Dede analizon merkaton dhe të ardhmen e tij te Tirana: Qëndron vetëm 30% e ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2013 | 12:30

Dede analizon merkaton dhe të ardhmen e tij te Tirana: Qëndron vetëm 30% e ekipit

Dede NevilTrajneri i Tiranës, Nevil Dede, i ftuar në një emision televiziv në “Ora-News”, ka folur mbi zhvillimet më të fundit në kampin bardheblu, duke analizuar gjithçka ndodh. Ai ka folur edhe për merkaton, duke u shprehur se ajo është dyzuar deri në momentin që nuk do të ketë një buxhet të përcaktuar qartë nga ana e drejtuesve. “Në këto momente është e pamundur që të flasim për merkato dhe për lojtarët që mund t’i afrohen ekipit sezonin e ardhshëm, pa pasur më parë një buxhet të miratuar për sezonin tjetër. Vetëm pasi të kemi buxhetin gati do të fillojmë edhe tratativat konkrete për të bërë merkaton”, – ka thënë Dede, i cili nga ana tjetër ka vlerësuar grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. “Gjatë kësaj periudhe stërvitore, te Tirana kam arritur të ndërtoj boshtin e ekipit për sezonin e ardhshëm futbollistik. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjithë lojtarët që janë pjesë e skuadrës do të qëndrojnë edhe për kampionatin tjetër, pasi shumica do të largohet dhe do të rri vetëm 30% e tyre”, – ka vazhduar tekniku bardheblu, i cili ka analizuar edhe humbjen e ekipit në ndeshjen miqësore. “Jam koshient për faktin se skuadra nuk është aty ku duhet. Në miqësore kemi humbur, pasi lojtarët nuk kanë treguar agresivitetin e duhur në fushën e blertë. Gjithsesi, në përbërje skuadra ka lojtarë cilësorë, të cilët duhet të punojnë më shumë për veten e tyre, por edhe për të ardhmen e klubit”, – ka pohuar Dede në intervistën televizive.
E ardhmja – Ndërkohë Dede nuk ka harruar të flasë edhe për të ardhmen e tij, duke u shprehur se mund të largohet që tani nga drejtimi i Tiranës. “Unë te Tirana nuk kam ardhur për para. Kontratën që kam me klubin e gris dhe largohem nga stoli, në rast se dikush tjetër është i gatshëm ta bëjë këtë punë më mirë se mua”, – ka vazhduar trajneri, i cili ka qenë edhe në të kaluarën në stolin e bardhebluve. “Momentalisht jemi në rrezik, por unë ashtu si i gjithë opinioni jemi të bindur se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje e shpejtë”, – ka thënë ndër të tjera numri një i stolit të bardhebluve. Tekniku edhe më parë ka pranuar se në ekipin e tij ka probleme, megjithatë është i bindur se drejtuesit do e gjejnë zgjidhjen e tyre dhe sezonin e ardhshëm futbollistik bardheblutë do të jenë pretendentë për të qenë në vendet e para të tabelës së renditjes.

Gilman Lika mbërriti dje në Arabi
Një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar, Gilman Lika, është nisur mbrëmjen e djeshme drejt Arabisë, ku pritet të luajë për klubin e Al Faislayt. Lika, i cili ka qenë një nga lojtarët më të kërkuar të kampionatit shqiptar, ka vendosur të provojë një aventurë jashtë vendit, edhe për shkak të ofertës të mirë që drejtuesit e atjeshëm i kanë dhënë. Mesfushori shkodran pritet të firmosë një kontratë prej dy vitesh, në bazë të së cilës do të përfitojë jo pak, por plot 500 mijë dollarë, shto këtu edhe premiot apo bonuset e ndryshme. Futbollisti pritet të ketë një takim me drejtuesit më të lartë të klubit dhe më pas të zhvillojë edhe testet mjekësore e gjithçka duhet për t’u bërë pjesë zyrtarisht e klubit. Sezonin e shkuar Lika u aktivizua te skuadra e Tiranës, ndërsa luajti edhe dy ndeshje në Ligën e Kampioneve me Skënderbeun.

Bardheblutë vazhdojnë kontaktet në merkato
Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, edhe pse shprehet se nuk mund të zhvillohet një merkato pa pasur më parë një buxhet, vazhdon kontaktet me disa prej lojtarëve që luajnë në Kategorinë Superiore. I bindur se situata në kampin bardheblu do të rregullohet shumë shpejt, trajneri ka bërë edhe piketimet e para të futbollistëve që dëshiron t’i ketë në skuadër sezonin e ardhshëm. Bardheblutë kanë në gjirin e tyre disa lojtarë me eksperiencë, megjithatë në skuadër nevojiten ende përforcime cilësore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"