Bylisi starton pa trajner, faza nis me seleksionimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 16:37

Bylisi starton pa trajner, faza nis me seleksionimet

Bylisi ka zbritur dje në fushën e stërvitjes, ashtu siç klubi mallakastriot e kishte bërë me dije edhe më parë dhe seanca e parë është drejtuar nga Arben Ahmetaj që në periudha të ndryshme sezonet e fundit ka trajnuar U-19 dhe U-21 e Bylisit, madje duke i shpallur kampion dhe ka mbi një dekadë eksperiencë në trajnimin e moshave të Akademisë së Bylisit.

bylis1li

Mallakastriotët kanë zbritur në fushën e kompleksit “Bylis”, me një numër të madh lojtarësh, ndërsa siç edhe bëhet e ditur, numri pritet që të vijë në rritje deri në fundjavë, pasi periudhat e përgatitores janë ndarë. Nuk pati ndonjë risi, me përjashtim të 2-3 lojtarëve që kishin ardhur nga ekipet e moshave të qytetit të Fierit, por që mendohet që ata të jenë pjesë e U-19. Ajo që bëri përshtypje ishte interesi i madh i tifozëve vendas.

PROGRAMI – Fillimisht do të ketë testime, ku do të shihet edhe ndonjë element me perspektivë, që më parë ka qenë pjesë e ekipeve U-19, apo U-21 në vend apo dhe të huaj të talentuar. Në një farë mënyre, nisin përgatitet, jo vetëm skuadra e parë, por edhe ajo U-21 dhe U-19 e Bylisit. Me skuadrën janë bashkuar edhe nigerianët Ngene e Hasan, i pari i huazuar në Orikum dhe i dyti i rikthyer pas dëmtimit 1-vjeçar. Pas më shumë se 6- muajve rikthehet edhe Aurel Marku që vjen edhe ky nga një dëmtim i gjatë. Bylisi e ka kontingjentin dhe baza e skuadrës së Superiores do të jetë me futbollistë si: Renato Beqaj, Aleks Peralta, Xhejson Ndreu, Marin Abazaj, Ervis Kasaj, Xhoele Maçolli, Laert Papa, Flamur Ruçi, Xhordan Lajthia, Serxhio Emini, Aboubakar Kamara, Felipe Souza.

Ndërkohë që me përjashtim të disa lojtarëve si: Buraneli, Alimerkaj, Mohamed, Akibu, Përndreca, Marku, Hasan, Skënderaj e ndonjë tjetër, pjesa tjetër e lojtarëve janë në provë, ndërsa me shumë mundësi, ata do të mbeten pjesë e U-21, U-19, apo do të ketë sërish huazime. Për dy javë, ballshiotët do të vijojnë fazën e testimeve, ndërsa në fundjavë mund të ketë edhe ndonjë test kontrolli brenda grupit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"