Dëmtimet kushtëzojnë startin e Hansi Flik, mungojnë “shtyllat” e Barcelonës për javën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2024 | 9:15

Dëmtimet kushtëzojnë startin e Hansi Flik, mungojnë “shtyllat” e Barcelonës për javën e parë

Prej nëntë ditësh, Hansi Flik ka nisur nga puna te Barcelona, ndërkohë që siç ka komunikuar klubi blaugrana, prezantimi i tij pritet të jetë në ditët në vazhdim. Por fillimi në Barcelonë nuk ka qenë ai i dëshiruara nga tekniku gjerman.

barca

Këtu nuk po flasim për fazën përgatitore, sepse dihej që do të kishte mungesa të shumta për shkak të angazhimit të mjaft lojtarëve të Barcelonës në ekipet e tyre kombëtare në “Euro 2024” apo në “Copa America 2024”. Këtu po flasim për nisjen e sezonit, atëherë kur do të luftohet për çdo pikë. Trajnerit të ri të Barçës, më pak se një muaj para fillimit të sezonit të ri 2024-2025, i është “thyer” një pjesë e madhe e shtyllës kurrizore. Javët e fundit, dëmtimet janë akumuluar dhe për momentin nuk te Barcelona llogarisin nisjen e sezonit të ri në La Liga pa lojtarë si Pedri Gonzalez, Gavi, Frenki de Jong, Ronald Arauho dhe i fundit që ka dalë jashtë liste, Pablo Torre.

Barcelona ka paguar një çmim të lartë me skuadrën e saj për Europianin dhe “Copa América”, nga e cila sjell dy “viktima” të rëndësishme si Pedri dhe Ronald Arauho. Më i rëndë është dëmtimi i Arauhos, që pritet të qëndrojë për 4 muaj larg fushave. Kjo dyshe i shtohet dëmtimit afatgjatë të Gavit, i cili nuk pritet të paktën deri në nëntor. Ka më shumë dyshime me De Jong, me të cilin kujdesi është maksimal duke pasur parasysh rëndësinë e kyçit të këmbës së tij. Çështja e De Jongut e ka një kleçkë. Holandezi pësoi një tjetër dëmtim të kyçit të këmbës prillin e kaluar në “El Clasico”-n kundër Realit të Madridit.

Në fakt, pritej që ai të mund të merrte pjesë në Europian me Holandën, por kjo shkaktoi një sërë deklaratash nga trajneri holandez, Ronald Kuman, të cilat ekspozuan Barçën dhe Ksavi Hernandezin për detyrimin e Frenkie de Jongut të kthehej para kohe, duke e përkeqësuar situatën e tij. Ndaj për të nuk ka një datë të saktë kthimi. Pedri nga ana e tij që sapo kishte kapur formën e vet më të mirë në “Euro 2024” u detyrua të tërhiqej sërish pas një dëmtimi të shkaktuar nga Toni Kros në ndeshjen mes Spanjës dhe Gjermanisë.

Ai do të qëndrojë një muaj jashtë, që do të thotë se asnjëri prej të katërve nuk do të jetë të paktën në ndeshjen e parë të sezonit në Valencia.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"