Di Biaxho e provon në disa pozicione, mbrojtësi 22-vjeçar firmos kontratë për dy vjet me Dinamon
Alesio Mija mbetet pjesë e Dinamos. Tani edhe zyrtarisht, pasi ka firmosur kontratën e re, që e lidh me këtë skuadër edhe për dy vitet e ardhshme.
Burime të gazetës pranë klubit kryeqytetas bëjnë me dije se palët kishin rënë dakord më parë, por vetëm dje është hedhur e zeza mbi të bardhë. Mija ishte i vetmi lojtar, të cilit i kishte përfunduar kontrata me mbylljen e sezonit të fundit.
Ish-trajneri Dritan Mehmeti e kishte në planet e veta dhe kishte kërkuar që mbrojtësi të rinovonte, por situata mbeti disi pezull pas ndryshimeve të bëra në staf dhe projektit të ri të klubit. Mesa duket, edhe trajneri Di Biaxho ka dhënë miratimin për qëndrimin në skuadër të 22-vjeçarit, pasi e ka provuar në disa pozicione, si në qendër të mbrojtjes, në të djathtë të këtij reparti dhe në mesfushë, aty ku luajti në disa ndeshje të kampionatit të kaluar. Lojtari me pasaportë shqiptare dhe greke, e ka të lidhur karrierën vetëm me Dinamon.
Tani, edhe me qetësinë që i jep rinovimi i kontratës, Mija duhet të luftojë për një vend titullari, por kuptohet që do ta ketë mjaft të vështirë. Dyshja titullare e qendrës së mbrojtjes është Hoxha-Behiratçe, por në një kampionat të gjatë një skuadër ka nevojë për 4 lojtarë në këtë rol, sepse gjatë rrugës do të ketë dëmtime dhe skualifikime. Mija është gati për të marrë më shumë përgjegjësi me fanellën blu.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"