhe me futbollistë të tjerë. Disa ditë më parë, në një prononcim për “Panorama Sport”, numri një i pankinës matjane pohoi se janë në bisedime edhe me dy futbollistë të akademisë së Tiranës.

“Prej kohësh jemi në bisedime me futbollistë të ndryshëm. Ndërkohë kemi intensifikuar bisedimet me ish-sulmuesin e Flamurtarit, Xhonatan Silva. Jam optimist se skuadra do të marrë formën e duhur për të qenë e gatshme për fillimin e sezonit të”, tha mes të tjerash trajneri Ditmar Bicaj. Ndërkohë, disa futbollistë janë në pritje të uljes në bisedime me drejtuesit e klubit, për të ndarë përfundimisht fatet e tyre. Disa prej futbollistëve të sezonit të fundit prej kohësh kanë nisur përgatitjet individuale, për të ruajtur parametrat fizik. Sipas trajnerit Bicaj, skuadra do të nisë nga puna javën e ardhshme.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"