Dinamo bëhet gati për startin, java nis me prezantimet e blerjeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2024 | 14:53

Dinamo bëhet gati për startin, java nis me prezantimet e blerjeve

Dinamo grumbullohet të hënën në selinë e saj në Arbanë për të nisur stërvitjen, pas disa javësh pushim.

dinamo

Blutë do të zhvillojnë pjesën e parë të fazës përgatitore në kompleksin e tyre, kurse më 20 korrik do të udhëtojnë drejt Italisë. Deri atëherë pritet që skuadra të plotësohet në pjesën më të madhe të saj. Aktualisht janë disa vende që kanë mbetur bosh nga largimet e një pjese të mirë të lojtarëve të sezonit të shkuar. Plani është që Dinamo të jetë 90% e plotësuar deri më 20 korrik dhe pjesa që mbetet do të kompletohet në vendin fqinj, ku kryeqytetasit do të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore.

FYTYRA TË REJA – Nën drejtimin e trajnerit Dritan Mehmeti dhe stafit të tij, në seancën e parë të stërvitjes pritet të ketë fytyra të reja. Disa janë të konfirmuara tashmë: Bruno Dita, Peter Mandela, Aldo Teqja dhe Eridon Qardaku. Por nuk do të jenë vetëm këta lojtarët e rinj që do të bashkohen me grupin e mbetur nga sezoni i kaluar. Gjatë kësaj periudhe drejtuesit e klubit blu kanë qenë në kontakte me shumë futbollistë dhe gjasat janë që prej së hënës ndonjëri prej tyre të bashkohet me skuadrën. Merkatoja ka qenë e fokusuar kryesisht tek ata lojtarë të cilët do të mbajnë një peshë të rëndësishme në formacion, apo siç quhen ndryshe, blerjet “big”. Me Dinamon pritet të bashkohen të paktën edhe 3 lojtarë të këtij niveli. Merkatoja më pas zgjerohet me lojtarët që do të shërbejnë si alternativa në stol, por edhe këta do të përzgjidhen, në mënyrë që t’i japin skuadrës cilësi në një kampionat të gjatë dhe të vështirë.

TREGU I HUAJ – Disa afrime të bluve pritet të vijnë nga jashtë Shqipërisë. Më afër është një qendërmbrojtës brazilian, por edhe goditjet për mesfushën dhe sulmin mund të jenë gjithashtu lojtarë të huaj. Një zgjidhje kjo e diktuar nga tregu aktual i lojtarëve, që në Shqipëri nuk afron shumë alternativa. E hëna pritet të zbulojë më shumë detaje në lidhje me përforcimet e Dinamos për sezonin e ardhshëm.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"