Dopietat në modë, vlonjatët luajnë “poker”. 10 milionë lekë për “kokën” e Partizanit
FLAMURTARI-TOMORI 4-2
GOLAT: L.Shehaj 25’, 50’, Bregu 42’, 72’ / Berberi 52’, Myzyri 86’ (pen)
FLAMURTARI: Moçka, Bisha, Zeqaj, Beqiri, Hasani (Xhani 46′), Bregu, Nelaj, Kuçi, Qejvani (Brozi 51′), A.Shehaj (Nelaj 46′), L.Shehaj. Trajner: E. Gjoka
TOMORI: Topi (Shehu 86′), Kusta, Kanaci (Bitri 46′), Hadaj, Flataraku, Myzyri, Roli, Lajthia, Lapardhaja, Berberi (Çela 64′), Uzuni. Trajner: E.Fani
KARTON TË VERDHË: Myzyri 36′, Hasani 68′, Xhani 79′
DELEGAT: Elton Gjipali
VËZHGUES: Sami Elezi
GJYQTARË: A.Koci, F.Elezi, F.Lamaj
Flamurtari kalon në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë, duke vijuar kështu më tej në këtë kompeticion. Pasi mundi në Berat dy javë më parë Tomorin vendës me rezultatin 2-0, kuqezinjtë e Ernest Gjokës kanë mundur dje beratasit edhe në Vlorë, kësaj here me rezultatin 4-2 dhe duke i likuiduar ata me rezultat të përgjithshëm 6-2.
Ndeshja Sfida nisi me të dyja ekipet, të cilat përpiqeshin të mbroheshin sa më shumë. Ishte Bisha që në minutën e 22-të humbet një gjuajtje me kokë, pasi sfera përfundon jashtë. Në minutën e 25-të do të zhbllokohej rezultati. Bregu jep një top për Lorenc Shehaj dhe ky i fundit, pa u menduar, e shtyn atë drejt rrjetës dhe 1-0. Në minutën e 42-të, i ri Bregu do të dyfishonte shifrat për Flamurtarin. Pas një krosi të Qejvanit, sfera përfundon në këmbët e Bregut, i cili godet saktë dhe 2-0. Ky do të ishte edhe rezultati përfundimtar i pjesës së parë që çon në dhomat e zhveshjes të dyja ekipet.
Pjesa e dytë Në minutën e 50-të, Flamurtari do të trefishonte shifrat. Bregu jep një top për Lorenc Shehajn, ky i fundit gjuan drejt portës, sfera përplaset dy herë me shtyllën, por më pas përfundon në rrjetë. Dy minuta më vonë do të vinte edhe kundërpërgjigja nga Tomori, në fakt një gol i rastësishëm nga ana e Berberit, i cili në zonën vlonjate shfrytëzon një moskoordinim të vlonjatëve dhe shënon. Goli i katërt i vlonjatëve do të vinte në minutën e 72-të. Pas disa pasimeve të njëpasnjëshme të lojtarëve vlonjatë, topi përfundon në këmbët e Bregut, ky i fundit, pas një kthese brenda zonës, e çon atë në rrjetë dhe 4-1. Pas një ndërhyrjeje të gabuar të Xhanit, gjyqtari akordon një penallti për Tomorin, të cilën e merr përsipër për ta ekzekutuar Myzyri. Ky i fundit përballë Moçkës e ka mënjanuar portierin dhe ka shënuar golin e dytë për ekipin e tij. Në dy minutat shtesë në fund të lojës, Flamurtari mbetet me 10 lojtarë në fushë, pas një dëmtimi të Kuçit nga Kusta.
ERNEST GJOKA
Për trajnerin e Flamurtarit, Ernest Gjoka, ky takim ishte një test për lojtarët e rinj. “Ky ishte një test për ne. Provova lojtarët e rinj dhe përgjithësisht jam i kënaqur prej tyre, megjithëse kanë ende shumë punë për të bërë për të fituar formacionin. Do të luftojmë të shkojmë sa më larg në kupë, ndërsa dihet që tani gjërat vështirësohen edhe më shumë”.
ELTON FANI
Edhe për zëvendëstrajnerin skuadrës së Tomorit, Elton Fani, kjo ndeshje ishte për të provuar lojtarët e rinj. “Për ne primar mbetet kampionati. Erdhëm në Vlorë me lojtarë të rinj dhe e vlerësuam maksimalisht, megjithëse mund të them se për të dyja skuadrat ishte në njëfarë mënyre një ndeshje miqësore”.
10 milionë lekë për “kokën” e Partizanit
Edhe për ndeshjen e së dielës, nëse ajo do të kalohet me sukses dhe do të merren tri pikët, futbollistët vlonjatë do të përfitojnë një premio jo të vogël. Lajmi për premion u konfirmua dje për “Panorama Sport” nga drejtori sportiv i klubit, Ardi Behari. Për të motivuar ekipin, për të arritur fitore dhe për ta mbyllur sa më mirë këtë fazë, futbollistëve do t’u vihet një premio prej 10 milionë lekësh për takimin me Partizanin, tha Behari. “10 milionë lekë të vjetër do të shpërndahen për ekipin nëse do të fitohet ndeshja me Partizanin. Shuma e parave është vendosur nga kompanitë turke TRK dhe ‘AtlasJet’. Unë falënderoj kompanitë turke, të cilat po na gjenden në këto moment pranë duke na ndihmuar financiarisht”, u shpreh Behari.
ERMAL SIKA