Daja e donte që te Tirana, ja sa pagoi Skënderbeu për sulmuesin e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2018 | 17:41

Daja e donte që te Tirana, ja sa pagoi Skënderbeu për sulmuesin e Apolonisë

Pritej të vinte në verë, por Skënderbeu in sistoi dhe e bëri të vetin që dje. Blerim Krasniqi është zyrtarisht goditja e parë e klubit korçar në merkaton e janarit. Sulmuesi kavajas kishte firmosur një parakontratë me Skënderbeun dhe, pasi të përfundonte këtë sezon me Apoloninë në Kategorinë e Parë, do të transferohej në Korçë.

Krasniqi

Marrëveshja e tij me fierakët skadonte në muajin maj, por duke parë vështirësitë për gjetjen e një sulmuesi që do t’i bënte konkurrencë Ali Souesë, trajneri Ilir Daja u kërkoi drejtuesve që të afronin Krasniqin që në janar. Dhe kështu ndodhi, “operacioni” u mbyll me sukses gjatë së hënës, kur dy klubet ranë dakord dhe Skënderbeu bleu kartonin.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se marrëveshja është arritur për 15 mijë euro, që shkojnë në arkën e klubit fierak. Nga ana tjetër, pas shumë diskutimesh, korçarët ranë dakord që Apolonia të mbajë 20% të kartonit të sulmuesit. Pra, në rast shitjeje të Krasniqit nga Skënderbeu në të ardhmen, fierakët do të përfitojnë 20% të vlerës.

21- vjeçari shihet si një prej qendërsulmuesve më premtues në futbollin shqiptar, teksa në pjesën e parë të këtij sezoni, në 11 ndeshje me fanellën e Apolonisë, ka shënuar po kaq gola në kampionat.

DEKLARATA – Krasniqi vizitoi dje Fierin për herë të fundit për të takuar shokët e skuadrës, ku për dy sezone e gjysmë luajti 55 ndeshje në Kategorinë e Parë dhe shënoi 24 gola me fanellën e Apolonisë. Gjatë së hënës, sulmuesi udhëtoi menjëherë drejt Turqisë, për të vijuar stërvitjen me skuadrën e re.

blerimkrasniqi2

I kontaktuar nga gazeta, Krasniqi theksoi se do të bëjë gjithçka për ta fituar këtë sfidë. “Jam i lumtur që më në fund u arrit marrëveshja mes klubeve dhe unë do të kem mundësinë të luaj për Skënderbeun. Kisha bërë një parakontratë me klubin korçar dhe mendoja se do të isha sezonin tjetër në Korçë, por aq më mirë që gjërat ndryshuan dhe tani do të jem i gatshëm për trajnerin Daja.

E falënderoj për besimin që ka tek unë, madje mund t’u zbuloj se më ka kërkuar me ngulm që kur drejtonte Tiranën. Më njeh mirë, sepse ai ka punuar edhe në Kavajë. Shpresoj që të justifikoj totalisht besimin e klubit të Skënderbeut. E di që më pret një konkurrencë e madhe, por jam gati ta fitoj këtë sfidë”, u shpreh dje sulmuesi kavajas.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"