Do të luajnë në të Tretën, por AF Elbasanit i shtohen “yjet”/ Del edhe Çota në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2021 | 16:48

Do të luajnë në të Tretën, por AF Elbasanit i shtohen “yjet”/ Del edhe Çota në stërvitje

Mirel Çota del në stërvitje me AF Elbasanin. Ish-sulmuesi i disa skuadrave të Kategorisë Superiore është pranë arritjes së një marrëveshjeje me elbasanasit, për të qenë pjesë e kësaj skuadre në Kategorinë e Tretë. Dikur luante për Teutën, Tiranën apo edhe Elbasanin e Arben Lazes, ndërsa sezonin 2021-2022 pritet që të mbrojë ngjyrat e ekipit më të ri në Elbasan.

af elbasani

Burime të besueshme nga kampi verdheblu pohojnë për “Panorama Sport” se paraprakisht palët kanë rënë dakord për të pasur një bashkëpunim midis tyre dhe mbeten vetëm disa detaje për të konkretizuar marrëveshjen. 33-vjeçari kampionatin e fundit e ka mbyllur me Sopotin, ekipi i vendlindjes së tij, Librazhdit. Duket se projekti i AF Elbasanit e ka bindur të pranojë dhe të militojë në të Tretën. Në këtë skuadër ai do të gjejë edhe mesfushorin Renato Hyshmeri, së bashku me të cilin ka luajtur te Teuta dhe sezonin 2011-2012 ishin shumë pranë titullit në Durrës, por ai i takoi Skënderbeut.

Me afrimin e Çotës, elbasanasit përforcohen edhe më shumë në majën e sulmit. Duke parë kontigjentin që kanë zyrtarizuar më parë, duket se nuk kanë shumë “lidhje” me kategorinë ku do të marrin pjesë, e cila është gati amatore. Megjithatë, duke qenë se në klub nuk duan asnjë surprizë të pakëndshme, edhe afrimet kanë qenë cilësore dhe me lojtarë që janë dukshëm mbi nivelin ku do të luajnë.

KAMPIONATI – Tani pritet që klubi të njohë rivalët që do të ketë përballë. Grupi është thuajse i kompletuar që në gusht, e megjithatë ngërçi qëndron te starti i kampionatit. Liga ku do të militojnë verdheblutë starton në muajin janar dhe deri atëherë do të jenë të detyruar vetëm që të stërviten dhe maksimumi të luajnë ndonjë miqësore.

Kategoria e Tretë zhvillohet në Kamzë (në Qendrën e Kombëtarëve) dhe është me sistem grumbullimi pikësh. Duke parë nivelin e skuadrave që ishin edhe vjet, rivalitet nuk pritet të kenë dhe ngjitja do të jetë një formalitet për skuadrën e drejtuar nga Gentjan Stojku. Megjithatë, projekti që ka nisur klubi ka vetëm një qëllim: të jenë të parapërgatitur edhe për sezonin e ardhshëm në… Kategorinë e Dytë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"