“Do të shihni një Apoloni ndryshe”, Dovedan: Luajmë të bashkuar, për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 11:18

“Do të shihni një Apoloni ndryshe”, Dovedan: Luajmë të bashkuar, për të ardhmen

Fati i buzëqeshi sërish Apolonisë, e cila përmes ndeshjeve shtesë të fazës “play off” mund të arrijë objektivin e saj madhor. Pasditen e sotme, në orën 16:00, në stadiumin “Flamurtari” do të masin sërish forcat me vlonjatët që janë shumë më të avantazhuar në këtë fazë. Trajneri i Apolonisë, Veljko Dovedan, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, para këtij takimi të rëndësishëm.

DOVEDAN

Nga Flamurtari te Flamurtari. Sa ju shërbeu ndeshja e fundit për të njohur kundërshtarin e parë?
Të tregohem i sinqertë na shërbeu shumë, sado që ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj ndeshjeje. Nuk është aspak e lehtë të përballesh me Flamurtarin, por Apolonia do të bëjë atë që di të bëjë më mirë, lojën e saj. Ndeshja e kaluar ndryshon totalisht nga sfida e sotme, jo vetëm se luhet për një objektiv madhor, por edhe se gjithçka vendoset brenda këtyre 90 minutave. Do të shihni një Apoloni ndryshe nga ndeshja e fundit, më të organizuar në mbrojtje dhe më agresive në sulm.

Çfarë ka korrigjuar skuadra për këtë ndeshje të rëndësishme?
Ne e kemi analizuar me kujdes ndeshjen e fundit ndaj vlonjatëve, sigurisht kemi mbajtur shënim gabimet e bëra, të cilat do të korrigjohen një për një në këtë ndeshje të rëndësishme. Djemtë fierakë e kanë të qartë objektivin final dhe janë më të bashkuar se kurrë. Pres dhe dëshiroj që skuadra të jetë një trup i vetëm në të dyja fazat e lojës, pra të sulmojnë dhe të mbrojnë të gjithë.

Ju duket i kalueshëm Flamurtari, kur dihet që ju penalizon fusha dhe formula e fazës “play off”?
Flamurtari dhe Apolonia mund dhe të luajnë njësoj, si ata në Fier ashtu dhe ne në Vlorë. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh, përveçse dëshiroj angazhimin tonë maksimal në fushën e lojës, i cili na bën fitimtarë. Kjo ndeshje është një finale e vërtetë dhe finale të tilla fitohen duke dhënë e bërë gjithçka që është e mundur. Kudo që të luanim, ne do të synonim vetëm triumfin ndaj vlonjatëve.

Marrim edhe anën tjetër, a do të ishte dështim nëse nuk e kaloni dot Flamurtarin?
Jo, aspak, për sa kohë ne kemi arritur një objektiv, i cili na bëri të ëndërrojmë për elitën. Të mos harrojmë ku ishte Apolonia, çfarë dëshironte fazën e parë, dhe ku është sot, e çfarë pretendon tani në të vërtetë. Do t’i shkojmë deri në fund ëndrrës sonë, e cila mund të bëhet realitet. Pa modesti, por ne të gjithë kemi bërë një punë shumë të mirë, kështu që presim frytet e punës së bërë.

A e shihni sërish veten si numri një i pankinës fierake?
Të mbyllet njëherë ky kampionat i gjatë e i vështirë, sepse në këtë moment nuk mund të them asgjë konkrete. Realisht nuk është koha për të menduar seriozisht për të ardhmen. Ka kohë mjaftueshëm për këtë gjë, kështu që durim.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"