Dështimi në play-off, presidenti i klubit të Kategorisë së Dytë “shkrin” ekipin: Vendim që erdhi për shkak të disa pazarxhinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2024 | 23:55

Dështimi në play-off, presidenti i klubit të Kategorisë së Dytë “shkrin” ekipin: Vendim që erdhi për shkak të disa pazarxhinjve

Dy ditë pasi KF Shkumbini shpërdoroi shansin në fazën e play off për të finalizuar ngjitjen në Kategorinë e Parë, ka reaguar presidenti Ali Kasa. Humbjen e ekipit të financuar prej tij, presidenti Kasa dhe komuniteti i Bashkisë Peqin e kanë  përjetuar jashtëzakonisht keq.

kasa shkumbini

Presidenti Kasa është trishtuar së tepërmi dhe shprehet se ndjen dhimbje të madhe në shpirt nga zhgënjimi që i la performanca e dobët e KF Shkumbinit në Play off.

“Investuam gjithçka duhet për ekipin dhe stafin gjatë këtij edicioni futbollistik. Futbollistëve dhe stafit u krijuam kushte të shkëlqyera ekonomiko-financiare .Madje grumbullimet e ekipit para çdo ndeshje u kthyen në traditë dhe rezultatet pozitive janë shoqëruar me premio. Ishim plotësisht të bindur se do ngjiteshim një kategori më lart dhe për t’i motivuar edhe më shumë futbollistët dhe stafin për arritjen e suksesit në fazën e play off vunë në dispozicion një çek me vlerë 50 mijë euro”, tha ai.

Por as kjo nuk pati efektin e pritshëm pozitiv. Në play off, fatkeqësisht jo të gjithë lojtarët kanë bindur me lojën e tyre. Madje sipas presidentit Ali Kasa, të paktën tre mbrojtës dhe dy lojtarë të reparteve të tjerë në ndeshjen e fundit me KF Luftëtarin nuk kanë respektuar aspak detyrat e ngarkuara nga trajneri i cili me shumë takt dhe zgjuarsi është përpjekur t’i rikthejë në rolet e tyre në lojë. Por ata i kanë injoruar përpjekjet e stafit teknik për të kryer detyrat e ngarkuara. Kjo situatë ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë dhe pavarësisht zëvendësimeve fitorja e kundërshtarit ishte me rezultat të pabesueshëm edhe për vetë KF Luftëtarin.

“Performanca e dobët dhe mos zbatimi i detyrave të ngarkuara nga stafi teknik në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” prej shumicës së futbollistëve të KF Shkumbinit është ngjarja më e hidhur dhe më skandaloze që kam përjetuar si financues i këtij klubi futbolli. Finishi i garës qe fatal. Kjo dyshoj se ndodhi në mos gabofsha për shkak të disa pazarxhinjve në radhët e ekipit .Këtë dyshim e përforcojnë deklarimet e trajnerit Stavri Nica i cili ka përjetuar momente të vështira drejtimi në pankinë gjatë ndeshjes ndaj KF Luftëtarit kur sipas tij disa futbollistë nuk i bindeshin orientimeve të tij.

Madje disa futbollistë kanë provokuar edhe incidente me kolegët e ekipit të tyre gjatë pjesës së dytë duke i krijuar kushte tepër favorizuese kundërshtarit dhe fundi ishte ai që askush nga ne nuk e imagjinonte. KF Shkumbini u mund thellë 0-3 për mungesë impenjimi të disa futbollistëve, loja e të cilëve u lexua qartë nga të gjithë dhe që i kushtoi shtrenjtë para së gjithash qytetit të Peqinit dhe KF Shkumbinit.

Në një situatë të tillë të krijuar për shkak të disa “pazarxhinjve” në radhët e ekipit, pas konsultimeve të shumta me stafin vendosa ta “shkrij” të gjithë ekipin. Më vjen keq që për shkak të tre, katër apo maksimumi pesë futbollistëve të “shkrijmë” një ekip por ky ishte sugjerim i stafit teknik, i specialistëve të shquar të futbollit, i bashkëpunëtorëve të mi dhe i miqve që duan që futbollit në qytetin e Peqinit t’i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm.

E kam marrë me shumë seriozitet e dëshirë fuqizimin e KF Shkumbinit dhe do e mbështes realisht fuqishëm financiarisht. Kemi hedhur hapat e para dhe kemi fituar eksperiencë të mjaftueshme për të bërë më të mirën. Dështimin nuk e kishim menduar kurrë në hapat e para të kësaj sipërmarrje, por ai do na vlejë shumë për të ardhmen. Është eksperiencë e hidhur por gjithsesi ne kemi plot arritje për të cilat kemi arsye të krenohemi. Së pari ringjallën shpresën se KF Shkumbini jo vetëm që mbijetoi kur askush nuk besonte më, por së shpejti ky klub futbolli do kthehet në një model për të gjithë.

Së shpejti do ketë një kompleks sportiv modern stërvitje, më pas vijnë surprizat e tjera. Jam i bindur se shumë shpejt para festimeve kushtuar 100 vjetorit të KF Shkumbinit nga Peqini do kemi vetëm lajme pozitive. Kjo që ndodhi është ajo që nuk dua as ta kujtoj e as ta komentoj më kurrë”, u shpreh presidenti i KF Shkumbinit, Ali Kasa.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"