Da Silva është “lokomotiva” e trenit të kuq, shifrat flasin për të
Da Silva “lokomotiva” e trenit të kuq, shifrat flasin për të Viktor da Silva është “turboja” e Partizanit në këto javë të fundit. Braziliani ka kaluar një sezon shumë të vuajtur për shkak të dëmtimeve, por së fundmi është kthyer frikshëm pikërisht në fazën më vendimtare të vitit futbollistik.
Braziliani vetëm në katër ndeshjet e fundit ka arritur të shënojë totalin e golave që kishte shënuar në të gjithë pjesën tjetër të sezonit. Fantazisti, i cili në fakt është kthyer në një sulmues të pastër nga Kolela në këtë sezon në skemën me tre mbrojtës, ka arritur të shënojë 5 gola, duke ndëshkuar Laçin, Bylisin, Erzenin me nga një gol dhe me një dopietë ndaj Kukësit e çoi në 10 totalin e golave të shënuar dhe barazoi Xhuliano Skukën në renditjen e golashënuesit më të mirë të Partizanit në këtë sezon.
Në katër ndeshje të mbetura, Da Silva është shndërruar në një armë të rëndë për trajnerin Kolela, i cili bashkë me Mbanë ka arritur të ndërthurë një dyshe mjaft të rrezikshme sulmi. Janë dy lojtarë tërësisht të ndryshëm, të cilët plotësojnë njëri-tjetrin në perfeksion. Prova e radhës për të dy është derbi, ku kërkohet me patjetër efektiviteti nga kjo dyshe e të kuqve, pasi vetëm një fitore do të bënte që Partizani të qëndronte në valle për titullin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"