Dëmtohet mesfushori Beqja në miqësore, tifozët harrohen nga Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 12:40

Dëmtohet mesfushori Beqja në miqësore, tifozët harrohen nga Flamurtari

Fabjan Beqja trondit Flamurtarin. Mesfushori 30 vjeçar ka dëmtuar hundën, duke krijuar jo pak panik për stafin teknik dhe lojtarët. “Panorama Sport”, mëson se ngjarja ka ndodhur në ndeshjen miqësore Ohrid-Flamurtari.

FABJAN BEQJA

Pas një përplasje të fortë në fushë me një kundërshtar mesfushori ka ndjerë dhimbje të shumta. Fillimisht u mendua për një thyerje të hundës dhe kjo gjë trembi jo pak stafin dhe futbollistët. Për të kryer një ekzaminim më të specializuar, futbollisti është nisur në drejtim të Tiranës, ku 30-vjeçari i është nënshtruar një grafie dhe një vizite të detajuar ku ka marrë edhe mjekimin e nevojshëm. Durrsaku gjatë këtyre ditëve ka qenë nën kontrollin e mjekëve dhe me përmirësimin e shëndetit pritet që t’i bashkohet skuadrës në fazë përgatitore. Fabjan Beqja është një lojtar shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë. 30-vjeçari erdhi në Vlorë në janar të vitit 2022 dhe nënshkroi sërish me vlonjatët edhe për sezonin 2024-2025. Më parë ka qenë pjesë e Teutës, Besës dhe Gjilanit të Kosovës.

FAZA PËRGATITORE – Si asnjë herë më parë, Flamurtari po zhvillon një fazë përgatitore larg tifozëve dhe për më tepër në heshtje të plotë. Nuk ka ndodhur asnjë herë në historinë e klubit, që tifozëve të mos u jepet informacion rreth zhvillimit të fazës dhe përgatitjeve dhe aq më tepër për ndeshjet miqësore. Asnjë informacion zyrtar nga klubi dhe as një postim në rrjetet sociale. Me sa duket, drejtori Artim Pollozhani dhe trajneri Andrea Agostineli duan të vendosin një tjetër standard nga ai i mëparshmi, por harrojnë se skuadra ndërtohet për t’u ndjekur dhe mbështetur nga tifozët.

Këta të fundit, sot nuk kanë informacione se çfarë po bën Flamurtari në Pogradec dhe se si po stërvitet. Kuqezinjve u kanë mbetur edhe katër ditë stërvitje në qytetin liqenor. Të shtunën, skuadra pritet që të mbërrijë në Vlorë. Më pas, në fillim të javës së ardhshme, udhëton sërish, por kësaj here në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të vijuar pjesën e mbetur të fazës intensive përgatitore. Vlonjatët do të jenë një muaj jashtë Vlorës, duke e zhvilluar edhe pjesën e mbetur mes Ohrit dhe Pogradecit për shkak edhe të mungesës së strehimit të “jabanxhinjve” në këtë periudhë, nga kërkesat e larta të turizmit.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"