Dinamo pa kapitenin kundër Erzenit, dy rikthime me peshë për Mehmetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 9:40

Dinamo pa kapitenin kundër Erzenit, dy rikthime me peshë për Mehmetin

Kartonët janë bërë një problem i madh për Dinamon, që këto javët e fundit ka pasur mungesa sistematike për këtë arsye.

dinamo

Në ndeshjen e radhës me Erzenin do t’i takojë kapitenit Rustem Hoxha të qëndrojë pushim, sepse me kartonin e verdhë të marrë në Kukës ka plotësuar numrin 4 dhe është i skualifikuar. Një mungesë e rëndësishme kjo për blutë, aq më tepër po të kemi parasysh faktin se jemi në fazën finale të sezonit, ku lojtarët me eksperiencë e sidomos kapiteni, janë të domosdoshëm për skuadrën. Megjithatë, në mbrojtje Dinamo ka alternativa dhe trajneri Dritan Mehmeti pritet të zgjedhë njërin mes Jankut dhe Mijës si partner të Behiratçes.

RIKTHIMET – Në anën tjetër, kryeqytetasit i gëzohen rikthimit të të paktën dy titullarëve për ndeshjen me Erzenin. Mesfushori Bakari Gudiabi dhe sulmuesi Baton Zabërgja kanë shlyer skualifikimin nga kartonët dhe janë gati për sfidën e së dielës. Të dy munguan në transfertën e Kukësit dhe duhet thënë se mungesa e tyre u ndie, sidomos ajo e mesfushorit. Gudiabi është një nga titullarët me peshë të Dinamos në qendër të mesfushës, tashmë dyshe me Qefalinë pas largimit të Andonit. Edhe Zabërgja është nga ata lojtarë që e ndihmon skuadrën jo vetëm në sulm me shpejtësinë dhe driblimet e tij, por edhe në mbrojtje, pasi shpesh tërhiqet deri në zonën e bluve. Të dy këta lojtarë do të jenë edhe më të freskët fizikisht për përballjen e së dielës me shijakasit.

KAÇORRI – Mungesa e tretë e rëndësishme e Dinamos në Kukës ishte ajo e Luis Kaçorrit, qendërsulmuesit titullar. Ai u dëmtua që në minutat e para të ndeshjes me Skënderbeun dhe mungoi si ndaj Teutës mesjavën e kaluar, ashtu edhe kundër Kukësit. Golashënuesi më i mirë i bluve, autor i 8 golave, mbetet në dyshim edhe për Erzenin. Ai po vazhdon fazën e rikuperimit, por ka hyrë në ritmin e grupit, çka do të thotë se rrezikon të mungojë edhe në ndeshjen e kësaj jave.

ALLMUÇA – Në protokollin e ndeshjes me Kukësin mungonte edhe emri i Ilir Allmuçës. Gazeta mëson se mbrojtësi i majtë kishte një problem shëndetësor (virozë), prandaj edhe mungoi në këtë transfertë. Nga dje ai është bashkuar me skuadrën në stërvitje. Në këtë mënyrë, Dinamo ka një mungesë të sigurt me Erzenin, atë të kapitenit Rustem Hoxha. Nëse Kaçorri nuk ia del të rikuperohet në kohë, atëherë mungesat do të bëheshin dy.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"