“Çmendet” Hamdi Salihi, dopietë në Izrael. Perlë e Kapllanit, tjetër sinjal për De Biazin
Start mbresëlënës për Hamdi Salihin në Izrael. Para një jave, sulmuesi shqiptar bëri debutimin në kampionatin hebre me skuadrën e tij të re, Hapoel Akre, ndërsa dje shënoi edhe golin e parë, madje dy të tillë, duke i dhënë fitoren skuadrës 4-3 në përballjen me Ironi Ramat. Takimi nisi keq për vendësit, të cilët që në minutën e 10-të e panë veten në disavantazh falë golit të Haxhiç. Madje në të 19-ën miqtë dyfishuan me anë të Seif, por vetëm një minutë më vonë shkurtoi diferencën Raijan për ekipin e Salihit. Sakaq, Haxhiç shfrytëzoi më së miri në minutën e 44-t një penallti të fituar nga skuadra mike dhe e çoi në 1-3 rezultatin. Kështu u mbyll pjesa e parë. Në të dytën u ngjit në katedër Hamdi Salihi. Fillimisht, në minutën e 53-të, ai shfrytëzoi më së miri një top të ardhur në zonë nga inkursioni i Marinkoviç dhe me një gjysmë roveshatë në zonën e vogël, shënoi golin e dytë. Por nuk mbaroi me kaq, pasi shkodrani e ruajti edhe një tjetër gol: ishte minuta e 57-të kur Salihi u gjend në vendin e duhur dhe momentin e duhur në takimin me topin. Fillimisht gjuajtja e tij u prit nga portieri, por më pas sulmuesi arriti ta dërgojë në rrjetë. Shpërtheu stadiumi i Hapoel Akra, tifozët e të cilit nuk besonin se skuadra do mund ta kthente rezultatin. Mirëpo në minutën e 60-të Dajan shënoi edhe golin e katërt, duke i dhënë kështu fitoren Hapoel. Pas këtij goli, trajneri fuqizoi mbrojtjen, duke larguar sulmuesit, mes tyre dhe Salihin (minuta e 78-të), për të administruar këtë rezultat. Pas kësaj fitoreje, Hapoel Akre renditet në vend të 9-të me 25 pikë, por gjithsesi në zonën e skuadrave që do luajnë për mbijetesë. Në fund të ndeshjes, trajneri i Hapoel Akre, Juval Naim, e vlerësoi maksimalisht lojën e sulmuesit shqiptar. “Me Salihin në skuadër është si të kesh fituar bingon”. Kujtojmë që Salihi kaloi te Hapoel Akre në ditët e fundit të merkatos së janarit duke firmosur një kontratë për 1.5 vitet e ardhshme, pra deri në qershor të 2015-ës. Drejtuesit e këtij klubi i ofruan 150 mijë euro në sezon, shifër kjo më e larta nga gjithë të tjerat që Salihi pat marrë gjatë merkatos. Afrimi i Salihit te Hapoel Akra është konsideruar si më i bujshmi për historinë e këtij klubi modest, i cili ka si objektiv mbijetesën. Më 10 shkurt sulmuesi shqiptar bëri edhe debutimin zyrtar në ndeshjen Hapoel Akre-Hapoel Tel Aviv, 2-1.
Perlë e Kapllanit, tjetër sinjal për De Biazin
Edmond Kapllani ka treguar sërish se është në formë dhe meriton një grumbullim në Kombëtare. Durrsaku ka shënuar dje një gol të bukur në fitoren 3-2 të FSV Frankfurtit në shtëpi kundër Dinamos së Dresdenit, për javën e 21-të të Bundesligës 2. Në fakt, ekipi i Frankfurtit u gjend në disavantanzh prej një goli që në minutën e 12-të të pjesës së parë, madje edhe me një lojtar më pak, pasi në minutën e 10-të doli me karton të kuq Oumari. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, por në fraksionin e dytë të lojës, edhe pse me 10 futbollistë, Frankfurti reagoi bindshëm, kjo edhe falë Kapllanit. Ishte minuta e 54-t kur sulmuesi vërejti daljen disi të pastudiuar të portierit nga porta dhe me një parabolë nga më shumë se 20 metra e dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar shifrat me një supergol. “Ishte një nga golat më të bukur të karrierës. Nuk shquhem për gola të tillë, por tentova dhe shënova”, – ka thënë pas ndeshjes Kapllani. Sakaq, sulmuesi ishte zëvendësuar që në minutën e 74-t, teksa në vend të tij u hodh në fushë sulmuesi i ri Andrju Voten. Ky ishte goli i nëntë i Kapllanit për këtë sezon. Ndërkaq, në këtë ndeshje nuk luajti fare mesfushori tjetër shqiptar, Odise Roshi, i cili nuk po gjen hapësirë te skuadra gjermane. Kreu i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, ka pranuar ditë më parë se sulmi është në krizë, kësisoj Kapllani me golat e tij mund ta bindë italianin t’i dërgojë një ftesë për miqësoren e 5 marsit kundër Maltës.
LEONARD KARAJ