Dinamo për “finon” në Itali, afrime surprizë dhe miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 22:06

Dinamo për “finon” në Itali, afrime surprizë dhe miqësore

Dinamo ka zbarkuar të shtunën në Itali, ku për tri javë do të stërvitet në një ambient dhe temperatura më të përshtatshme në një afër Sasuolos. Që dje stafi teknik ka nisur punën në terren, duke filluar stërvitjen me karakter fizik.

dinamo stervitje

Blutë kanë shkuar në vendin fqinj me skuadrën ende të pakompletuar, por diçka e tillë ishte planifikuar që në fillim të përgatitjeve verore. Ato vende që aktualisht janë bosh në skuadër, do të plotësohen gjatë tri javëve italiane. Bëhet fjalë për disa përforcime, që do të jenë “qershia mbi tortë” e merkatos së “Nëndetëses”.

Për këtë arsye, përveç lojtarëve dhe stafit teknik, me skuadrën ka udhëtuar drejt Italisë edhe drejtori sportiv Luan Pinari. Blutë do të testojnë disa lojtarë gjatë kësaj periudhe dhe duhet të marrin vendime të pjekura për ata që do të firmosin për të rritur kualitetin e skuadrës para sezonit të ri. Por me më shumë interes pritet të mësohet se do ta jenë goditjet e tjera “big” të bluve. Prej kohësh drejtuesit e klubit kryeqytetas janë vënë në kërkim të një lojtari me kualitet për pozicionin e numrit 10, por edhe një qendërsulmuesi.

Këta dy lojtarë pritet të jenë edhe dy surprizat e mëdha në fundin e merkatos së 18 herë kampionëve të vendit. I vetmi detaj që mësohet për momentin është se për këto dy goditje po shihen kryesisht profile lojtarësh të huaj, njëri nga të cilët brazilian. Klubi është shumë i rezervuar dhe nuk jep informacion në lidhje me emrat që ka në listë para se të finalizojë marrëveshjet me ata që do t’i jepnin Dinamos forcën për të pretenduar minimalisht Europën sezonin e ardhshëm.

Me kryeqytetasit ka shkuar në Itali edhe Bekim Maliqi, i cili pritet të zyrtarizohet si afrimi i radhës për skuadrën e trajnerit Mehmeti. Lojtari që ishte pjesë e Erzenit sezonin që shkoi luan si mbrojtës i djathtë, por edhe si sulmues i po këtij krahu, kështu që bluve do t’u bënte punë. Klubi është shumë afër afrimit edhe një mbrojtësi të majtë, që do të shërbente si alternativë e Lorranit, duke kompletuar kështu krahët e prapavijës.

MIQËSORET – Dinamo do të kryejë në Itali fazën e kolaudimit të skuadrës dhe për këtë i nevojiten miqësoret. Pas atyre të zhvilluara në Arbanë kundër Vorës dhe Dinamos së Ferizajt, blutë do të luajnë disa miqësore në tokën italiane me kundërshtarë të niveleve të ndryshme. Pas disa ditësh do të zhvillohet testi i parë me një skuadër të lehtë, më pas do të jetë radha e Rexhanës, por Dinamo pritet të matë forcat edhe me skuadra të tjera më të njohura nga vendi fqinj.

Këto ndeshje do të ndihmojnë stafin teknik për të përshtatur lojtarët e rinj me grupin, veçanërisht ata që pritet të vijnë në vazhdim në skuadër. Drejtuesit e klubit kryeqytetas janë të bindur se skuadra do të kthehet nga Italia plotësisht e kompletuar për sezonin e ri, e dubluar në çdo rol dhe e përgatitur fizikisht.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"