Dede te Elbasani, prapaskenat e një rikthimi. Do ketë dorë të lirë në merkato
AF Elbasani do ta tentojë elitën me Nevil Deden në pankinë. Nuk ka më dilema, është 48-vjeçari trajneri i ri i verdhebluve. “Panorama Sport” e kishte paralajmëruar se zyrtarizmi ishte çështje orësh dhe ashtu ndodhi. Prej mbrëmjes së të premtes, ishmbrojtësi është zyrtarisht në “timonin” e ekipit të sapongjitur në Kategorinë e Parë.
Ai kthehet pas 18 vitesh në Elbasan. Në një tjetër rol, por me të njëjtin mision: të bëjë historinë. Nëse në sezonin 2005- 2006 si kapiten i KF Elbasanit ngrinte trofeun e dytë në histori si kampion për këtë klub, ndërsa tani kërkon që ta ngjisë në Superiore si trajner.
RIKTHIM PAS 18 VITESH = Ky lajm ka ringjallur edhe njëherë entuziazmin në qytet, pasi Nevil Dede mbetet një idhull i tifozërisë vendëse dhe lidhjen me këto ngjyra e ka ende të fortë, ndonëse kanë kaluar gati dy dekada. Ishte pikërisht kjo “arma” më e fortë që ndikoi në përzgjedhjen e tij në stol, ndonëse në listë ishin edhe disa kandidatë të tjerë. Emocioni që përcjell emri ish-kapitenit në radhët e verdhebluve ka ndikuar jo pak dhe në njëfarë mënyre mund të thuhet që ishte një zgjedhje zemre nga ana e klubit.
REAGIMI I ADMINISTRATORIT – Në lidhje me trajnerin e ri, administratori Marenglen Çoku tregon për “Panorama Sport” pse u zgjodh pikërisht Dede dhe objektivat që do të ketë në Elbasan. “Së pari, si klubi dhe Nevil Dede kemi ambicie të përbashkët për ta ngjitur këtë skuadër në elitë. Ky do të jetë objektivi ynë për këtë sezon dhe shumë shpejt do të nisim punën për ndërtimin e skuadrës. Ne donim një trajner të konfirmuar dhe me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe Dede e ka treguar në ekipet ku ka trajnuar përkushtimin me punën e tij. Nga ana tjetër, synimi ynë ishte të kishim një trajner që ta njohë ambientin në këtë qytet dhe Dede është një nga ata që e di mjaft mirë se sa e duan futbollin këtu në Elbasan dhe pritshmëritë që kanë”, u shpreh shkurtimisht administratori i AF Elbasanit.
DORË TË LIRË NË MERKATO – Gjëja e parë që do të bëjë Dede me të ardhur në Elbasan do të jetë përzgjedhja e lojtarëve që do të mbajnë nga edicioni i kaluar. Mësohet se vetëm disa prej tyre do të qëndrojnë, kryesisht vendësit, pasi pjesa tjetër nuk ka bindur dhe nuk do t’u rinovohet kontrata. Sakaq, do të japë dakordësinë ose jo për lojtarët që janë kontaktuar aktualisht nga klubi. Me pak fjalë, Nevil Dede do të ketë lirinë e plotë për të zgjedhur kontingjentin që i duhet për të dërguar Elbasanin në elitën e futbollit shqiptar.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"