De Biazi fton Berat Xhimshitin në Kombëtare
Mbrojtësi shqiptar, Berat Xhimshiti, nuk u paraqit fare në fushë në ndeshjen e fundit të tij me ekipin Shpresa të Zvicrës (U- 21), e cila pak ditë më parë fitoi ndaj Letonisë (7-1). Por ai mund të luajë në të ardhmen me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë. 21- vjeçari të mërkurën ka bërë të ditur se ka marrë ftesë për ta përfaqësuar Shqipërinë. Mbrojtësi nga Tërnoci, i cili luan me Zyrihun në Zvicër, ka thënë se trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, e ka telefonuar personalisht, duke i kërkuar që ai të luajë për Shqipërinë. Por Xhimshiti i ka kërkuar De Biazit që t’i japë kohë për t’u konsultuar me familjen dhe menaxherin e tij. “Kam pasur ofertë nga Federata Shqiptare e Futbollit, si dhe kam folur edhe me trajnerin e Shqipërisë. Ai më tregoi për interesimin e tij dhe unë i jam mirënjohës. Është një kohë shumë e shkurtër për t’i kthyer përgjigje përfundimtare. I kam treguar që hëpërhë nuk mund t’i them po apo jo”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"