Derbi i Bavarisë, “Allianz Arena” gati për rekord! Njihuni me statistikat e duelit Bajern Mynih-Augsburg
Bajern Mynih-Augsburg është takimi i planifikuar për të përmbyllur javën e dytë në Bundesligën gjermane.
Takimi do të luhet ditën e dielën në tempullin e “Allianz Arena”-s, e ku Kejn me shokë do të përpiqen të ruajnë trendin pozitiv si në fitore ashtu edhe të golave, pas suksesit me shifrat e pastra kundër Verderit në transfertë. Më poshtë po ju prezantojmë me disa nga statistikat më interesante nga derbi i Bavarisë.
DOMINIMI I KAMPIONËVE-Bajerni dhe Augsburgu janë të vetmet ekipe që përfaqësojnë rajonin e Bavarisë në ligën gjermane. Ato takohen për herë të 25-të ditën e nesërme, ndërsa statistikat flasin qartë, 18 fitore rekordmenët, 4 suksese për miqtë dhe 2 barazime.
TË FRIKSHËM NË SHTËPI-Në harkun e 12 dueleve si pritës krahas Augsburgut, kampionët numërojnë 10 fitore, 1 disfatë dhe të njëjtën kuotë të ndarë në “paqe”. Humbja e vetme në “Allianz Arena” në derbin e Bavarisë daton prej sezonin 2014-2015, me shifrat minimale 0-1.
ECURIA E KEJNIT-Nëse Herri Kejn do të gjejë rrugën e rrjetës edhe në “përplasjen” me Augsburgun, kuota e takimeve do të kapte serinë e 7 golave radhazi, pasi 5 i konkretizoi me Totenhemin në javën e fundit të Premier Ligës, shto rrjetën ndaj Verderit në takimin debutues.
REKORDI-Bajerni numëron 3998 pikë nga nisja e ligës vendëse dhe një fitore me shifra të çfarëdoshme do t’i mundësonte kalimin e kufirit 4000 pikë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"