Dita e titullit, Dortmundi mbulon me para Terziçin: Rikthimi i Halerit na frymëzoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2023 | 10:58

Dita e titullit, Dortmundi mbulon me para Terziçin: Rikthimi i Halerit na frymëzoi

Borusia Dortmund dhe trofeu i kampionatit duket se e kanë gjetur “gjuhën e përbashkët” për të “bashkëjetuar” më në fund pas 11 vitesh mungesë. Fillimisht verzdhezinjtë duhet të kryejnë me sukses detyrën karshi Maincit, fitoren.

DORTMUND

Për t’i mbajtur sa më tepër të përqendruar në vigjilje të xhiros vendimtare në ligën vendëse, bordi i liderëve aktualë në Bundesligë i ka vendosur 6 milionë bonuse, në rast hipotekimi të kampionatit.

SHPËRBLIMET- Kuota e 6 milionë eurove do të ndahet jo në mënyrë të barabartë mes lojtarëve apo stafit. Sipas mediave pranë tyre, tekniku Terziç do të përfitojë gati 1 milion euro, ndërsa futbollistët në varësi të kontributit, e përkthyer me minutazhin në këmbë dhe përfshirjen e golit. Metoda në fjalë qëndron për shtatë me termin e “meritokracisë” (çdo person përfiton në varësi të kontributit individual, pa u ndikuar nga rrethanat e tjera).

“HEROI I HESHTUR”- Sebastian Haler u projektua si zëvendësuesi i “bishës” norvegjeze, Erling Haland. Vetëm pak javë pas nënshkrimit, shtatlarti nga Bregu i Fildishtë u diagnostikua me kancer në testikuj. Megjithatë, Sebastian ka marrë nota vendimtare në garantimin e pikëve për të tijtë, 5 gola dhe 2 asiste në 4 takimet e fundit nga 15 konkretizimet e ekipit, pra 50% të kuotës totale të përfshirjeve në konkretizim. Këtë element e ka kthyer në kryefjalë Terziç gjatë prononcimit të fundit për duelin me Maincin.

TERZIÇ-”E them me gojën plot se Haler ka identifikuar ecurinë e Dortmundit në pikën ku ndodhemi. Jemi krenarë që kemi një person dhe futbollist me kaq vlera. Vullneti, përkushtimi dhe energjia pozitive që ai përcolli ka dhënë efekt mbi pjesën tjetër të grupit. Mjafton të shikoni se si ka ndryshuar faza ofensive, pikërisht rrjetat e 28- vjeçarit kanë rritur performancën e fazës ofensive si Malen dhe Adejemi. Momenti i duhur për t’i vënë kapak me trofeun në duar”, përfundoi 40-vjeçari. Triumfi i mundshëm do të shënonte çast special për binomin, as Terziç e Haler nuk e kanë skalitur ende emrin e tyre në listën e protagonistëve që kanë varur në qafë medaljen e kampionit të ligës gjermane.

DORTMUND (1)

SAIMIR MBËSI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"