Bylisi, nigeriani Aminu bashkohet me grupin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 22:36

Bylisi, nigeriani Aminu bashkohet me grupin

Bylisi vijon periudhën e testimeve dhe ajo që bie në sy është dominimi në grup i shumë lojtarëve të rinj, kryesisht nga U-19 dhe U-21 e mallakastriotëve, por edhe ndonjë lojtar nga U-17. Nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Arben Ahmetaj, aktualisht janë 30 lojtarë, ndërsa bien në sy edhe prirjet e reja, siç janë 2-3 lojtarë që kanë ardhur nga ekipe të ndryshme moshash, apo dhe Ngene, Hasan e Marku, ndërsa pritet që grupit t’i bashkohet edhe Roland Shkreli.

BYLIS-u21

Në seancën e djeshme ka qenë me skuadrën edhe nigeriani shtatlartë, 20-vjeçari Abubakar Aminu edhe ky i rikthyer pas huazimit. Grupi ka organikë të bollshme, por që nga sa duket, ballshiotët do të bëjnë ndërhyrje sigurisht, madje ato janë imediate thuajse në çdo repart. Do të synohen 5-6 lojtarë në merkaton e verës, për këtë presidenca ka ditë që ka nisur punën. Sigurisht që prioritet do të jenë edhe elementët e rinj, që në Ballsh janë me shumicë dhe që do të kenë prioritet në skuadrën e parë. Fillimi i përgatitjeve herët, nga ana e Bylisit është bërë me qëllim që, skuadra që do të udhëtojë në fazë përgatitore, të ketë vetëm kontingjentin që do ta përfaqësojë atë në kampionatin e sezonit të ri.

Ballshiotët do të synojnë që të afrojnë elementë që të përforcojnë edhe skuadrën U-19, e cila u shpall kampione dhe do të luajë në “UEFA Youth League”. Pritet që brenda javës, në Ballsh të ketë afrime nga Nigeria dhe Brazili, por edhe ndonjë lojtar që ka spikatur në ekipet e moshave sezonin e shkuar. Fytyra e vërtetë e Bylisit me shumë mundësi do të duket pas dy javësh, atëherë kur grupi të ketë filluar që të marrë formë. Ndërkohë që së shpejti, klubi pritet që të vendosë edhe për vendin e zhvillimit të fazës përgatitore verore. Është menduar që të zhvillohet një ndeshje testi në fundjavë, dhe më shumë gjasa do të kryhet brenda grupit në fushën me bar të stadiumit “Adush Muçaj”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"