Bylisi bën ndryshime, pas testit nis operacioni “fshesa”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2024 | 12:40

Bylisi bën ndryshime, pas testit nis operacioni “fshesa”

Me gjashtë zyrtarizime, Bylisi ka shtuar organikën në prag të sezonit të ri, njëkohësisht duke plotësuar edhe boshllëqet e lëna nga lojtarët e shitur, sidomos ata që vjet mbajtën peshë të rëndësishme.

bylis

Ndërkohë, në Ballsh presin ende një mbrojtës qendre dhe një sulmues goli, për ta plotësuar kështu grupin dhe të startojnë garën e Superiores. Të dy pritet që të vijnë nga jashtë me pista të mundshme Brazilin dhe Afrikën. Për t’u theksuar se ka interesim për lojtarët që janë ende nën kontratë te Bylisi, sidomos nga klube jashtë vendit. Dhe kështu që merkatoja e Bylisit duket se do të jetë e hapur deri në limitin e kohës së saj, në hyrje, por edhe në dalje.

Sot pas testit me Elbasanin në 18:00 në “Elbasan Arena”, stafi mallakastriot do të vendosë edhe për ata lojtarë të cilët nuk do të jenë në vijim pjesë e kontingjentit, por do të huazohen në klube të tjera të së Parës, apo pretendente të së Dytës që kanë kërkuar “ndihmë” te Bylisi. Në fakt një ide e ka krijuar edhe pas takimit me Apoloninë në Ballsh, fundjavën e shkuar ku të gjithë lojtarët e gatshëm patën hapësira. Ashtu edhe në testet brenda grupit, ku stafi mallakastriot ka mbajtur shënime për secilin. Me shumë gjasa javën e ardhshme, Bylisi do të vendosë dhe shtegtojë për në fazën përgatitore jashtë Mallakastrës.

INFERMIERIA- Në fakt, në një periudhë përgatitore, ndodh rëndom që jo çdo gjë të shkoj “vaj” në një ekip futbolli. Që do të thotë se te Bylisi ka ende lojtarë të dëmtuar, cilët kanë nisur përgatitjen, por ende jo me 100 për qind të ritmit. Ata kanë pësuar ndërhyrje dhe janë në fazë riaftësuese, duke theksuar këtu lojtarë si: nigeriani Hasan e braziliani i Felipe Souza, po ashtu edhe mbrojtësi Ndreu.

Natyrisht që ata po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme edhe nga stafi mjekësor, për të parë gjendjen e tyre, në mënyrë që të mos nxitohen në momentin e futjes me grupin me kohë të plotë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"