De Biazi: A dua ta rinovoj kontratën? Duhet të më pyesë Duka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2016 | 23:30

De Biazi: A dua ta rinovoj kontratën? Duhet të më pyesë Duka

Xhani De Biazi mendon se Shqipëria mori më pak nga sa meritoi në Kampionatin Europian. Në një intervistë të gjatë për “SuperSport”, trajneri italian tha se, përveç humbjes me Izraelin, Kombëtarja është brenda objektivave në kualifikueset e Botërorit 2018.

60-vjeçari prek me radhë të gjitha temat – nga aventura në Francë te zgjedhjet e lojtarëve, nga ecuria në eliminatore tek e ardhmja e tij…

De Biazi studio

Aventura në Europian

“Duhet pasur besim se gjërat mund të bëhen realitet. Mendoj se pas vitit që kemi kaluar bashkë, i kemi nisur mirë këto kualifikuese. Me përjashtim të ndeshjes së fundit, jemi në linjë me parashikimet e fillimit. Europianin e kaluam me shumë gëzim dhe entuziazëm, dhe publiku shqiptar na ndoqi i shumtë në numër dhe me entuziazëm të madh, me qetësi, pa krijuar probleme, e jetoi si një festë kualifikimin tonë për herë të parë në Europian. Mendoj se bëmë mirë nga pikëpamja teknike, edhe pse morëm më pak sesa dhamë në fushë. Dolëm kryelartë nga ky turne.

Besoj se grupi në Kampionatin Europian ishte goxha i vështirë në të gjitha këndvështrimet. Së pari, përballeshim me një ekip që luante në shtëpi dhe ishte favorite për të fituar në fund. Jo më kot shkoi në finale. Po ashtu luanim kundër Zvicrës, që ishte një ndeshje e veçantë sepse një pjesë e mirë shqiptarësh jetojnë në Zvicër. Ishte edhe një lloj derbi mes vëllezërve Xhaka. Kurse Rumania shihej më lart se ne taktikisht, ndaj them se grupi ynë ishte ndër më të vështirët në Europian”.

Përgatitjet

“U përpoqëm ta mbanim entuziazmin siç kemi bërë përherë, me racionalitet, duke përgatitur gjithçka me hollësi, duke këqyrur me kujdes të gjithë lojtarët tanë para grumbullimit, duke analizuar të gjitha të dhënat e tyre fizike përgjatë vitit. Pastaj zgjodhëm të grumbulloheshim në Bretanjë, për të masur mundësi të ishim më të përqendruar, por edhe për të punuar në një klimë të freskët. Besoj se në këtë aspekt i kemi bërë gjërat më së miri”.

Golat e pësuar shpejt

“Na ndodhi në ndeshjet përgatitore me Austrinë, Katarin dhe Ukrainën, por edhe në takimin e parë të Europianit, kur pësuam pas vetëm katër minutash ndaj Zvicrës. Të them të drejtën, skuadra bëri mirë në fushatën kualifikuese, si në vendosjen në fushë ashtu edhe në qarkullimin e topit dhe krijimin e rasteve të rrezikshme. Pastaj, kur shkon në nivele të tilla, përballesh me kundërshtarë që kanë më shumë cilësi dhe diferencat në cilësi janë të dallueshme. Ukraina na mundi para Europianit, por nëse do të ishim ndeshur gjatë turneut, jam i sigurt se historia do të kishte qenë krejt ndryshe. Jemi një ekip që duhet të luajë përherë me përqendrim 100 për qind. Në aspektin mendor nuk duhet të tolerojmë aspak; përndryshe rrezikojmë të pësojmë gol nga çdo kundërshtar”.

Gjimshiti

“Berati është një djalosh vërtet shumë inteligjent. E kuptoi që zgjedhja ime kishte të bënte me gjendjen e tij fizike jo në maksimum, pasi nuk kishte luajtur thuajse aspak me Atalantën, përveç pak ndeshjeve të fundit. Prandaj fizikisht nuk ishte Gjimshiti që kishim parë në shtator në Danimarkë apo në ndeshjen e fundit të kualifikueseve ndaj Armenisë, ku ai ishte protagonist. Falë një shpirti të madh autokritik, e kaloi me sukses këtë situatë. Ai e dinte që ishte i rëndësishëm për ne dhe e kuptoi që zgjedhjet bëhen në të mirë të skuadrës dhe jo për t’i krijuar probleme atij.

Kurse tre të tjerët që mbetën jashtë Europianit më zhgënjyen me sjelljen e tyre. Fakti që i morëm në grumbullimin përgatitor do të thotë që i konsideronim të rëndësishëm dhe mund të ishin pjesë e kualifikueseve pasuese. Por ata vendosën të bëjnë zgjedhje të tjera dhe besoj se ne nuk humbëm asgjë”.

Rashica

“Nuk ka luajtur shumë me ne, as gjysmë ndeshje. Mund të ketë cilësitë më të mëdha të botës, por nuk ndryshonte ekuilibrat e Kombëtares sonë. Ai është i lirë të bëjë atë që do. Dikush vuri në dyshim se e kishte bërë se ishte zhgënjyer nga fakti që nuk u thirr në Europian, por pastaj pashë intervistën ku thoshte që edhe nëse shkonte, do të zgjidhte vendin. Është një zgjedhje personale që ka të drejtë ta bëjë çdokush”.

Salihi

“Ishte një lojtar i rëndësishëm në vitin e parë, kurse në të dytin luajti pak. Por mënyra se si ne e shohim futbollin, e bën të vështirë të dalin në pah cilësitë e Hamdiut. Ai në zonë është i shkëlqyer, akrobatik, një lojtar që nuk ka nevojë për shpjegimet e mia. Por vizioni ynë është të bëjmë një futboll të një cilësie tjetër.

Goli i tij ndaj Norvegjisë është shumë i bukur dhe fryt i një pune në stërvitje. Më pas, të njëjtën gjë bëmë edhe ndaj Francës, kur Mavraj gjuajti jashtë. Mendoj se gjëja kryesore është t’i çojmë lojtarët të gjuajnë në portë”.

Ndryshimet e sulmuesve

“Futbolli është dinamik, zgjedhjet bëhen në varësi të dëmtimeve, formës së lojtarëve përshtatshmëria. Këto janë gjërat mbi të cilat ne punojmë, pastaj secili bën kritika. Sadiku vinte nga dëmtimi në fillim. Por është një lojtar që ka shumë cilësi, sakrifikohet për skuadrën, ka nuhatje. Më pëlqejnë shumë edhe Cikalleshi e Balaj, janë lojtarë që duhen marrë në konsideratë. Ua kam thënë edhe atyre se kam më shumë besim tek ata sesa kanë ata për veten. Ky është një nga problemet që i kufizon; nëse përmirësohen në cilësi, mund të shkojnë më larg”.

Ndeshja me Zvicrën

“Edhe për shkak të emocioneve të minutave të para, bëmë një gabim pas katër minutash në një goditje këndi. Pastaj bëmë një ndeshje të mirë edhe kur mbetëm 10 kundër 11.

Çfarë të mendoja te kartoni i Canës? Që ishte i gabuar? Ndodh që gjatë ndeshjes një mbrojtës të bëjë një faull për të ndaluar një kundërshtar, por i kuqi na bëri të luajmë në inferioritet, gjë që nuk na ndihmoi. Por duhet të them që krijuam raste për të barazuar, si ai i Gashit në fund. Por futbolli është i tillë. Zakonisht para portës Gashi nuk gabon, e ka më të lehtë ta çojë brenda. Ishte një gol që do të na sillte kualifikimin e sigurt, por ajo që më pëlqen është se skuadra nuk u dorëzua, luajti me zemër.

Reagimi i Xhakës? Duhet ta pyesësh atë. Mendoj se çdo lojtar që largohet nga fusha nuk e merr me kënaqësi. Nëse dikush del i lumtur, është pasi ka bërë tre gola”.

Ndeshja me Francën

“Askush nuk ka qejf të rrijë jashtë, por skuadra ka 11 lojtarë në fushë dhe 12 që rrinë jashtë. Janë këta që të fitojnë ndeshjet, edhe pse duket e çuditshme. E rëndësishme është ajo që tregoi ekipi. Vumë në vështirësi të zotët e shtëpisë, goditëm shtyllën dhe mund të kishim fat më të mirë. Pak minuta para fundit pësuam një gol që mund ta shmangnim nëse do të ishim vendosur më mirë.

Kur hyn në fushë e bën për të dhënë 110 për qind, pastaj ndeshjet humben a fitohen. E rëndësishme është që ti luan kundër një prej skuadrave më të forta në Europë dhe ata kishin shumë frikë. Kur shënuan golin, pashë kolegun tim që kërcente nga gëzimi sikur të kishte fituar Champions-in. Në fakt i kishte bërë gol Shqipërisë në minutën e 89-të.

Ajeti? Nuk është se u dëmtua, nuk rrinte dot më në fushë. Bashkë me Tramexanin ia kërkuam në të njëjtën kohë se si ishte. Nuk na përgjigjej. E hoqëm sepse nuk mund ta mbanim në fushë.

Veseli? Kë të fusja, një sulmues? Ishte mbrojtësi që kisha në stol, kjo është e gjitha. Problemi nuk është Veseli, por nuk u mbyll si duhej pasimi. Fajin nuk e ka një lojtar i vetëm, pasi ne mbrojmë si skuadër. Të gjithë ia vunë fajin Veselit.

Ata kishin më shumë frikë nga ne sesa mund të imagjinohet. Nuk mendoj se në të kaluarën dikush mund t’u krijonte kaq shumë probleme. Franca kishte cilësi dhe jo më kot shkoi në finale. Ne më shumë se aq nuk mund të bënim. Ndoshta mund të ishim më të zotë para portës”.

Ndeshja me Rumaninë

“Si u vendos për ta lënë Canën në stol? Vendimi ishte i vështirë, sepse e dija që ajo do të ishte ndeshja e fundit me Kombëtaren për të. Nga njëra anë duhej ndjekur zërma, nga ana tjetër logjika më thoshte që Ajeti ishte më mirë se Cana dhe e kishte marrë veten pas Francës. Ai hyri në fushë dhe bëri një ndeshje të mirë. E fituam në mënyrë të pastër, me një paraqitje të madhe dhe Lorikut iu dha mundësia të jepte kontribut edhe pse për pak minuta. Hyri me dëshirë, me vendosmëri. Nga stoli bënte tifozin, ndaj mendoj se kontribuoi.

Sadiku ishte më i miri, shënonte rregullisht. Nëse sheh golat e fundit, ishte Sadiku më i rrezikshmi, bënte gola të bukur, kishte gjendje të mirë fizike, vendoste ndeshjen, gjente hapësira për lojtarët. Pas golit? Festuam. Kur shënon në një situatë të tillë nuk ke nevojë t’i thuash gjë; është vetë i lumtur. Ua kushtoi golin shokëve që ishin në stol”.

A besonte te kualifikimi?

“Nga pikëpamja e shifrave shpresoja se mund të kishim mundësinë të kualifikoheshim, edhe pse një miku im gazetar më thoshte se me këtë situatë kishte përqindje të larta mundësie që të kualifikoheshim. Por harruam se luajtëm të parët dhe ata që vinin pas bënin llogari me atë që u nevojitej”.

Kulmi i karrierës?

“Padyshim që ishte pjesëmarrja dhe fakti që luajtëm duke treguar se ishim një skuadër që nuk zhgënjeu në fushë. Ky ishte turneu i skuadrave të vogla si Islanda, Uellsi apo edhe i yni, edhe pse nuk u kualifikuam. E meritonim të shkonim para për cilësinë e lojës dhe për atë që shprehëm në fushë”.

Ofertat dhe lajmet për Anglinë e Italinë

“Ju gazetarët shkruani për lajme edhe pse pastaj nuk verifikohen. Lajmi i Anglisë nuk është ashtu, sepse unë thashë praktikisht ‘ku ma gjen që të më thërrasë Anglia’. Ndërsa pas largimit të Kontes kishte diçka më shumë, diçka të vërtetë. Federata ishte e interesuar, por kishte problemin që isha i lidhur me Shqipërinë, nuk dëshironte për çështje respekti të prishte punë. Por e di që isha shumë afër pankinës ku tani gjendet Ventura. Por gjërat tani janë kështu, nuk kanë shumë rëndësi ato të kaluarat”.

Pushimet

“I kalova në shtëpi, pranë detit me familjen, në Sardenjë, ku kaloj çdo verë, kur nuk jam i zënë me punë. Ai është një vend ku izolohem, mendoj, lexoj, çlodhem, aq pak sa mundem”.

Kualifikueset e Botërorit dhe objektivat

“Mendoj se është një grup më i vështirë se kualifikueset në Euro 2016, sepse mendoj se Spanja është një nga liderët në botë, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Italinë, ndonëse është në rinovim me staf të ri. Por është e vështirë të mendosh se je i barabartë me këto dy ekipe. Pastaj kemi një rival që lufton me ne, Izraeli, i cili ka më shumë cilësi sesa mund ta mendosh, sepse e njohin pak. Ne i kemi studiuar mirë, e dinim që ishte skuadër e vështirë dhe duhej të bënim kujdes”.

Ndeshja me Maqedoninë

“Le të themi se kjo ndeshje ishte e vështirë se e kisha parë Maqedoninë që kishte lojtarë të mirë në mesfushë e sulm, ndërsa mbrapa kanë probleme. Ne këtu bëmë një gabim që i ktheu në ndeshje falë Alioskit, i cili po shkëlqen në Zvicër. Fakti që kaluam shpejt në avantazh, bëri që të qetësoheshim dhe e kam thënë që asnjëherë nuk duhet të ulim përqendrimin. Por e bukura ishte që mbyllëm ndeshjen me këtë fitore. Me golin e Balajt në shtëpinë e tij. Shënon ai, kualifikohemi ne, apo jo? Matematikë e thjeshtë (qesh). Ishte një fitore e vuajtur por e merituar”.

Ndeshja me Izraelin

“Ishte ndeshje shumë e çuditshme për një sërë gjërash që nuk dua as t’i përsërit. Ne vetëm duhet të bëjmë ‘mea culpa’ për golin e parë, se fjetëm me një top nga 50 metra që zuri të papërgatitur dy mbrojtësit tanë, bëmë faull për penalltinë e pastaj luajtëm me një më pak, në disavantazh. Pastaj faji tjetër është që nuk duhet të biesh pre e provokimeve, me lojtarë që na vunë në vështirësi. Kur je 9 kundër 11 dhe në disavantazh është e vështirë të kthesh këtë ndeshje. Berisha u dënua dy ndeshje? Është normale. Por shihet që kjo gjuajtje ishte e ‘dhimbshme’ dhe nëse dikush simulon si Zahavi, do e dënoja 4 ndeshje. Unë jam për ndershmërinë në fushë, situata të tilla janë veprime për t’u dënuar. Ia kam thënë bravo që aktroi. Mua nuk më intereson kush influencoi për vendimin, por duhet të kuptosh disa situata. Asistenti thirri gjyqtarin kur ne po sulmonim, ai u kthye dhe kthyem kokën edhe ne. Asistenti e thirri dhe i sinjalizoi që ta nxirrte jashtë”.

Situata në grup dhe a mund të arrihet vendi i tretë

“Kemi të njëjtat shanse që kam thënë në vigjilje, pak. Për t’u kualifikuar kemi pak, por nuk do të thotë që nuk do ta provojmë me të gjitha forcat. E kam thënë që për tu kualifikuar ishte e vështirë, por do ta provonim, nuk është e thënë që të mos e provojmë përsëri se nuk thotë askush që nuk mund të mposhtim Italinë e Izraelin. Por duhet ta bëjmë në fushë këtë gjë”.

Largimi nga stafi i Tramexanit, Bushit dhe Bogdanit

“Krahu i djathtë i ri do të jetë dikush që do të na ndihmojë, e rëndësishme është të punojmë për të vazhduar përmirësimin. Futbolli vazhdon edhe pa De Biazin, Tramexanin, këdo. Më vjen keq se kështu nuk do të kem pranë një mik të vërtetë, një njëri që i dua të mirën dhe i uroj çdo të mirë se e meriton, dhe se kishte dëshirën që pas 5 vitesh të bënte një rrugë të tijën. Në moshën 46 vjeçare duhet të fillojë, se ndryshe do ta quajnë një trajner të plakur. A më pyeti për Luganon? Pas foli me gruan foli edhe me mua, nuk dinte si të ma thoshte dhe e kuptoj. Nga ana ime kishte shtysën që të vinte në zbatim eksperiencën që kishte bërë në fushë me ne. Si për karakter apo inteligjencë, ka mundësinë të bëjë një punë të mirë duke filluar nga Lugano.

Bushi dhe Bogdani? Duket që po bëjmë një shkollë të mirë në këtë pikëpamje, mendoj se për Albanin dhe Erjonin do të jetë një mundësi e madhe. Uroj që ta bëjnë këtë detyrë në mënyrën më të mirë të mundshme, pa ndjerë peshën që ka, pasi nuk i ndihmon. Por me planin që kemi vënë në punë, me kombëtaret nga U-15 deri në U-21, kemi planifikuar një punë që mund të japë rezultate dhe ata kanë mundësinë sot të punojnë më mirë sesa ata që kanë pasur përpara”.

E ardhmja

A do të jem fundvitin e ardhshëm trajner i Shqipërisë? Varet nëse jam i lirë dhe kam kohë të kaloj këtu. Përndryshe, do të thotë që do të jem ende këtu duke drejtuar Kombëtaren. Por kam parë që trajnerit të Gjermanisë ia rinovuan kontratën për 4 vite. Ne nuk kemi arritur objektivat, ndaj vazhdojmë me kontratën e vjetër. Jemi të qetë kështu. A do ta rinovoja kontratën? Këtë pyetje duhet të ma bëjë Armand Duka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"