Bylisi fiton në transfertë, trajneri i Shkumbinit akuzon: Nuk kishte kamera, gjyqtarët bënë “kërdinë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2017 | 12:45

Bylisi fiton në transfertë, trajneri i Shkumbinit akuzon: Nuk kishte kamera, gjyqtarët bënë “kërdinë”

Shkumbini është mundur në fushën e vet përballë skuadrës së Bylisit me rezultatin 2-0, duke e startuar kampionatin me humbje. Ka qenë një ndeshje me dy tablo, ku gjatë pjesës së parë të dyja ekipet kanë qenë thuajse të barabarta në fushë, jo vetëm me lojë, por edhe me raste.

Peqin

Ndërsa në pjesën e dytë, skuadra mike ka shpalosur të gjitha vlerat dhe synimet e saj, duke arritur që të konkretizojë lojën me dy gola të realizuar me autor Buzin e Gregatin.

NDESHJA

Ashtu siç pritej, sfida ka nisur me një ritëm të shpejtë dhe u duk se shumë shpejt rezultati do të zhbllokohej. Të parët që krijojnë një rast për gol janë miqtë, të cilët me anë të Jurgen Vatnikajt rrezikojnë portën e Ajazit. Fraksioni i parë do të mbyllej me një rast për gol të miqve që godasin edhe traversën e portës së Ajazit, por pa gjetur rrugën e rrjetës.

Fraksioni i dytë nis sërish nën ritmin e miqve, të cilët shtyjnë përpara me forca të shumta. Vetëm tri minuta nga fillimi i pjesës së dytë afrikani Ntepe pengohet në zonë dhe gjyqtari akordon 11-metërsh për Bylisin. Nga pika e bardhë godet Vatnikaj, por Ajazi kupton krahun dhe bën mrekullinë duke e pritur sferën.

Shkumbini

Ky moment u duk sikur i dha hov lojës së vendësve, të cilët ndërmarrin disa inkursione sulmuese, ku në të 55-ën protagonist bëhet Nexha, i cili godet, por kësaj radhe traversa shpëton portën e Bylisit.

Në minutën e 62-të, pas një aksioni nga e djathta, topi i krosuar në zonë shfrytëzohet bukur nga Buzi, që shënon golin e avantazhit për Bylisin.

Shkumbini

Pas këtij momenti u duk sikur loja e vendësve do të ndryshonte, por në fakt ishin sërish miqtë më të qartë me aksionet e tyre sulmuese. Vetëm pas pesë minutash vjen edhe goli i dytë për miqtë, që ka për autor Gregatin. Fillimisht, portieri Ajazi fiton përballjen me mesfushorin ballshiot, por më pas Gregati e kalon topin dhe e shtyn në rrjetë dhe 2-0 për Bylisin.

BRANICA

Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Shkumbinit, Sokol Branica, u shpreh: “Së pari, më duhet të shprehem se gjykimi ka qenë shumë problematik dhe aspak serioz, teksa 11- metërshi ishte inekzistent, ndërsa edhe rastet e golave kanë qenë pozicion jashtë loje.

Branica

Mungesa e kamerave në këtë ndeshje të parë ka bërë që të mos kemi mundësi ku të kërkojmë ripërsëritje për moviolë dhe kjo siç duket është shfrytëzuar edhe nga gjyqtarët.

Dua të përgëzoj lojtarët, të cilët me mundësitë e tyre u përpoqën të shprehen në fushën e lojës, ndonëse e kam thënë se kemi nevojë për më shumë lojtarë që mbajnë peshë. Të shpresojmë në rikuperim në ndeshjen e javës së ardhshme”.

FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"