Bushiç shkon në Malajzi: Ja pakti që arrita me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2015 | 21:57

Bushiç shkon në Malajzi: Ja pakti që arrita me bardheblutë

Tomislav Bushic në OhërTomislav Bushiç zyrtarizon “divorcin” me Tiranën. Kroati ka arritur një marrëveshje me drejtuesit e klubit për pagat e prapambetura, duke marrë kështu një herë e mirë edhe lejen e kalimit nga bardheblutë. Sulmuesi, në fakt, nuk mund të quhet lojtar i lirë në treg, pasi vetëm dy ditë më parë ka nënshkruar për një tjetër ekip. Nuk bëhet fjalë për skuadër shqiptare, por për një ekip aziatik. E ardhmja e Bushiçit për 6 muajt e ardhshëm do të jetë në Malajzi, konkretisht te Kuala Terenganu.

Një lajm të tillë e konfirmon për “Panorama Sport” vetë futbollisti, i cili dje në mesditë ishte rrugës drejt Malajzisë, atje ku të hënën ka programuar që të nënshkruajë edhe marrëveshjen. Por, përtej akordit, ai rrëfen edhe paktin që ka arritur me klubin kryeqytetas për pagat e prapambetura. Bushiç ka rrëfyer se bardheblutë i detyrohen 20 mijë, parà që do të jepen me këste në harkun e dy muajve.

“Kam arritur akordin me një skuadër të re.Pra, zyrtarisht nuk jam më lojtar i Tiranës. Me klubin bardheblu kam rënë dakord që pagesat e prapambetura të më shlyhen gjatë kohës. Konkretisht në dy muajt e ardhshëm do të likuidohem për shumën e 20 mijë eurove që më ka mbetur pa marrë. Jam i lumtur që gjithçka u zgjidh në këtë formë. Me Kuala Terenganu do të firmos ditën e hënë, tani (dje në mesditë) jam rrugës për në Malajzi. Për gjashtë muaj do të luaj me këtë ekip. Është një marrëveshje shumë e mirë financiare. Mundësia për t’u rikthyer një ditë në Shqipëri? Kurrë nuk i dihet. Vllaznia dhe Tirana janë pjesë e së shkuarës sime dhe nuk mund t’i përjashtoj për të ardhmen. U uroj suksese në sezonin e ri, pasi kam miq dhe shokë në të dyja skuadrat”, përfundoi Bushiç, i cili prej të hënës pritet që të nisë aventurë të re në Malajzi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"