Debuton Dobjani, Tetova është i kushtëzuar në zgjedhjet e tij. Si pritet të rreshtohet Egnatia kundër Vikingurit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 14:30

Debuton Dobjani, Tetova është i kushtëzuar në zgjedhjet e tij. Si pritet të rreshtohet Egnatia kundër Vikingurit

Egnatia është nisur që dje drejt Reikjavikut, kryeqytetit të Islandës, ku nesër në orën 20:45 do të luajë aktin e parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Konferencës kundër Vikingurit.dobjaniRrogozhinasit do të mbyllin sot përgatitjet me një seancë të fundit për përshtatjen me terrenin dhe temperaturat. Në këtë transfertë ata synojnë të marrin një rezultat pozitiv për t’i hapur rrugën kualifikimit në turin tjetër. Do të jetë një transfertë mjaft e vështirë, kundër një ekipi ka ritëm në lojë, sepse është në gjysmën e kampionatit. Por misionin e kampionëve të Shqipërisë e bëjnë edhe më të vështirë largimet e fundit nga skuadra, si dhe mungesat që do të ketë trajneri Edlir Tetova.

Durrsaku i stolit të Egnatias është i kushtëzuar për këtë takim të rëndësishëm. Pasi ka humbur Sherrin dhe Ibrahimoglu, dy titullarë me peshë, si dhe Spahiun, ai do të vuajë mungesën e Zejnullait edhe në ndeshjen e nesërme. Mesfushori është i pezulluar edhe për këtë ndeshje, duke ia shtuar më shumë “hallet” Egnatias në këtë sfidë delikate.

DEBUTON DOBJANI – Duke ditur kontingjentin që ka në dispozicion trajneri Tetova për këtë ndeshje, disa lëvizje në formacion janë të detyruara. Egnatia pritet t’i qëndrojë besnike rreshtimit të saj 3-5-2, ku në portë do të debutojë Ilir Dobjani. Kavajasi ka shansin më të mirë për të qenë protagonist në fushë si titullar. Përpara tij në mbrojtje do të luajnë Dylis, Malota dhe Alijev. Nga krahët do të jenë të zakonshmit Ndreca në të majtë dhe Fangaj në të djathtë. Në mesfushë, në mungesë të Arbin Zejnullait të pezulluar do të aktivizohet Alesandro Ahmetaj, ashtu si në ndeshjen e kthimit kundër Borac Banja Lukës në Elbasan. Aleksi do të pozicionohet në vendin e tij para mbrojtjes dhe po ashtu edhe Lushkja e nis titullar këtë ndeshje.

SULMI – Egnatias duhet të bëjë një sforco edhe në sulm, ku përveç Bakajokos së dëmtuar, ka edhe mungesën e madhe të Ibrahimoglu, i cili u largua nga ekipi pas ndeshjes së një jave më parë. Xhoel dhe Kasa pritet të jenë dy titullarët e rrogozhinasve në repartin e avancuar. Duhet theksuar se Bakajoko i ka humbur të dyja ndeshjet me islandezët për shkak të dëmtimit. Ai do të bashkohet me skuadrën më 3 gusht, ndërkohë nuk është sekret fakti që drejtuesit e klubit po kërkojnë të afrojnë sa më shpejt të paktën një sulmues.

BVN

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"