Debutimi në Gjeorgji, afrimet e reja tek Tirana ngrohin dyshen Shkëmbi-Ibraimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2024 | 9:16

Debutimi në Gjeorgji, afrimet e reja tek Tirana ngrohin dyshen Shkëmbi-Ibraimi

Tirana e nisi mirë rrugëtimin e këtij sezoni në turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Të këtij mendimi janë drejtuesit dhe stafi teknik i 26 herë kampionëve të Shqipërisë.shkembiNjë barazim ndaj Torpedo Kutaisit, ekip cilësor dhe në formë në kampionatin e vet, shihet me optimizëm në kampin bardheblu. Të vetëdijshëm për këtë ekip të ri, duke qenë se ndeshja e kthimit luhet në “Elbasan Arena”, kjo do të jetë edhe një avantazh për Tiranën. Të paktën, për atë që shfaqi në fushë gjatë kësaj sfide, te Tirana janë të bindur se ky ekip mund ta kalojë Torpedon për të vijuar në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Tashmë edhe analiza do të jetë më e thjeshtë, pasi kundërshtari është njohur më shumë dhe nga takimi i së enjtes, u pa që bardheblutë i kishin mundësitë dhe rastet për të përmbysur ndeshjen. Kjo, jep besimin që javën tjetër, Tirana të bindë dhe ta kalojë ekipin gjeorgjian. Për të kujtuar edhe historinë, kryeqytetasit kanë precedentë të shkëlqyer me ekipet nga Gjeorgjia, pasi në tre rastet e para kanë eliminuar dy herë Dinamo Tbilisin dhe një herë Dinamo Batumin.

LOJTARËT E RINJ BINDËN Tirana hodhi në fushë nga minuta e parë ndaj Torpedos katër lojtarë të cilët janë afruar në këto tri javë përgatitje. Në krahun e djathtë u vendos Arhan Isuf i cili përveç një gabimi në pjesën e dytë, ka lënë shije të mirë te drejtuesit. Po ashtu edhe mbrojtësi Edison Kola ka lënë të kënaqur drejtuesit e skuadrës, me Agim Ibraimin si drejtorin sportiv dhe njeriun që është marrë kryesisht me merkaton e Tiranës.

Ndërkohë, i njëjti mendim është edhe spanjollin Soler, të cilit ju besua mesfusha dhe si ndeshje e parë zyrtare në një grup të ri, të gjithë kanë mbetur të kënaqur nga paraqitja e tij. Bajroviç ishte nga fillimi në sulm dhe së bashku me Zhurmanin që u aktivizua në pjesën e dytë, Tirana vështirë se do të kërkojë sulmues tjetër, të paktën për Europën, pasi deri në fillim të kampionatit nuk përjashtohet edhe ndonjë afrim i ri në këtë repart. Gjithashtu edhe Dembele apo Prengaj kanë lënë shije të mirë te Bledi Shkëmbi. Një merkato me strategji tjetër, ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar ku dominonin emrat e njohur, këtë herë në kampin bardheblu janë të bindur se me këto afrime, edhe pse jo lojtarë të dëgjuar në Shqipëri, kanë bërë një merkato të mirë.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"