“Burreli nuk kishte alternativë tjetër”, Fetaj: Fitorja ndaj Lushnjës na jep forcë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 21:59

“Burreli nuk kishte alternativë tjetër”, Fetaj: Fitorja ndaj Lushnjës na jep forcë

Goli i shënuar në fillim të ndeshjes nga mbrojtësi lezhjan, Partik Fetaj, hapi rrugën e një fitore të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Pavarësisht triumfit të rëndësishëm ndaj Lushnjës, për skuadrën e Burrelit nuk ka qetësi.

burreli fest

Në vazhdim Burreli do të luajë dy ndeshje delikate, duke filluar nga ajo e kësaj jave ndaj Korabit në transfertë, dhe më pas, javën e fundit do të presë Apoloninë në “Liri Ballabani”. Për 25-vjeçarin lezhjan, që i rikthehet golit pas tetë muaj mungesë (Vora-Burreli 3-1), kënaqësia është jo vetëm për lojën që zhvilloi skuadra e tij, por dhe për tri pikët e marra ndaj një kundërshtari rival për mbijetesë. “Ndeshja ndaj lushnjarëve ishte për jetë a vdekje. Nuk kishim alternativë tjetër veç fitores.

Skuadra hyri në fushën e lojës mjaft e motivuar. Shënimi i shpejtë i golit na dha kurajë dhe besim duke e menaxhuar me kujdes lojën deri në fund”, tha mes të tjerash mbrojtësi, që ka vitin e parë me skuadrën matjane. Ndërkohë skuadra i është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen e radhës, që do të zhvillohet në transfertë ndaj Korabit në Peshkopi. “Fitorja e fundit na ka ngritur moralisht dhe shpresojmë që ky entuziazëm të vazhdoj gjatë. Përpara kemi një tjetër ndeshje delikate. Këtë javë do të jemi përballë Korabit që me meritë është në gjashtëshen e parë.

Do të jetë një përballje e vështirë, aq më tepër që kundërshtari po kalon një moment të mirë. Si në çdo ndeshje dhe ketë ndaj dibranëve do të udhëtojmë për të treguar se jemi një skuadër që meritojmë më tepër në renditje”, shprehet në fund të komentit të tij mbrojtësi lezhjan, Patrik Fetaj. Pas 31 javësh, skuadra matjane është me pikë të barabarta me Lushnjën, 34 të tilla dhe renditet e nënta në renditje.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"