“Çfarë shohin që thonë se u vodh titulli?”, Telushi rrëfehet në “Panorama TV”: Më uruan edhe lojtarët e Tiranës, desha që trofeun ta çonte Alban Hoxha
Bruno Telushi ishte i pari nga klubi i Partizanit që ngriti lart trofeun e 17 kampion në Superiore për të kuqtë,. Një emocion i veçantë për kapitenin të kuqve që fitoi trofeun e tij të dytë personal me fanellën e kësaj skuadre.
Emocione të cilat Telushi i ka treguar në një rrëfim në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, ku ka pranuar edhe se dëshiron të rinovojë me të kuqtë, për të vazhduar sukseset me këtë skuadër, pse jo edhe në Europë.
“Ndjehem shumë i lumtur. Më vjen mirë për titullin se është edhe numri i fanellës, edhe titulli ai me numër 17. Shpresoj të fitoj sa më shumë tituj me Partizanin dhe të bën të ndjehesh krenar.
Kam dëgjuar që ne me Tiranën nuk kemi shkuar asnjëherë me pikë të barabarta në fund. Duhet parë si shkoi sezoni, ishte i lodhshëm, i ngarkuar me stres, me të vetat dhe në fund kur e fiton të bën të ndjehesh mjaft krenar.
Ndeshje shtesë me Tiranën? Pse jo, nëse e ka thënë presidenti dhe drejtori, ne jemi të gatshëm ta luajmë.
Ndryshimi me titullin e mëparshëm? Janë dy tituj të ndryshëm sepse në atë kohë e fitoi titullin pas 26 vitesh dhe ishte kënaqësi goxha e madhe ta fitoje pas aq shumë viteve se po të shihje kënaqësinë e tifozëve që u mungonte titulli dhe ndjeheshe mirë. Por edhe tani ndjehem mirë se u largova dhe u riktheva dhe përsëri fitova titullin dhe kjo më bën shumë të lumtur dhe krenar.
Para kësaj ndeshje kam folur edhe me Albanin (Hoxhën) sepse dëshira ime ishte të ngrinte Alban Hoxha trofeun. Por e vendosëm që ta ngritja unë dhe është një përgjegjësi shumë e madhe.
Festa ka mbaruar, tani duhet të bëjmë disa ditë pushime, të marrim veten e të fillojmë sërish.
Në radhë të parë dua të falënderoj presidentin Demi që bëri të mundur kthimin tim te Partizani, stafin drejtues e drejtorin. Isha në një moment jo të mirë shëndetësor, kisha probleme me gjurin që e kisha operuar dhe u jam mirënjohës. I gjithë opinioni nuk kishin besim tek unë në fillim. Pastaj duke punuar, duke pasur besim te vetja, shokët e skuadrës, arrita që këto mendime t’ua ktheja të gjithë njerëzve dhe jam shumë i lumtur.
Por kur u ktheva kisha shokë te Partizani, kisha miq. Pjesa e stafit dhe drejtuesit e të gjithë më kanë pritur shumë mirë, si në shtëpinë time.
Ne nuk jemi dorëzuar kurrë. Kjo e bëri edhe më të bukur titullin, sepse ne asnjëherë nuk i thamë vetes tonë, apo njëri-tjetrit, në stërvitje a kafe, që ka mbaruar. Ne thjesht motivonim njëri-tjetrin, kur gjenim një nga shokët me kokën ulur apo që ishte pesimist, i flisnim dhe na bëri të besonim deri në fund.
Personalisht mendoj se edhe ikja e dy lojtarëve me peshë si Skuka e Bitri në janar bënë të vetën dhe disa momente që shumë lojtarë kishin kërkesa nga jashtë dhe i bënte pak konfuz. Ishin, si të them, me mendje gjysmë këtu e gjysmë jashtë dhe ndoshta kjo bëri që të kishim atë ngërçin në ndeshje.
Kolela gjithmonë na ka motivuar, na ka mbajtur afër, është një njeri që rri gjithmonë me këmbë në tokë, nuk është shprehur asnjëherë kundër nesh, edhe kur kemi bërë ndeshje të dobëta. Kemi qenë të bashkuar me trajneri na ka mbajtur afër dhe na ka bërë të rriteshim në çdo ndeshje.
Derbi i undit? Në atë ndeshje jemi futur për ta fituar. Shënuam një gol ashtu siç donim. Pastaj ndeshja shkoi në 1-1 dhe mbaroi barazim, por shpresat i kishim se na lejonte matematika dhe nuk është se u bëmë pesimistë, por kënaqësia ishte të fitonim derbin,
Presion kishte goxha ndaj Teutës, se ishte ndeshje shumë vendimtare, e fundit e kampionatit, që zgjidhte titullin dhe plus atmosfera në stadium ishte shumë e bukur. Nuk e kishim përjetuar asnjëherë dhe kjo të bënte të ishim pak në ankth.
Stadiumi normalisht kur ke shtëpinë tënde, është pozitive, diçka që të ndihmon shumë sidomos në kampionatin tonë. Tifozeria ka qenë në mbështetjen tonë gjithmonë, jo në numër të shumtë, por ata që janë tifozë me zemër i kemi mbrapa e të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë.
Unë jam një njeri që shoqërohem me të gjithë por e përditshmja ime, që jam pothuajse çdo sekondë në klub, është me Muratajn e Rrapajn. Por Murataj është shoku më i ngushtë.
Normalisht shiriti ka peshën e vet, por unë edhe me shiritin, edhe pa të, jam një njeri që mundohem të flas sa më shumë e të marr përgjegjësitë e mia. Çunave u kam folur jashtëzakonisht shumë dhe i falënderoj se më kanë dëgjuar e mbështetur, edhe në ndonjë ngritje zëri më kanë vlerësuar siç e kam bërë me zemër.
Skuka e Bitrti? Kanë qenë dy lojtarë që ata fazat e para kanë bërë shumë mirë, si Skuka në sulm, edhe Bitri në mbrojtje, munguan goxha, sidomos të ndeshjet e para. Ne patëm një ngërç se ishin pika të forta. Por me kalimin e kohës, të ditëve, filluam të punonim çdo ditë në stërvitje, me trajnerin që të bëhej më e lehtë kjo pjesë dhe arritëm që t’i zgjidhnim. Në sulm klubi mori përforcim si Mba. Nuk dua të bëj krahasime mes tij dhe Skukës. Ndërsa në qendër të mbrojtjes kalova unë nga mesfusha. Kam bërë mirë besoj, ka pasur edhe momente jo të mira për shkak se nuk është roli im, por jam munduar të jap maksimumin dhe besoj se ia kam arritur deri diku.
Bitri erdhi të festonte me ne se mbaroi kampionatin dhe e kish të mundur, ndërsa Xhulio është e kundërta dhe është në kampionat e stërvitje e nuk mundi. Kemi folur me të dhe na ka mbështetur shumë, Besoj se është mërzitur shumë që nuk ishte se e shprehte në fytyrë e si fliste. Por ishte i emocionuar dhe i gëzuar për këtë titull.
Vazhdim te Partizani? Mendoj se po, kontrata ime mbaron tani në korrik, kam shumë, shumë dëshirë të rinovoj dhe pse jo, ta mbyll karrierën te Partizani.
Egnatia? Është një ekip i mirë. Do më vinte mirë nëse do të ecnin në Europë se kam shokë që flasim e takohemi dhe mendoj që edhe potencialin e kanë për të bërë diçka të mirë.
Deklarata e Dabullës? Nuk e di si ta them që kjo pjesa e të vjedhurit… Çfarë shohin? Çfarë u vodh? Dabulla ka qenë një ish-lojtar i Tiranës e normalisht do të mbrojë Tiranën.
Me penalltia me Vllazninë? Nuk e kam parë këtë ndeshjen me Vllazninë parvjet. Por që në fund, gjithsecilit i dhimbset shumë kampionati kur e humb në ndeshje të fundit dhe kjo gjë ndoshta opinionin e tifozerinë e Tiranës e ka bërë që të ndjejnë kështu.
Urime normalisht që kam marrë, nga ata që shoqërohemi na kanë shkruar, edhe nga futbollistë të Tiranës se kam disa shokë. Edhe unë i kam uruar për ndeshje të mira që kanë bërë.
Mendoj se do të bëjmë diçka pozitive sivjet në Europë sepse grupi është më i plotë, njihemi pak më më shumëse po bëjmë një vit bashkë me çunat dhe do të jetë diçka më pozitive se viti që kaloi apo vite të tjera”, tha ndër të tjera Telushi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"