Bylisi organizon miqësore me ekipin e Superligës greke, vijnë Hasanbelli dhe Kasmollari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 17:13

Bylisi organizon miqësore me ekipin e Superligës greke, vijnë Hasanbelli dhe Kasmollari

Bylisi zhvilloi miqësoren e parë ndaj Apolonisë të premten e kaluar, të cilën e fituan me rezultatin 2-1. Duket se më së shumti ky test vlejti për të parë gjendjen e grupit me të cilët Egbo punoi për dy javë.

BYLIS APOLONIA

Pritet që Bylisi të zhvillojë edhe këtë javë miqësore, ndërsa duket se ballshiotët kanë zyrtarizuar një test luksi. Nga sa bëhet e ditur dhe siç kanë konfirmuar presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, në datën 3 gusht ballshiotët do të jenë mysafirë në Janinë, ku do të ndeshen me ekipin e PAS Janinës, që militon në Superligën greke dhe që është një ekip me traditë në shtetin helen.

Madje, krahas drejtuesve të dy klubeve, ka negociuara dhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo e shtetit grek që kanë dakordësuar për zhvillimin e këtij testi. Kishte një kohë të gjatë Bylisi që nuk luante ndeshje testuese me ekipe të shteteve fqinje dhe ky test me Janinën është një ogur i mirë në prag të startit të sezonit të ri furbollitisik.

Ndërkohë, ballshiotët së fundmi janë përfshirë në merkato, ku afruan pak ditë më parë mesfushorin Henri Sulovari, ndërsa së fundmi janë lakuar portieri Klevis Hasanbelli, si dhe mbrojtësi si dhe mbrojtësi 24- vjeçar Paulo Kasmollari. Nga burime pranë klubit bëhet me dije se të dy lojtarët kanë gjetur akordin me ballshiotët për të qenë pjesë e tyre në sezonin e ri në Superiore. Ndërkohë që në vijim, në Ballsh do të ketë edhe afrime të tjera, për të përforcuar skuadrën në prag të sezonit të ri futbollistik.

Ballshiotët nuk duan që të nxitohen edhe për faktin se vazhdojnë që të kenë oferta për lojtarët e tyre titullarë që kanë spikatur në sezonet e fundit, ndaj edhe merkato do të jetë e qetë dhe pa bërë shumë bujë, në mënyrë që kontingjenti të përforcohet në ato pika ku skuadra dhe trajneri Egbo kanë nevojë për sezonin e ri në Superiore. Bylisi rikthehet në Kategorinë Superiore pas një viti në Kategorinë e Parë, me mallakastriotët që kanë nisur një projekt, me synime të qarta për sezonin e ri mes më të mirëve nën drejtimin e Egbosë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"