Dita vendimtare për të ardhmen e sezonit, Gjykata Federale vendos për fatin e Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 10:26

Dita vendimtare për të ardhmen e sezonit, Gjykata Federale vendos për fatin e Juventusit

Dita e gjykimit erdhi. Pas 404 ditësh në mes të gjykimeve dhe vlerësimeve, madje me një sentencë të parë që anuloi vendimin e parë prej -15 pikësh në Kolegjin e Garancisë në CONI (Komiteti Olimpik Italian), do të jepet sot, me seancën që nis në orën 10 të paradites, vendimi final për Juventusin.

juventus

Në gjyqin e mëparshëm, i cili nuk pranoi dënimin e dhënë, ishte ndërhyrja e Prokurorit të Përgjithshëm të Sporteve, që çmontoi akuzën e Apelit, pasi faktet ishin zmadhuar me keqdashje, duke dhënë shembullin e “librit të Kerubinit”, i cili ishte vetëm një copë letre me shënime pakënaqësie ndaj Paratiçit. Gjithsesi, sot, përpara se Juventusi të zbresë në fushë në transfertë kundër Empolit, trajneri Alegri dhe futbollistët e tij do të mësojnë se si mund të ndryshojë sërish renditja e tyre në Serinë A dhe se për çfarë do të jenë ende në luftë për dy javët e fundit të kampionatit.

SA PIKË PRITEN – Fakti që Kolegji i Garancisë në gjyqin e pak ditëve më parë urdhëroi rivlerësim për dënimin me -15 pikë do të thotë automatikisht se dënimi i radhës dhe final do të jetë më i ulët. Kolegji i Garancisë dhe prokurori i sporteve e pa absurd faktin që Apeli të shkojë mbi kërkesën e prokurorisë, e cila pasi kishte studiuar dosjen të kërkonte vetëm 9 pikë penalizim, ndërsa një komision që nuk e ka vlerësuar asnjëherë çështjen, të kërkojë gati dyfishin. Prandaj, ditën e sotme në Torino, të gjithë presin një maksimum prej 9 pikësh penalizim, i cili do të zbriste Juven në vendin e pestë të renditjes, ku aktualisht ndodhet Milani, duke i qëndruar kërkesës së prokurorit të çështjes.

Kjo do t’i linte hapësirë Juventusit që të vazhdonte të luftonte për zonën “Champions” edhe në dy javët e mbetura pas Empolit. Por ditën e djeshme ka fryrë edhe një erë e keqe, me të përditshmen “Corriere dello Sport”, e cila pretendon se ka burime të sigurta dhe se vendimi ndaj Juves do të jetë një dënim me 12 pikë. Kjo shifër është përzgjedhur për ta lënë me çdo kusht klubin bardhezi jashtë zonës “Champions” për sezonin e ardhshëm, ndoshta edhe me një udhëzim të UEFA-s, duke qenë se edhe organi i drejtuar nga Aleksandër Ceferin ka hapur një proces paralel dhe do të studiojë çështjen e Juventusit. Kjo mund të rezultojë edhe një teori konspirative, ndonëse të gjithë e dinë mirë se Ceferin, pas tradhtisë së Andrea Anjelit me projektin e Super Ligës, e ka vënë në shënjestër “zonjën e vjetër”… Gjithsesi, sot do të shuhen të gjitha dyshimet…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"