Devolli nuk rikthehet, Kamza zgjedh Ramadan Ndreun për stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2017 | 17:33

Devolli nuk rikthehet, Kamza zgjedh Ramadan Ndreun për stolin

Ramadan Ndreu te Kamza. Kryesuesit e Grupit A në Kategorinë e Parë kanë zgjedhur trajnerin e ri që do të drejtojë ekipin të paktën deri në fund të këtij sezoni. Ndreu do të marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të Bledar Devollit. Ky i fundit u përfshi në një debat me presidentin Naim Qarri të enjten në mbrëmje dhe u largua nga hoteli ku ishte i grumbulluar ekipi për sfidën e nesërme ndaj Erzenit.

Ramadan Ndreu

Ndryshe nga një javë më parë, kur Devolli u shkarkua dhe më pas u rikthye në ekip pas dy ditësh, një gjë e tillë nuk ndodhi këtë herë. Tekniku u largua përfundimisht nga drejtimi i Kamzës, edhe pse është momenti më i rëndësishëm i kampionatit.

Akordi

Në këtë mënyrë, Qarri nisi menjëherë të kërkonte për trajnerin e ri. Vetëm dje pasdite është arritur akordi përfundimtar me Ramadan Ndreun. Ky i fundit ishte i pranishëm edhe në ndeshjen ndaj Erzenit, që e ndoqi nga tribuna. Tekniku ka marrë përsipër të realizojë objektivin që ka skuadra, ngjitjen në Superiore.

“Vendosëm që Ndreu të jetë trajneri i ri i skuadrës. Kemi shumë besim se do të dijë ta drejtojë ekipin drejt elitës. Dua të falënderoj edhe një herë Devollin për gjithçka bëri për ekipin duke e sjellë deri këtu. Nuk ishte e thënë që të vazhdonte me ne. Më vjen keq”, u shpreh presidenti i skuadrës, Qarri.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"