Do ndeshen në “Koloseun” e Romës, promotori konfirmon duelin mes themeluesit të “Facebook” dhe pronarit të “Twitter”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2023 | 13:00

Do ndeshen në “Koloseun” e Romës, promotori konfirmon duelin mes themeluesit të “Facebook” dhe pronarit të “Twitter”

A do të ndeshen Mark Zuckerberg dhe Elon Musk në një ndeshje MMA? Fillimisht shihej vetëm si një shaka e rrjeteve sociale, por mesa duket nuk është kështu.

musk zuckerberg

“Unë kam folur me ta dhe mund t’ju siguroj se ata e kanë seriozisht”, është Dana Uajt, presidenti i UFCsë, organizatës kryesore të Arteve Marciale Mikse (MMA) në botë.

“Një event i tillë me siguri do të bëhej ndeshja më e ndjekur e të gjitha kohërave dhe do të regjistronte të paktën trefishin e audiencën së duelit Mejudhër-MekGregor”, shtoi Uajt.

ZANAFILLA – Por si erdhi ideja e një dueli të tillë? Gjithçka filloi pas njoftimit nga krijuesi i “Facebook”-ut, Zuckerberg, për lançimin e një rrjeti të ri social të krijuar për të konkurruar drejtpërdrejt me “Twitter”-in, i cili është në pronësi të themeluesit të “PayPal”, “Tesla” dhe “SpaceX”, Elon Musk.

Një përplasje në internet lindi me postimet e nisura nga Musk, i cili shkoi deri aty sa tha se ishte gati të sfidonte rivalin e tij të biznesit në një ndeshje MMA. Ndërsa themeluesi i “Facebook” u përgjigj menjëherë “më trego ku”.

Një replikë që dukej si ato skenat e zakonshme, që shihen pafundësisht “online” dhe se do të mbetej aty. Por kaq ka mjaftuar që të futet në lojë promotori i famshëm, Dana Ujat, duke bërë të ditur se të dy e kanë seriozisht për duelin dhe se është i gatshëm për ta organizuar një event të tillë.

TRAJNIMET – Lajmet pa dyshim po qarkullojnë në të gjitha mediat botërore, jo vetëm ato sportive, dhe tashmë ka shumë komente të llojeve të ndryshme për këtë sfidë të paprecedentë. Të apasionuarit pas sporteve luftarake po pyesin gjithashtu se si do të përfundonte një duel i tillë.

Në fakt, Zuckerbergu e ka deklaruar prej kohësh pasionin e tij për sportet si MMA dhe Brazilian Jiu Jitsu (BJJ). 39-vjeçari ka postuar video të ndryshme nga stërvitjet e tij me kampionë të njohur dhe së fundmi ka marrë pjesë në kompeticionin e tij të parë në BJJ, duke shënuar dy fitore.

Nga ana tjetër, Musk, 52 vjeç, për sa i përket përvojës, në një intervistë të fundit është shprehur se kur ka qenë i ri ka ushtruar xhudo, karate me kontakt të plotë dhe taekuondo, si dhe është përfshirë në shumë sherre në periferi të Pretorias së tij.

Ndërkohë për “bookmakers” në Amerikë nuk ka dyshime se cili do të ishte fituesi në një përballje të tillë, teksa Zuckerberg konsiderohet favorit i madh.

Gjithashtu bisedimet vijojnë që ky duel të zhvillohet në “Koloseun” e famshëm të Romës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"