Dhunë masive në Vlorë/ Plas sherri para syve të Sinan Idrizit, administratori: Shumë e trupshme, nuk dua boksierë unë
Rikthehet dhuna në ndeshjet e moshave. Këtë herë janë dy takimet për kampionatin U-17, pikërisht Akademia e Futbollit– Vora dhe Flamurtari-Besa, ku ka patur dy histori të ndryshme.
Në të parën ishin prindërit që lanë hesapet pas përfundimit të takimit, ndërsa në Vlorë plasi grushti në fushë mes futbollistëve të të dyja skuadrave. “Panorama Sport” ju sjell me detaje atë që ndodhi në Vlorë.
GRUSHTET NË VLORË
Përplasje fizike mes lojtarëve, gjashtë kartonë të kuq dhe gjashtë gola. Kjo ishte panorama e ndeshjes mes Flamurtarit dhe Besës që përfundoi me fitoren e kavajasve 2-4. Miqtë kalojnë të parët në avantazh me Morinën, që është edhe autor i dy golave në minutat 17 dhe 32, ndërsa Leshi do të shënonte për Flamurtarin me penallti në minutën e 41-të. Pjesa e parë do të mbyllej 1-2. Në nisje të pjesës së dytë Kurti do të shënonte golin e tretë për Besën.
Gjakrat do të ndizeshin në minutën e 60-të. Pretendimi për një faull të padhënë nga vendësit ka sjellë edhe përplasje fizike mes lojtarëve, ku tre nga Flamurtari dhe dy nga Besa dolën me kartonë të kuq. Loja vijoi dhe është sërish Leshi që ngushton shifrat në minutën e 68-të, por Fejzo do të vuloste fitoren për kavajasit në minutën e 75-të.
Të nxitur edhe nga disa tifozë që ishin jashtë rrethimit të fushës, Kuqari dhe Idrizi nisin konfrontimin fizik me Bubeqin dhe Dedejn. Lojtarëve të Flamurtarit i vjen menjëherë në ndihmë portieri Çipi.
Sherri degjeneron me grushte mes lojtarëve, ku njëri prej të rinjve të Besës u godit në bark. Për të qetësuar situatën ndërhynë pjesëtarë të stafeve teknike. Në ambientet e fushës ishte edhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e gjithashtu trajneri Dritan Resuli dhe portieri Shpëtim Moçka, që ndërhynë për qetësimin e situatës.
Kreu i klubit komunikoi me trajnerin e Flamurtarit U-17, Kleanth Sheko. “Profesor çfarë është kjo? Nuk dua boksierë unë, por futbollistë. Shumë e turpshme kjo”, u shpreh Idrizi.
Gjithçka u ndoq edhe nga trajneri Dritan Resuli që më parë ka drejtuar moshat. Trajneri i Flamurtarit është dëgjuar të shprehet me habi. “10 vjet unë këtu, nuk na kishte ndodhur ndonjë situatë e tillë…”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"