“Do jemi kampionë kur të na lejojë matematika”, Çelhaka: Dua të luaj jashtë
Jurgen Çelhaka është pa asnjë dyshim zbulimi më i madh i Tiranës këtë sezon. Para disa javësh ai zgjati marrëveshjen me bardhelutë. Në një ntervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i qendrës rrëfen veten dhe çfarë ka bërë gjatë këtij sezoni te bardheblutë. Jurgeni nga ana tjetër është nga lojtarët më shumë të aktivizuar këtë sezon.
Në shpatulla ka 1800 minuta në 22 takime, goxha për një 19-vjeçar që ka sezonin e parë në Superiore si titullar. 19-vjeçari Çelhaka, i cili është një titullar fiks te skuadra bardheblu, është nën kontratë me Tiranën dhe bardheblutë do të kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij. Për lojtarin janë afruar 400 mijë euro, por Tirana në janar e ka refuzuar ofertën, sepse kërkonte edhe 40 për qind të kartonit të lojtarit. Ja intervista me Çelhakën…
Si ishte të riktheheshit në fushë pas tre muajsh pushim?
Është një ndjesi shumë e bukur. Nuk mund ta përshkruash me fjalë. Realisht fusha është diçka tjetër dhe stërvitja gjë tjetër.
Keni pasur problem ambientimi në fushë apo nga ana fizike pas rikthimit të futbollit?
Jam munduar ta mbaj gjendjen fizike edhe gjatë karantinës. Sigurisht me aq mundësi sa kam pasur. Jam ndier mirë dhe nuk ka pasur shumë probleme me ambientimin apo orientimin.
Çelhaka ishte nga më të mirët para pandemisë dhe është nga më të mirët edhe pas pandemisë. Si e shihni veten tani që jeni jo titullar, por nga ata të pazëvendësueshmit?
Faleminderit për vlerësimin! Mendoj se kjo është detyra ime, të jap maksimumin çdo ndeshje. Është detyrë për të gjithë ne, por sepse jam edhe djalë i ri.
Tri fitore rresht dhe 13 gola. Cili është çelësi i kësaj Tirane?
Mendoj se çelësi i kësaj Tirane është grupi. Jemi si një familje ku të gjithë mundohemi të bëjmë më të mirën në fushë. Nuk ka diferenca mes nesh.
Cila është e fshehta e Jurgen Çelhakës në këtë sezon?
Mendoj se çelësi im është stërvitja. Jap çdo ditë maksimumin. Për mua nuk ka pushim apo hile në stërvitje. Gjithë kjo punë më pas më shpërblehet në ndeshje apo paraqitjet në kampionat. Shkurt, punë, punë dhe vetëm punë.
Ktheheni ndonjëherë pas në kohë dhe mendoni për atë që keni bërë këtë sezon?
Nuk e kam menduar ende. Ide interesante. Do ta mendoj kur të mbarojë kampionati, pasi akoma nuk kemi fituar ndonjë trofe.
Çfarë do t’u këshillonit moshatarëve apo lojtarëve që vijnë nga akademia?
Nuk ka gjëra të vështira. Të gjithëve do t’u këshilloja që kur të vijnë në ekipin e parë, të luajnë ashtu siç luajnë te moshat dhe të japin maksimumin.
Para disa javësh keni arritur një marrëveshje me Tiranën për të zgjatur kontratën?
Po, është e vërtetë që kam arritur përsëri marrëveshje. Detajet do të jepen nga klubi në një moment të dytë.
Shumë skuadra ju ndjekin. Ku është dëshira juaj për të luajtur nëse do të zgjidhnit një kampionat të huaj?
Dëshira ime është që të shkoj në një kampionat të huaj. Nuk ka rëndësi emri i ekipit. Mjafton që të jem i rëndësishëm për atë ekip dhe të marr sa më shumë minuta.
Përballë sot do të keni Teutën. Me llogari, nëse fitoni në Durrës, titullin e keni pothuajse të fituar?
Me Teutën do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Gjithsesi, ne besojmë te cilësitë që kemi. Sa për titullin nga goja ime apo Tiranës do ta dëgjoni fjalën “kampionë” vetëm kur ta sigurojmë matematikisht trofeun.
PANORAMASPORT.AL