Çapja: Lojtarët t’i harrojnë paratë, ta kenë për nder fanellën e Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2017 | 12:29

Çapja: Lojtarët t’i harrojnë paratë, ta kenë për nder fanellën e Elbasanit

Hetlem Çapja është një nga futbol listët që nuk do të harrohet lehtë në Elbasan, sepse bën pjesë tek ajo plejadë lojtarësh që ishin pjesë e ekipit kampion në sezonin 2005-2006. Vetëm 23 vjeç ia doli të shpallej kampion me Elbasanin dhe të luante titullar në një skuadër të mbushur me “yje”.

Capja

Sot, 34 vjeç dhe i tërhequr nga futbolli para dy vitesh, në një intervistë për “Panorama Sport” flet për gjendjen aktuale të klubit të zemrës, Elbasanin. Sipas tij, të rinjtë duhet ta kenë nder që luajnë për këtë fanellë dhe duhet t’i lënë mënjanë problemet me paratë. Ai ka besim se skuadra do të rimëkëmbet dhe do ngrihet atje ku e meriton.

Hetlem, si ndiheni kur shihni Elbasanin e këtyre viteve të mbushur me probleme?

Normalisht që nuk më vjen aspak mirë. Jo vetëm mua që kam qenë një lojtar i këtij klubi, por të gjithëve atyre që kanë lidhje me futbollin. Është për të ardhur keq që luajnë në Kategorinë e Parë dhe nuk janë pretendentë, por shpresoj që të zgjidhen problemet.

Sipas jush, çfarë po çalon në klub?

Të them të drejtën, nuk jam në brendësi të gjërave që po ndodhin aty dhe të jap një opinion të saktë. Por, jam i bindur se ky klub i ka kapacitetet për t’u ringritur sërish, ose të paktën të mos luftojë për mbijetesë.

Problemet më të mëdha duken financiare në fakt…

Nuk është diçka e re kjo në futbollin shqiptar. Madje, u bëj thirrje lojtarëve që të japin maksimumin e tyre dhe për një moment t’i harrojnë paratë. Këtë nuk e them se nuk duhet të paguhen, por kur të hyhet në fushë të mendojnë vetëm për futbollin. Pothuajse të gjithë janë lojtarë nga Elbasani dhe ka shumë të rinj. Pikë së pari ta kenë për nder të luajnë për këtë fanellë dhe ta shfrytëzojnë mundësinë që po u jepet.

Aksionet kanë dalë në shitje dhe një kompani e huaj ka shfaqur interes për ta blerë. Si e shihni këtë lëvizje?

Jam informuar më së shumti në media dhe kam lexuar që deri tani nuk ka gjëra konkrete. Por, nuk ka asgjë të keqe nëse do të jenë seriozë dhe kanë synime për ta rikthyer klubin në nivele të larta. Mjafton të investojnë se Elbasani ringrihet shumë shpejt.

Megjithatë, aktualisht skuadra rrezikon qëndrimin në kategori. Si mund të shpëtojnë?

Duhen parë edhe mundësitë financiare fillimisht, por mendoj se kanë nevojë edhe për merkato. Është për të ardhur keq që flasim për një ekip që rrezikon qëndrimin, ndërkohë që duhet të flisnim për titull kampion. Megjithatë, një ditë jam i bindur se Elbasani do të shkojë aty ku e meriton.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"