Dinamo përforcohet, vijnë Sorra e Imami
Sulmuesi Ergys Sorra dhe mesfushori Eni Imami do të jenë pjesë e Dinamos për sezonin e ri futbollistik. Ashtu siç bëri të ditur administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, pak ditë më parë se do të bëjë dy “goditje” surprizë në këtë fund merkato, e ka mbajtur fjalën. Të dy lojtarët u janë bashkëngjitur dje bluve. Pas arritjes së akordit me Imamin dhe Sorrën, administratori i Dinamos, Saliaj, ka pohuar: “Kemi bërë dy lëvizjet e fundit në merkato, teksa kemi rikthyer në skuadër mesfushorin Eni Imami dhe sulmuesin Ergys Sorra. Mund ta quaj të mbyllur tashmë merkaton e verës, por dëshira është të afrojmë edhe një qendërmbrojtës. Gjithashtu kërkonim të rikthenim në ekip edhe Marvin Turtullin, por ai ka nënshkruar kontratë me Teutën. Tashmë dhe tratativat duken të vështira”, ka përfunduar administratori, Saliaj.
Pashaj Andrelis Pashaj duket se është pranë rikthimit te Dinamo. Ai luajti fazën e dytë të sezonit të shkuar me blutë, ndërsa mbetet ende një lojtar i lirë në treg. Ndërkaq, ka disa ditë që Pashaj u është bashkëngjitur dinamovitëve për të vijuar përgatitjet, por nuk përjashtohen mundësitë e një rikthimi të tij në radhët e bluve. Ai është aktivizuar disa minuta në testin me Tërbunin, megjithatë situata ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare, pasi lista e federimeve te Dinamo ka shkuar drejt mbylljes. Gjithsesi gjithçka mbetet për t’u parë.
Rikuperimet Qendra e mbrojtjes dhe mesfusha, dy repartet që kanë pasur lojtarë të dëmtuar, duket se janë riparuar. Erjon Xhafa dhe Klaudio Rexhepi në qendrën e mbrojtjes janë rikthyer me pjesën tjetër të grupit, gjithashtu dhe i riu Salvator Shkalla. Ndërsa në mesfushë, Enri Tafaj dhe Jozef Thana po vijojnë në normalitet përgatitjet për ndeshjen e parë. Shqetësim për stafin teknik tashmë mbetet vetëm paraqitja në kampionat, pasi humbja në ndeshjen me Tërbunin ka lënë shumë pikëpyetje për të ardhmen.
ERJON HAMITAJ