Det i kuq e kunja Tiranës, fëmijët “plaçkisin” fanellat në tunel. Ja pikantet e Partizani-Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2023 | 20:03

Det i kuq e kunja Tiranës, fëmijët “plaçkisin” fanellat në tunel. Ja pikantet e Partizani-Teuta

“Panorama Sport” ju sjell momentet pi kante të ndeshjes Partizani-Teuta, si dhe të festës së kuqe për titullin kampion.

Collage Maker-30-May-2023-08-26-AM-8158

*Për herë të parë stadiumi “Arena e Demave” mbushet plot e përplot, me kapacitet prej rreth 4 mijë vendesh. Tifozë të Teutës nuk ka askund, teksa edhe në tribunën mike kanë shkuar tifozët e kuq. Ndërkohë, një numër prej rreth 200 tifozësh e shohin ndeshjen në pjesën e parkingut, në një nga tarracat e shtëpive, si dhe mbi murin rrethues të stadiumit.

*Atmosfera ndihet që rreth orës 14:30. Që në zonën e Komisariatit numër 4, rreth 3 kilometra larg stadiumit, të rritur dhe fëmijë me shaje në qafë dhe të veshur me të kuqe, ecin drejt stadiumit ose presin autobusin e linjës. Të tjerë, që lëvizin me makina, kanë zbukuruar makinat me ngjyrat e kuqe dhe shkojnë plot gëzim drejt “Arenës së Demave”.

*Sapo mbërrin në stadium ka njerëz që lëvizin me fytyra të qeshura e të tjerë të shqetësuar për të gjetur një biletë, që të jep shansin për pjesëmarrjeje në festën e kuqe. Ka nga ata që kanë rrezikuar, duke blerë një numër të madh biletash, të cilat i shesin në të zezë me çmim më të lartë se ai normal. Shumë tifozë janë në kërkim të këtyre “biznesmenëve”.

*Protokolli i Teutës pëson një ndryshim pak çaste para zyrtarizimit. Organizatorët detyrohen të tërheqin të gjitha fletët e shpërndara te gazetarët për t’i zëvendësuar me të saktat.

*Të parët që ekzaltojnë tifozërinë e kuqe janë portierët, që zbarkojnë të parët në fushë për përgatitjet para ndeshjes. Më pas vjen skuadra, e cila para se të nisë nxehjen, shkon të përshëndetet me ultrasit, të cilët i bëjnë një pritje shumë të ngrohtë.

*”Partizani Kampion”, shkruhet në koreografinë e kuqe me germa të arta, e hapur në të gjithë sipërfaqen e tribunës përballë.

*Para ndeshjes, era u zbulon një pjesë të koreografisë tifozëve të kuq. “Partizanin nuk e ndërroj”, shkruhet në atë baner.

*Në momentin kur merret vesh goli i Tiranës në Durrës, në stadium bie heshtja për disa çaste. Duhet ndërhyrja e kreut të “Guerrils” për t’i ndezur të gjithë dhe për të filluar më pas sërish kënga.

*Rrapaj shënon në të 40- ën dhe në stadiumin e kuq shpërthen festa, me dhjetëra tifozë, që zbresin në fushë dhe festojnë me lojtarët. Forcat Shqiponja zbarkojnë në fushë për të kthyer situatën në kontroll. Më pas ata qëndrojnë gjithë ndeshjen.

*Emiljano Vila, ish-lojtar i të kuqve për shumë sezone, gëzon ende dashurinë dhe mirënjohjen e tifozëve të kuq, që brohorasin emrin e tij.

*Një prej tifozëve të kuq shfaq probleme shëndetësore gjatë ndeshjes. Me ta kuptuar, mjekët e të kuqve vrapojnë me shpejtësi për të ndërhyrë. Ndërkohë, ambulanca zbarkon në kohë rekord në fushë, por ka rezultuar vetëm një gjendje momentale, pasi tifozi është çuar në këmbë dhe është rikthyer në gjendje normale.

*”Meritë e lojtarëve dhe Gaz Demit”, shkruhet në një nga pankartat e hapura nga tifozët e kuq në tribunën përballë.

*”Salutate la capolista” (përshëndesni kryesuesit), shkruhet në një tjetër banderolë të shpalosur nga tifozët e kuq.

*Qirko pëson një dëmtim, që e detyron të dalë nga fusha e lojës. Ishte ai, që i ndaloi për shumë minuta të festonin, por në fund të gjithë tifozët e kuq e duartrokitën, teksa dilte nga fusha dhe zëvendësohej me Demën.

*Festa e tifozëve të kuq nis që rreth minutës së 75-të, kur të gjithë në sektorin e ultrasve hedhin në fushë letra e shirita, duke mbuluar një pjesë të saj. Loja ndalet për disa minuta, pasi fusha duhet pastruar. Gjatë kësaj kohe, aktivizohet Cara, që shoqërohet me ovacione.

*Në minutat e fundit të sfidës, tifozët e kuq hapin edhe koreografinë e ideuar mbi çatinë e stadiumit. “Partizanin nuk e ndërroj me asnjë ekip në botë”, shkruhet në një banderolë të kuqe me shkronja të bardha, teksa në mes shpaloset një stemë e madhe e ekipit të kuq”. Pas kësaj ndizen flakadanë pafund, që bllokojnë tërësisht pamjen në fushë dhe loja duhet të ndërpritet sërish.

*”Ishte penallti”, është një nga refrenet e kënduar nga tifozët e kuq, që thumbojnë kundërshtarët e Tiranës pikërisht për atë penallti të diskutueshme të ndeshjes së Rrogozhinës mes Tiranës dhe Bylisit.

*Pas fërshëllimës së fundit të gjyqtarit Hamiti, të gjithë tifozët zaptojnë fushën dhe shkojnë të festojnë me lojtarët. Ndërkohë, me të përfunduar ndeshja, vallja e Napolonit ka shoqëruar festën e kuqe. Ndërkohë, pas festës lojtarët duhet të futeshin brenda dhe tifozët të ngjiteshin në tribuna. Ajo që vihet re, është fakti se lojtarëve ua kanë marrë të gjitha fanellat dhe të gjithë shkojnë në tunel gjysmë të zhveshur. Ndërkohë, forcave të sigurisë u duhet kohë shumë e gjatë për të pastruar fushën dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të skenografisë së titullit. I ndihmon edhe shiu, që nis në “Arenën e Demave”.

*Gjatë festës bie shi pa pushim. “Është shi kampionësh, nuk të lag”, dëgjohen të thonë tifozët. Ndërkohë nuk mungojnë as idetë “e këqija”. “Mos na ka mallkuar Tirana”, ishte një koment tjetër.

*Tifozët nuk harrojnë as “yllin” e gjysmës së parë të sezonit. Ata brohorasin emrin e Xhuliano Skukës.

*”Erdha, pashë, fitova”, shkruhej në latinisht në bluzën e Marinit, i cili është padyshim krenar për këtë sukses dhe nuk e fsheh aspak.

*Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk pritet në mënyrën e duhur nga tifozët. Ndaj tij lëshohen brohorima kundërshtuese.

*Eneo Bitri, i transferuar në Çeki, i bashkohet festës së kuqe dhe feston me gjithë ekipin. Padyshim edhe ai ishte pjesë e këtij suksesi në pjesën e parë të sezonit.

*Jurgen Goxhaj, mbrojtës i Teutës, shihet në tunelin e stadiumit shumë minuta pasi skuadra e tij ishte larguar.

*Disa fëmijë zbarkojnë në dhomat e zhveshjes dhe “plaçkisin” fanellat dhe çfarë gjejnë.

*Trofeu ishte një lakmi e mijëra njerëz dhe qindra prej tyre patën fatin të bënin një foto dhe ta kishin në dorë. Për shkak se kaloi aq shumë duar dhe u keqtrajtua, kupa humbi pllakatin e saj, ku edhe personifikohen detajet. Gjithsesi, drejtori Olsi Rama është treguar shumë i kujdesshëm për ta ndjekur hap pas hapi rrugëtimin e trofeut dhe arriti të shpëtonte edhe pllakatin e trofeut, e cila me siguri është ngjitur sërish në vendin ku i takon.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"